Mesazhi i fortë Ambasadorit të ri amerikan/ “Amerika më e sigurtë duke luftuar korrupsionin, krimin dhe kartelet në Shqipëri”

E ka vendosur në krye të axhendës së tij. Ambasadori i ri amerikan e renditi luftën ndaj korupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve në Shqipëri si proritet kryesor të axhendës së tij duke deklaruar se “kjo do ta bëjë më të sigurtë Amerikën.

Kandidati i propozuar nga Donald Trump për postin e ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt, prezantoi para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan prioritetet që do të ndjekë nëse konfirmohet në detyrë.

Gjatë dëshmisë së tij, Wendt theksoi se një nga objektivat kryesorë do të jetë mbështetja e Shqipërisë në përballjen me korrupsionin, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikun e drogës, fenomene që sipas tij ndikojnë drejtpërdrejt edhe në sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e cilësoi Shqipërinë si një aleat të rëndësishëm të NATO-s dhe një partner strategjik në rajon.

Kandidati për ambasador prezantoi katër shtyllat kryesore të punës së tij diplomatike në Tiranë.

Sipas tij, fokusi i parë do të jetë rritja e sigurisë përmes mbështetjes ndaj institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe organizatave kriminale transnacionale.

Prioriteti i dytë lidhet me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, përfshirë rritjen e kapaciteteve kibernetike dhe angazhimet në kuadër të NATO-s.

Në aspektin ekonomik, Wendt tha se do të punojë për të nxitur investimet amerikane në Shqipëri, sidomos në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe minierat. Ai nënvizoi se bizneset amerikane duhet të kenë garanci për transparencë dhe trajtim të barabartë në tregun shqiptar.

Një tjetër element që ai përmendi ishte kujdesi për stafin diplomatik dhe funksionimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Në fjalën e tij, Eric Wendt falënderoi administratën amerikane për besimin e dhënë dhe u shpreh se, nëse merr miratimin e Senatit, do të punojë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

“Për më shumë se tridhjetë e katër vjet kam shërbyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ushtar në shërbim aktiv. Ky shërbim përfshiu edhe një detyrë dyvjeçare në Departamentin e Shtetit të SHBA, ku drejtova një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i SHBA për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë pozicion kam funksionuar si pjesë integrale e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, ndërsa raportoja drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Pas daljes në pension nga shërbimi me uniformë, kam pasur fatin të jap mësim për Komandim dhe Lidership në universitetin tim ku jam diplomuar, Naval Postgraduate School në Monterey, Kaliforni. Sot, bashkëshortja ime ndodhet jashtë vendit në Okinawa, Japoni, me dhëndrin tonë, kapiten në Forcat Ajrore të SHBA, dhe me vajzën dhe mbesën tonë, për të ndihmuar në kujdesin e një tjetër mbese të sapolindur. Djali ynë, toger i parë në Ushtrinë Amerikane që shërben si parashutist në Divizionin e 82-të Ajror, është ulur pas meje. Ai dhe bashkëshortja e tij po shërbejnë vendin ndërsa janë të stacionuar në Fort Bragg, Karolina e Veriut. Ne jemi një familje që e do Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer këtij vendi të jashtëzakonshëm.

Si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, trupat shqiptare të operacioneve speciale ishin pjesë e komandës sime. Kam pasur fatin të njoh Shqipërinë vetë gjatë punës me trupat dhe udhëheqjen e tyre të operacioneve speciale. Në Afganistan, kam shërbyer me nder si zëvendëskomandant i një komande rajonale që përfshinte edhe trupa shqiptare. Forcat Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu, dhe vetë populli shqiptar është një popull krenar, punëtor dhe mikpritës.

Nëse konfirmohem si Ambasador në Shqipëri, prioriteti im kryesor do të jetë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane. Pas konfirmimit, me të mbërritur në Shqipëri, do të nis një vlerësim për të zhvilluar më tej një plan vendi që synon ta bëjë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë, duke qenë njëkohësisht me përfitim të ndërsjellë edhe për Shqipërinë.

Partneriteti ynë me Shqipërinë është i bazuar në interesa të përbashkëta dhe në një angazhim për liri dhe siguri. Shqipëria ka një histori të fortë në përmbushjen e prioriteteve tona të përbashkëta dypalëshe dhe globale.

Nëse konfirmohem, në ambasadë do të zbatojmë katër fusha kryesore veprimi. E para do të jetë eksplorimi i mënyrave për ta bërë Amerikën më të sigurt. Shqipëria vazhdon luftën kundër korrupsionit ligjor dhe ekonomik, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelët e Amerikës Latine, sfida që prekin edhe vendin tonë. Mbështetja e përpjekjeve të Shqipërisë në këto fusha do të ndihmojë në rritjen e sigurisë së Amerikës. Prokurorët që shkojnë në SPAK kryejnë vetting të rëndësishëm, edhe poligraf. Ata monitorohen nga SHBA dhe europianët. Kanë trupën e tyre hetimore, BKH-në, prokurorët specialë dhe gjykatat speciale. Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën.

E dyta do të jetë puna për ta bërë Amerikën më të sigurt në kuptimin e mbrojtjes. Këto veprime do të sjellin përfitime edhe për sigurinë shqiptare. Brenda vetëm disa dekadash, Shqipëria është transformuar nga izolimi nën regjimin komunist në një partner kyç të SHBA dhe aleat të NATO-s, si dhe një forcë e besueshme për stabilitetin rajonal dhe global. Do të punoj për të mbështetur progresin e Shqipërisë drejt marrëveshjes së samitit të NATO-s në Hagë 2025 për rritjen e kujdesshme të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, si dhe për forcimin e kapaciteteve kibernetike SHBA–Shqipëri dhe nisma të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.

E treta do të fokusohet në ta bërë Amerikën më të begatë. Këto përpjekje do të sjellin njëkohësisht përfitime edhe për begatinë e Shqipërisë. Nëse konfirmohem, do të promovoj diplomacinë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve tanë. Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe të tjerë në Shqipëri rriten, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të mirëpriten dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë, me transparencë dhe kushte të barabarta ligjore dhe kontraktuale.

E katërta do të jetë fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quaj “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreative që mund të institucionalizohen për t’u kujdesur për pjesën më të vlefshme të ambasadës, njerëzit e saj si në aspektin profesional ashtu edhe personal.

Në përfundim, jam i nderuar që konsiderohem për rolin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Nëse konfirmohem, pres me padurim të bashkëpunoj me anëtarët e këtij Komiteti dhe me partnerët tanë në Shqipëri për arritjen e këtyre qëllimeve të rëndësishme“, u shpreh Eric Wendt.

Gjatë seancës dëgjimore në Senat, Wendt foli edhe për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar disa herë se elementi kryesor për funksionimin e tyre mbetet pavarësia nga politika.

“Për aq kohë sa ata mund të mbeten jopolitikë dhe të pavarur – dhe mendoj se kjo është pika kyçe – kjo do të ndihmojë sigurinë dhe klimën për investime në Shqipëri”, deklaroi ai para senatorëve amerikanë.

Diplomati amerikan nënvizoi se mbështetja e SHBA lidhet me ruajtjen e institucioneve të paprekura politikisht, duke e konsideruar këtë si kusht për besueshmërinë e tyre dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në fjalën e tij, Wendt përmendi edhe bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në hetimet ndaj organizatave kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit mes institucioneve.

 

About Krye Redaktor

Check Also

“Nuk mund të arrestohet Balluku për tenderat”/ Rama merr zyrtarisht në mbrojtje korrupsionin

“Postimmes”- Si e vlerësoni suksesin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, duke pasur parasysh se …