Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ka qëndruar sot për rreth 30 minuta në SPAK, në zbatim të masës së saj “detyrim paraqitje”.
Në dalje ajo u përball me gazetarët, të cilët e pyetën për përgjegjësitë e saj në institucionin që ajo drejtonte. Por ish zyrtarja e lartë nuk pranoi të flasë, ndërsa avokatja e saj, teksa shtyu mikrofonat e gazetarëve tha se, “kur të dojë do të flasë”.
Kujtojmë që pak ditë më parë Gjykata e Lartë mori vendimin për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.
E hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë, Karçanaj ndiqet në një gjendje të lirë sigurie.
Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, e cila më 24 mars u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Gazeta RD