Lepenica: Nderimi i firmosësit të varjes së Havzi Nelës, Kristaq Rama akt i paprecedentë, Akadamia e Arteve në shërbim të Edi Ramës

Deklarata e drejtuesit të Departamentit të ish-të Përndjekurve në PD, Shkëlqim Lepenica:

Në 10 gusht të vitit 1988, në mes të Kukësit do të ekzekutohej me varje poeti Havzi Nela. Udhëheqja komuniste kishte vendosur të mos e falte poetin rebel, i cili veç lirisë për veten dhe popullin e tij nuk kërkonte asgjë tjetër.

Si për ironi të fatit, sot 35 vite pas rënies së sistemit, në krye të qeverisë kemi pinjollin e një prej firmëtarëve të atij akti, të birin e ish-anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Edi Kristaq Rama, i cili me të gjitha format po kërkon të rehabilitojë kriminelët e regjimit të dikurshëm, mes tyre dhe vetë të atin që i shërbeu me devotshmëri.

Akti më i paprecedentë ishte ai i para dy ditëve , kur Akademia e Arteve i dha medaljen e Mirënjohjes Kristaq Ramës, njeriut i cili pa iu dridhur dora firmosi aktin e ekzekutimit të Havzi Nelës.

Duket se dhe kjo akademi, e cila duhet të jetë bërthama e shpirtit të lirisë, është vënë në shërbim të interesave meskine të pushtetit, natyrisht me urdhër të Edi Ramës, i cili nuk lë rast pa i kujtuar shqiptarëve trashëgiminë e tij që vjen nga sistemi i kaluar.

Në fakt, Akademia e Arteve, po të kishte kurajon, atë medalje t’ia dorëzonte pinjollëve të Kristaqit në Kukës, ku si dëshmi e ndërgjegjes qëndron dhe një bust i poetit që iu ndërpre jeta padrejtësisht.

Në rast se krerët e institucioneve shqiptare kërkojnë t’i bëjnë ndere të paqena Edi Ramës, do ishte e udhës të gjenin forma të tjera, jo duke lënduar shpirtin dhe kujtimin e pasardhësve të atyre që u vranë, torturuan dhe u burgosën nga regjimi i kaluar dhe shërbëtorët e tij, ku një ndër ta ishte dhe Kristaq Rama, ati biologjik i Edi Ramës.

Partia Demokratike, duke dënuar këtë akt, i bën thirrje asaj pak ndërgjegjeje që i ka mbetur krerëve të institucioneve në këtë vend që të reflektojnë dhe mos bëhen servilë të pushtetit duke shkelur mbi vuajtjet e shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi.

Ky është një provokim i rëndë për ta dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Kriminelët e regjimit të kaluar duhet të përçmohen dhe jo t’u jepen certifikata mirënjohjeje, siç ndodhi për turpin e atyre që organizuan atë farsë më 13 maj

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Marjan Geci: Shqipëria pa siguri juridike e sociale, qytetarët kanë humbur besimin te shteti

Përfaqësuesi i departamentit “Brain Gain” Marjan Geci duke folur në tryezën për sigurinë të organizuar …