Skandali/ Rama i merr me dhunë Pacollit aeroportin ku ka investuar miliona euro

Kompania Mabco Constructions ka reaguar me një deklaratë të fortë publike pas tensioneve të krijuara në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ku dhjetëra punonjës nuk janë lejuar të futen në ambientet e projektit.

Në reagimin zyrtar të lexuar nga përfaqësuesi i kompanisë, Ili Gërdupi, situata është cilësuar si e jashtëligjshme dhe me pasoja serioze për projektin.

“Sot në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po zhvillohet një situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme dhe në kufijtë e veprimeve penale të dënueshme”, thuhet në deklaratë.

Sipas Mabco, rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të kompanisë dhe nënkontraktorëve të saj janë penguar fizikisht të hyjnë në kantier.

“Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A. dhe nënkontraktorëve të saj po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur”, deklaron kompania.

Në reagim thuhet se pengimi po kryhet nga persona që veprojnë në emër të Vlora International Airport – VIA, ndërsa përmendet edhe administratori Vegim Hoxha, për të cilin Mabco pretendon se emërimi është në shqyrtim gjyqësor.

Kompania thekson se është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare dhe investitori kryesor në projekt.

“Mabco Constructions S.A. e ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për ‘zgjidhje kontrate’ dhe e konsideron atë akt të paligjshëm, të kryer nga një administrator pa autoritet ligjor”, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas kompanisë, situata po rrezikon jo vetëm vijimin e punimeve, por edhe certifikimin dhe hapjen e aeroportit.

“Kjo situatë po rrezikon sigurinë dhe rendin publik në kantier, vijimësinë e punimeve për certifikimin dhe hapjen e aeroportit, si edhe investimin e madh zviceran dhe interesin kombëtar të projektit”, deklaron Mabco.

Në fund të reagimit, kompania bën me dije se për situatën janë njoftuar Prokuroria e Vlorës, Kryeministri dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa paralajmëron ndjekje ligjore ndaj çdo personi që, sipas saj, cenon investimin dhe interesin publik.

About Krye Redaktor

Check Also

“Terrorizëm i grupeve kriminale”/ Pacolli reagon ashpër ndaj asaj që po ndodh në aeroportin e Vlorës

Behxhet PACOLLI Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve …