Teknologjia e re me mendësinë e vjetër

Nga Arlind Bajaj

Pak ditë pas intervistës së bujshme të ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, në një prej televizioneve të drejtuara nga krim-ministri Edi Rama, propaganda qeverisëse bëri sërish punën e saj. Përmirësimi i sistemit e-Albania dhe sjellja e versionit të ri (e-Albania 2.0) është bërë i mundur për qytetarët ditën e djeshme. E gjitha kjo, vetëm për faktin se shqiptarët duhet të harrojnë intervistën e dështuar të ish-drejtueses së AKSHI-t, e cila edhe me një regji të organizuar deri në detaj dhe me pyetje e përgjigje të inskenuara, përsëri nuk ia doli të justifikonte dot pasurinë e saj miliona euro.
E përsëri, gabimi që Rama pa dashjen e tij kreu, është rikthimi i vëmendjes edhe një herë te Agjencia e AKSHI-t. E-Albania 2.0 në fakt nuk është një përmirësim dosido. Por, një përmirësim i datuar që prej korrikut të vitit 2024, datë kur në krye të AKSHI-t (Agjencisë përgjegjëse për portalin e-Albania) ishte Mirlinda Karçanaj.
A është përmirësimi një aspekt negativ?
Jo, përkundrazi. Mirëpo, në këtë rast, përmirësimi i këtij portali i ka kushtuar shqiptarëve përafërsisht 17.2 milionë euro ose ndryshe 17.2 miliardë lekë. Një shumë gjigande për një projekt që, të paktën deri më tani, duket se ka ndryshuar kryesisht fasadën vizuale të sistemit dhe jo thelbin e tij. Dhe pikërisht këtu nis problemi më i madh: transparenca mbi mënyrën se si janë shpenzuar këto miliona euro dhe rezultati real që kanë prodhuar.
Sepse shqiptarët e kanë parë edhe më parë këtë skenar. Qeveria e krim-ministrit Edi Rama premton mrekulli edhe pse nuk është në fushatë, AKSHI organizon propagandën mediatike dhe në fund qytetarëve u shitet si sukses një projekt që në thelb rezulton vjedhja e rradhës. Kjo është arsyeja pse rikthimi në qendër të vëmendjes i Mirlinda Karçanajt nuk është aspak rastësi. Ish-drejtoresha e AKSHI-t ka qenë në krye të institucionit pikërisht në periudhën kur janë dhënë dhe menaxhuar këto fonde miliona euro, ndaj çdo “sukses” që Rama tenton të reklamojë sot, mban drejtpërdrejt edhe vulën e saj.
Dhe ironia qëndron tek fakti se e-Albania 2.0 prezantohet si një revolucion teknologjik, ndërkohë që sistemi vazhdon të mbajë mbi supe njollën e një prej skandaleve më të mëdha kibernetike në historinë e shtetit shqiptar. Miliona të dhëna të qytetarëve u ekspozuan nga hakerat iranianë, ndërsa sot e njëjta strukturë politike kërkon të bindë shqiptarët se gjithçka është më moderne vetëm sepse është ndryshuar dizajni i portalit.
Sulmi kibernetik iranian nuk ishte thjesht një incident teknik që kaloi pa pasoja. Ai nxori zbuluar nivelin real të sigurisë së institucioneve shqiptare dhe tregoi se sistemi i shumëreklamuar nga Rama dhe AKSHI ishte në fakt shumë më i brishtë sesa propaganda qeveritare përpiqej ta shiste. Të dhëna personale, paga, dokumente shtetërore, lëvizje dhe informacione sensitive të qytetarëve shqiptarë qarkulluan publikisht në internet, ndërsa qeveria mundohej ta minimizonte situatën me deklarata politike dhe konferenca propagandistike. Në vend që të kishte transparencë dhe përgjegjësi, shqiptarëve iu servir sërish spektakël mediatik.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe për e-Albania 2.0: çfarë ka ndryshuar realisht përtej pamjes grafike? Sepse deri më sot, askush nuk ka dhënë garanci konkrete se siguria e sistemit është ngritur në standarde që mund të mbrojnë të dhënat e qytetarëve nga një tjetër skandal i përmasave ndërkombëtare. Përkundrazi, e gjithë fushata e prezantimit është fokusuar tek “pamja moderne”, tek dizajni i ri dhe tek propaganda e zakonshme e Rilindjes, sikur problemi i vetëm i portalit të kishte qenë estetika dhe jo fakti që miliona të dhëna përfunduan në duart e hakerave.
Në këtë histori nuk mungojnë as figurat e njohura të sistemit, përfshirë edhe të dypunësuarën Diella, e cila prej kohësh është bërë simbol i modelit rilindas ku besnikëria politike shpërblehet më shumë sesa profesionalizmi. Dhe ndërsa të njëjtët emra vazhdojnë të qarkullojnë nëpër projekte milionëshe, shqiptarëve u kërkohet të besojnë se “gjithçka ka ndryshuar”. Në realitet, duket se ka ndryshuar vetëm fasada, ndërsa mënyra e menaxhimit, propaganda dhe mungesa e llogaridhënies mbeten ekzaktësisht të njëjta.
Pyetja mbetet e thjeshtë: a janë 17.2 milionë euro një investim real për sigurinë dhe funksionalitetin e sistemit, apo thjesht një tjetër faturë luksoze propagande për t’i dhënë Edi Ramës disa postime më shumë në rrjetet sociale dhe për të pastruar imazhin e ish-drejtueses së AKSHI-t?

About Redaksia

Check Also

Identiteti nuk merret me leje

Nga Luçiano BOÇI Ka diçka thellësisht absurde në Ballkanin gjoja modern. Sa herë shqiptarët kërkojnë …