Këshilltari për sigurinë në Partinë Demokratike dhe ish-deputeti, Xhemal Gjunkshi, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për dështim në garantimin e sigurisë kombëtare dhe rendit publik, duke deklaruar se vendi po përballet me një nga krizat më të rënda të sigurisë në 35 vitet e fundit.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin për sigurinë, të organizuar nga Departamenti i Sigurisë në PD, Gjunkshi tha se siguria kombëtare dhe rendi publik janë themelet e një shteti funksional, ndërsa sipas tij, dobësimi i tyre ka sjellë humbje të besimit te shteti, rritje të emigracionit, fuqizim të krimit dhe dobësim të ekonomisë.
Fjala e Xhemal Gjunkshit
Ju faleminderit.
E nderuar, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike.
Mirëmbrëma të gjithëve të pranishëm këtu dhe gjithë atyre që na ndjekin nëpërmjet televizionit. Ajo që dua të theksoj unë është që sigurisht jemi këtu për të parë dhe për të theksuar shkaqet e dështimit të qeverisë Rama dhe sigurisht duke dhënë dhe alternativën e opozitës për sigurinë dhe rendin publik.
Këtu është bërë një punë mjaft e lavdërueshme nga të gjithë, qoftë nga drejtuesit e departamentit të sigurisë, nga të gjithë kolegët, nga të gjithë shokët të pranishëm këtu. I nderuar doktor, siguria kombëtare dhe rendi publik janë themelet e një shteti funksional.
Kur bie siguria, bie besimi i qytetarëve tek shteti, bie ekonomia, rritet emigracioni, fuqizohet krimi dhe dobësohet vetë kombi. Shqipëria sot ndodhet përballë të një prej krizave më të rënda të sigurisë dhe rendit publik në 35 vitet e fundit. Qeveria e kriminalizuar e Edi Ramës nuk ndërtoi shtet ligjor.
Përkundrazi, ndërtoi një sistem të kapur nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe patronazhimi politik. Për këtë arsye, qytetarët sot jetojnë në një klimë pasigurie të përhershme. Unë nuk do zgjatem shumë, sepse këtu u tha por si u shkatërrua siguria dhe rendi publik nëpërmjet kanabizimit të Shqipërisë.
Për herë të parë në historinë moderne të këtij vendit, Shqipëria u kthye, siç ju tha dhe më parë, në bazën kryesore të kultivimit të kanabisit në Europë. Zona të tëra të territorit ranë nën kontrollin e grupeve kriminale, strukturat e shtetit heshtën ose bashkëpunuan.
Ashtu siç e kam theksuar dhe më parë dhe gjatë mandatit si deputet në parlament, deti Adriatik u kthye në autostradën e trafikimit të drogës. nëpërmjet ndihmës direkte, koordinimit të përsosur të ministres, ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe strukturave të tjera të policisë së shtetit. Gjë që është dhe që bie akoma më shumë në sy, është që ndiqet e njëjta politikë.
Nuk ka aspak dhe asnjë reflektim në përsa i përket aspektit të emërimit dhe të vendosjes së personelit. E thashë që kanabizimi nuk ishte thjesht një problem droge, ishte një projekt i mirëfilltë kriminal që deformoi shtetin shqiptar.
Dhe ky ka qenë një alarm kombëtar. Oficerë të lartë të policisë bashkëpunonin me trafikantë, strukturat e antidrogës ishin kompromentuar, informacione operative dekonspiroheshin te grupet kriminale.
Policia në shumë raste u përdor për mbrojtjen e interesave kriminale dhe jo të qytetarëve. Kur policia infiltron, krimin ose kontrollohet prej tij, shteti humbet monopolin e forcës ligjore. Grupet kriminale fituan ndikim të drejtpërdrejtë në strukturat e rendit. Dhe çfarë solli kjo?
Kjo solli shkatërrimin e zinxhirit komandues, theksimin e efektivëve dhe profesionistëve, përdorimin, përdorimin selektiv të ligjit dhe mbrojtjen e individëve me lidhje politike.
Penetrimi i thellë i grupeve kriminale në polici dhe administratë. Krimi i organizuar nuk mbeti jashtë institucioneve. Ai depërtoi brenda tyre. Sot, grupet kriminale ndikojnë në tendera publikë, në emërime administrative, në procese zgjedhore, në ekonominë informale, në trafikun ndërkombëtar të drogës, në pastrimin e parave, dhe intimidimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Shqipëria, pra, siç u theksua dhe më parë, është shndërruar nga një vend tranzit në një nyje operacionale të krimit ndërkombëtar. Emergjenca politike dhe patronazhimi në polici. Policia e Shtetit u kthye në instrument partie.
Në shumë raste, patronazhistët politikë u autorizuan në punësime dhe grada. Militantizmi politik zëvendësoi profesionalizmin, presioni ndaj efektivëve u rrit dhe policia u përdor për interesa elektorale. Gjë e cila është motoja e drejtimit të kësaj qeverie, e këtij kryeministri.
Dhe kjo çfarë ka bërë? Kjo ka dëmtuar rëndë neutralitetin institucional, moralin e trupës policore, dhe mbi të gjitha besimin e qytetarëve. Largimi i paligjshëm i profesionistëve të policisë.
Qindra drejtues dhe specialistë me eksperiencë u larguan padrejtësisht nga puna. U zëvendësuan me individë pa integritet profesional. Dhe si përfundim, një pjesë shumë e mirë e tyre u detyruan të emigrojnë. Pasojat e kësaj, është humbje e memories operacionale, dobësim i kapaciteteve hetimore, rritje e korrupsionit të brendshëm, ulje e efektivitetit.
Sa i madh është ky dëm? Pasojat kryesore të kësaj qeverisje të pasigurisë, rritja e fuqisë ekonomike të krimit të organizuar, pastrimi masiv i parave në ndërtim dhe ekonomi, rritja e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, fuqizimi i bandave kriminale, rritja e vrasjeve mafioze dhe atentateve, frikësimi i gazetarëve dhe denoncuesve, emigrimi masiv i të rinjve dhe profesionistëve, humbja e besimit tek drejtësia dhe policia, rënia e bashkëpunimit qytetar me organet ligjzbatuese, dobësimi i sigurisë kombëtare, ekspozimi i Shqipërisë ndaj ndikimeve kriminale dhe të huaja armiqësore.
Pse ndodhi kjo? Kjo ndodhi për shkak se shteti u kap politikisht. Krimi u përdor si instrument pushteti, u shkatërrua meritokracia, u sulmuan profesionistët, u tolerua korrupsioni dhe institucionet u kthyen në vegla të një partie. Kur pushteti bashkëjeton me krimin, siguria e qytetarëve bëhet viktima e parë.
Sigurisht që për të gjitha këto ka dikush që mban përgjegjësi. Kush mban përgjegjësi? Përgjegjësia është politike, është institucionale, është morale, dhe mbi të gjitha kombëtare. Përgjegjësia bie mbi drejtuesit politikë që lejojnë kapjen e shtetit, drejtuesit e policisë që heshtën, zyrtarët e korruptuar dhe ata që përdorën policinë për pushtet e jo për ligjin.
Cila është alternativa e opozitës për sigurinë dhe rendin publik? Të gjitha këto që u thanë këtu, të gjitha ato që janë përgatitur dhe sigurisht dhe puna që do të vijojë dhe në të ardhmen, është ajo që Partia Demokratike mbi të gjitha do të ketë një alternativë prezente për qytetarët në lidhje me sigurinë dhe rendin publik.
Ajo do të ndërtojë një platformë të qartë në lidhje me dekriminalizimin real të institucioneve, me një veting real në polici, hetimin e lidhjeve me krimin, konfiskimin e pasurive kriminale, rikthimin e profesionistëve, rikthimin e oficerëve të larguar padrejtësisht, promovim mbi bazë meritokracie.
Depolitizim total i policisë së shtetit, të cilët unë gjykoj dhe mendoj që dhe sugjeroj, i nderuar zoti kryetar, që depolitizimi i policisë është një nga kushtet kryesore që të ketë rend, që të ketë siguri në këtë vend.
Luftë agresive kundër krimit të organizuar, goditje e financave kriminale, partneritet me DEA-n, FBI-në, Europol-in, Interpol-in, strukturë speciale, siç u tha, kundër krimit, kundër infiltrimit kriminal. Siguri për qytetarët, rritje e prezencës policore, teknologji moderne survejimi, luftë kundër armëmbajtjes pa leje, mbrojtje për bizneset dhe komunitetet.
Siguri kombëtare moderne, forcimi i inteligjencës kombëtare, luftë kundër sulmeve kibernetike, strategji kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, bashkëpunim më i thellë me NATO-n. Si përfundim, mendoj se Shqipëria nuk mund të ndërtojë demokraci me polici të kapur, me krim të organizuar, të fuqizuar dhe me institucione të kontrolluara politikisht.
Siguria nuk është propagandë. Siguria është shtet, siguria është ligj, siguria është drejtësi, siguria është besimi i qytetarëve tek institucionet.
Dhe pa rikthyer këtë besim, nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik, as integrim europian, as të ardhme për shqiptarët.
Gazeta RD