Kryetari i PD, Sali Berisha në komentin e tij për ndryshimet mbi Rregulloren e Kuvendit tha se PD nuk do t’i pranojë ato.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha u shpreh se, demokratët nuk do ta pranojnë kurrë delegimin e interpelancave nga kryeministri dhe ministrat.
Sipas Berishës, Rama nuk vjen në Kuvend për interpelancë pasi është sfazuar plotësisht.
Berisha tha se, janë bërë kaq të shumta dosjet e tij, aferat e tij personale dhe familjare, saqë populli kërkon transparencë, nuk mund të vazhdohet duke ikur, duke shkelur Kushtetutën siç bën ai.
Berisha: Sikundër vlerësoj punën që ka bërë grupi i punës, dhe kryetari do u informojë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rregulloren e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, siç e dini, hodhi poshtë aktin e aneksimit të parlamentit nga pseudomazhoranca.
Akt që konsistoi në miratimin e një rregulloreje pa asnjë konsultim paraprak me opozitën në një mënyrë të rrufeshme, në një mënyrë që nuk kishte ndodhur kurrë, në kundërshtim me rregulloren, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues dhe urdhëroi parlamentin që pas 30 ditësh nga zbardhja e vendimit të bëjë të gjitha amendimet e domosdoshme në mënyrë që të respektohet vendimi i saj.
Dhe grupi i punës, siç do ta dëgjoni edhe ju, ka bërë një punë serioze bashkë me të tjerët, të cilët përsëri janë përpjekur në mënyra të ndryshme të ngushtojnë hapësirën e opozitës, por në mënyrë absolute nuk e pranojmë.
Sikundër nuk mund të pranohet asnjë lloj modifikimi, propozimi që bie ndesh me përcaktimin e Kushtetutës.
Dhe tani jemi këtu, të shohim pak edhe përgjegjësinë tonë.
Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri.
Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë.
Nuk vjen, ne marrim vendimet tona.
Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur.
Se nuk paraqitet dot ai, e kuptoni apo jo. Ai është shkatërruar nga nervat dhe çdo gjë. Ai është i sfazuar tani dhe nuk paraqitet për asgjë.
Prandaj dhe ikën, prandaj dhe nuk duket në parlament.
Por ai duhet të paraqitet.
Kështu që do vazhdojnë kërkesat për interpelanca dhe detyrimi i tij është kushtetues për t’u paraqitur në interpelanca.
Janë bërë kaq të shumta dosjet e tij, aferat e tij personale dhe familjare, saqë populli kërkon transparencë.
Nuk mund të vazhdohet duke ikur, duke shkelur Kushtetutën siç bën ai.
Gazeta RD