Udhëtimet turistiko-diplomatike të liderit global në kohën e refuzimit evropian

Nga Ndriçim KULLA

“Lideri global”, si një nocion i vetëshpallur në një vend të vogël që endet mes ëndrrës evropiane dhe krizës së vet morale, përbën sot një nga paradokset më të mëdha politike të kohës shqiptare. Në historinë moderne të Shqipërisë ka pasur figura që kanë dashur të duken si shpëtimtarë, si udhëheqës të epokave, si njerëz që mund ta përkthenin fatin kombëtar në një projekt personal pushteti, por rrallëherë është parë një përzierje kaq e madhe midis dëlirit të protagonizmit ndërkombëtar dhe rrënimit të besimit të brendshëm qytetar sa në këtë fazë të re të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Në dukje ai paraqitet si një lider që kërkon të flasë për Evropën, për fatin e saj, për gabimet strategjike të saj ndaj Rusisë siç ndodhi pardje në Estoni, për krizën morale dhe politike që sipas tij po kalon kontinenti i vjetër, por nën këtë retorikë të madhe, që herë merr trajta gjoja filozofike e herë poza të një misionari politik shkujdesur të shekullit XXI, fshihet një dramë shumë më e rëndë dhe shumë më konkrete: drama e një pushtetari autoritarist që nuk po arrin më të bindë shoqërinë e vet për pafajësinë e madhe tragjike të qeverisjes së tij dhe që për këtë arsye ka filluar të kërkojë një skenë më të madhe, një teatër ndërkombëtar ku mund të shpërndajë mjegullën e re të protagonizmit diplomatik.

Në këtë kuptim, sulmet ndaj Evropës në Republikën Baltike nuk duken si reflektime të një burri shteti të shqetësuar për fatin e qytetërimit evropian, por si një zhvendosje psikologjike e krizës së tij të brendshme të një karagjozi, drejt një krize më të madhe gjeopolitike të hamëmdësuar në vërtetësinë e saj. Sepse kur një lider fillon të flasë më shumë për gabimet e kontinentit sesa për plagët e tmerrshme të vendit të tij, atëherë zakonisht kemi hyrë në fazën ku pushteti nuk kërkon më zgjidhje, por justifikime historike.

Ky është edhe momenti pastër, kur figura e “liderit global” fillon të marrë trajta donkishoteske. Ai shfaqet nëpër Evropë si një udhëtar politik që kërkon të japë këshilla babai për rendin ndërkombëtar, ndërkohë që vendi i tij i vogël fare dhe i rraskapitur vazhdon të mbetet nën hijen e akuzave të rënda për korrupsion, lidhje kriminale, kapje të institucioneve dhe deformim të mekanizmave të drejtësisë. Këtu lind kontradikta më tragjike e gjithë kësaj historie: një pushtet që nuk arrin të bindë dot qytetarin shqiptar për transparencën e vet, përpiqet të bindë Evropën për moralin e saj strategjik.

Në thelb, ky nuk është më vetëm një problem etik dhe politik, por është një problem i natyrës morale të pushtetit. Sepse pushteti, kur zgjatet përtej kufirit të vet normal demokratik, fillon gradualisht të humbasë aftësinë për vetëkontroll. Ai krijon një iluzion të rrezikshëm se vetë ekzistenca e tij është e barabartë me fatin e shtetit.

Dhe kur kjo ndodh, lideri global nuk e sheh më veten si administrator të përkohshëm të republikës, por si figurë providenciale pa të cilën kombi nuk mund të mbijetojë. Kjo është arsyeja pse retorika e tij merr herë pas here tone profetike, herë estetike e herë paternaliste, sikur Evropa të kishte nevojë për këshillat e një lideri arkaik ballkanik që ende nuk ka zgjidhur krizën morale të administrimit të vendit të vet.

Në këtë pikë, raporti me drejtësinë bëhet thelbësor. Sepse e gjithë historia thelbësore e integrimit evropian nuk lidhet vetëm me rrugë, fasada, samite apo fotografi diplomatike, por mbi të gjitha me ndërtimin e një sistemi ku pushteti kufizohet nga ligji. Dhe pikërisht këtu lind konflikti më i madh midis Evropës reale dhe “Evropës propagandistike” të liderit global. Njëra kërkon institucione të forta dhe të pavarura; tjetra kërkon kontroll mbi ritmin, drejtimin dhe kufijtë e drejtësisë.

Për vite me radhë u krijua ideja se reforma në drejtësi ishte një revolucion historik që do ta çlironte vendin nga pandëshkueshmëria, por gradualisht opinioni publik filloi të shohë se drejtësia nuk po ecte me të njëjtin ritëm në të gjitha drejtimet. Ajo herë-herë jepte përshtypjen e një mekanizmi që godiste aty ku lejohej të godiste dhe ndalonte aty ku fillonte zona e interesit politik të pushtetit. Kjo krijoi bindjen se drejtësia e re rrezikonte të mos bëhej drejtësi republikane, por drejtësi e menaxhuar.

Dhe këtu fillon frika e vërtetë e liderit global. Jo frika nga opozita, jo frika nga mediat, por frika nga një drejtësi që një ditë mund të mos kontrollohet më nga ekuilibrat e pushtetit. Për këtë arsye ai mundohet ta mbajë gjithmonë debatin në një dimension tjetër: herë te Evropa, herë te Rusia, herë te gjeopolitika, herë te moderniteti, herë te lufta kundër populizmit. Është një teknikë klasike e pushteteve të gjata: ta zhvendosin vëmendjen nga problemi konkret drejt një skene më të madhe ideologjike.

Por Evropa nuk është më ajo e viteve të para të tranzicionit shqiptar, kur retorika mjaftonte për të krijuar iluzione politike. Evropa e sotme është më skeptike, më e lodhur nga propaganda dhe më e kujdesshme ndaj liderëve si lideri global , që ndërtojnë kultin e vet personal nën petkun e integrimit evropian. Prandaj edhe deklaratat e tij ndaj Brukselit tingëllojnë gjithnjë e më shumë si shenja nervozizmi politik sesa si analiza strategjike.

Në fakt, kur ai kritikon Evropën për mënyrën si është sjellë ndaj Rusisë, aty nuk fshihet vetëm një mendim diplomatik; aty fshihet edhe tentativa për të treguar se ai është një lider “mbi provincën”, një figurë që mendon për kontinentin dhe jo vetëm për Shqipërinë. Mirëpo ky rol bëhet sa qesharak aq dhe tragjik kur bie ndesh me realitetin e brendshëm të një vendi ku qytetarët vazhdojnë të ikin masivisht, ku besimi te shteti mbetet zero dhe ku korrupsioni perceptohet si pjesë organike e sistemit.

Në këtë aspekt, figura e liderit global ngjan gjithnjë e më shumë me personazhet kadareane që jetojnë brenda madhështisë së vet imagjinare ndërkohë që realiteti përreth fillon të shembet në heshtje. Ai flet si njeri i historisë, por historia nuk shkruhet nga fjalimet për Evropën, ajo shkruhet nga raporti që një lider ndërton me të vërtetën, me drejtësinë dhe me kufijtë moralë të pushtetit të vet.

Tragjedia më e madhe e pushtetit të gjatë është se ai fillon ta ngatërrojë mbijetesën politike me fatin kombëtar. Në këtë fazë lideri nuk pranon më kritikë reale, nuk pranon më kufizim institucional dhe as reflektim të brendshëm. Ai kërkon vetëm alibi. Dhe alibia e “liderit global” është pikërisht tentativa për ta zëvendësuar krizën e legjitimitetit të brendshëm me një aureolë ndërkombëtare.

Historia evropiane ka treguar se sa herë një lider fillon të flasë më shumë për rolin e vet historik se sa për llogaridhënien demokratike, aty fillon edhe dekadenca morale e pushtetit. Fillimisht vjen dëliri i protagonizmit, pastaj izolimi psikologjik, më pas nervozizmi ndaj kritikës dhe në fund përpjekja për ta identifikuar shtetin me vetveten. Ky është momenti më i rrezikshëm për çdo republikë, sepse republika jeton nga kufizimi i pushtetit, ndërsa lideri global kërkon zgjerimin e pafund të vetes.

Ndaj problemi nuk është nëse Evropa gaboi apo jo në raport me Rusinë. Problemi i vërtetë është pse kryeministri shqiptar ndjen nevojën të shfaqet si gjykatës i fatit të Evropës në një kohë kur Shqipëria ende nuk ka arritur të bindë qytetarët e vet se drejtësia është e lirë nga frika dhe politika. Kjo kontradiktë e bën gjithë këtë retorikë të tingëllojë jo si vizion, por si arratisje nga realiteti.

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Mazhoranca e Ramës këto 10 vite bllokoi integrimin e Shqipërisë!

Propozimi më i fundit i Gjermanisë për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në …