Nga Sali BERISHA
-I përbaltur për nismat e tij pro-ruse, Rama, në vetëmbrojtje, vuan tani nga sindroma e mohimit (denial)-
Edi Rama është kthyer në një lloj barsolete me mashtrimet e tij publike, kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe realisht nuk ia vlen të ndalesh në serinë e tyre të pafundme. Megjithatë, unë do të ndalem vetëm në njërën prej tyre, e cila tashmë tek ai është kthyer në sindromë.
Bëhet fjalë për mashtrimin e tij të përsëritur sa herë që i jep këshilla Europës për Rusinë në konferenca ndërkombëtare, sipas të cilit Shqipëria dhe Rusia, që nga vitet ’60 – koha e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike nga diktatori Hoxha me Bashkimin Sovjetik e deri më sot, pra në 66 vite – nuk kanë shkëmbyer asnjë vizitë të zyrtarëve të tyre.
Marrëdhëniet shqiptaro-ruse janë çështje e historianëve. Ato, në tërësi, janë përcaktuar nga ambicia shekullore e Rusisë për Ballkanin dhe daljen e saj në ujërat e Adriatikut. Kjo ambicie ka paracaktuar edhe qëndrimet e saj ndaj shqiptarëve. Për çudi, Rusia ishte një nga dy fuqitë e mëdha të kohës që firmosi në Budapest, me Austro-Hungarinë, në vitet 1870 (në kohën e Krizës Lindore), një marrëveshje për krijimin e shtetit shqiptar; një firmë që u fshi pa u tharë ende boja.
Që nga ajo kohë e deri më sot, me përjashtim të vitit të qeverisë së Fan Nolit dhe 15 viteve pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhat e tjera qëndrimet e Rusisë kanë qenë, në tërësi, kundër vetë ekzistencës së shtetit shqiptar. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kremlini ishte pro gllabërimit të Shqipërisë nga Jugosllavia, ashtu siç përgjatë dekadave të fundit ka qenë skajshmërisht kundër shtetit të pavarur të Kosovës.
Në vitin 1960, Enver Hoxha, pas një periudhe vasaliteti, i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Por, pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në vitin 1990 e në vazhdim, krejt ndryshe nga mohimet e Edi Ramës, midis dy vendeve ka pasur shkëmbime vizitash të niveleve më të larta.
Moska dhe Tirana kanë pritur dhe përcjellë presidentë (madje Alfred Moisiu është dekoruar nga Putini), kryetarë dhe nënkryetarë parlamentesh, si dhe kryeministra – ndër ta edhe vetë Edi Ramën, i shoqëruar nga Baton Haxhia. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, vizitoi Tiranën në vitin 2004, ku edhe firmosi Traktatin e Miqësisë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë përfshirë edhe fusha të tjera. Unë kam pasur rastin të pres në Tiranë poetin e njohur rus Jevgeni Jeftushenko. Rama vetë ka pritur në Tiranë Patriarkun Kiril (ish-pjesëtar i KGB-së), dhe pas shpërthimit të skandalit “McGonigal”, doli në dritë se oligarku rus Oleg Deripaska operonte në Shqipëri me shtatë kompani, në bashkëpunim me oligarkët e Ramës.
Pse atëherë ky mashtrim i përsëritur nga Rama për “zero marrëdhënie” të Tiranës me Moskën në 66 vitet e fundit? Çfarë e detyron këtë njeri të shpërfaqet si kloun edhe në audienca ndërkombëtare, të poshtërojë veten duke përsëritur si i rokanisur kaq shpesh mashtrimin, mohimin e tij banal?
Ai nuk vuan nga amnezia retrograde (në këtë rast selektive). Nuk besoj as se ky mohim mund të lidhet me faktin se, sipas dokumenteve zyrtare të firmosura nga ish-zëvendësi i Nexhmije Hoxhës, Kristaq Rama, babai i tij, Rama ka një vëlla në Moskë për të cilin nuk flet kurrë.
Shkaku i këtij mashtrimi të përsëritur, të shndërruar tashmë në sindromën e mohimit (denial), sa herë që ai këshillon Europën për Rusinë, qëndron para së gjithash në çiftimin e Edi Ramës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiçin, si dy nismëtarë kryesorë të projekteve dhe nismave të strukturuara për garantimin e influencës ruse në rajon. I pari, vetëkuptohet, për llogari të Serbisë së Madhe – projekt i përbashkët serbo-rus – kurse i dyti për llogari të padronit të tij.
Le t’i analizojmë shkurtimisht këto nisma:
1 – Ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës
Edi Rama, fill pas ardhjes së tij në pushtet, u bë pjesë e projektit të Vuçiçit për “shkëmbim territoresh” (de facto ndarje e Kosovës), i firmosur dhe vulosur nga Fondacioni Soros në Beograd. Ky ishte, në të vërtetë, projekti i Sllobodan Millosheviçit i viteve ’90 për Serbinë e Madhe, i dërguar disa herë me ndërmjetës edhe në zyrën time, por i refuzuar prerazi nga pala shqiptare.
Rama dhe Vuçiç pretendonin hapur se projekti do të miratohej edhe nga Putini, sikur të ishin zëdhënës të tij ose të kishin komunikim të fshehtë me Kremlinin.
2 – Ballkani i Hapur
Pas dështimit të projektit të “Serbisë së Madhe”, Rama dhe Vuçiç themeluan në Novi Sad (2019) “Minishengenin Ballkanik”, i pagëzuar më vonë si “Ballkani i Hapur”. Ky projekt kthente de facto hegjemoninë politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon dhe, për rrjedhojë, edhe atë të Rusisë.
Kjo nismë, që i kundërvihej hapur Procesit të Berlinit, mbështetej fuqishëm nga Kremlini. Në qershor të vitit 2022, një ditë pas anulimit të vizitës së Lavrovit në Beograd për shkak të bllokimit të hapësirës ajrore nga vendet anëtare të NATO-s, vetë Lavrovi deklaroi se qëllimi i vizitës ishte konsolidimi i bashkëpunimit strategjik me Serbinë dhe mbështetja për “Ballkanin e Hapur”, që sipas tij ishte krejt tjetër nga Ballkani i mbyllur i Brukselit dhe NATO-s.
Pas ndërhyrjes së prerë dhe ultimative të BE-së, kjo nismë u asgjësua dhe Rama u detyrua të bënte një kthesë të fortë, duke anuluar papritmas, në korrik të vitit 2023, takimin e trojkës në Durrës.
3 – Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën
Edhe pas dështimit me Ballkanin e Hapur, dyshja Rama-Vuçiç nuk hoqi dorë nga agjenda e tyre e përbashkët pro-ruse.
Në një shërbesë të hapur ndaj Rusisë, ata dolën me tezën e thirrjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën, me qëllimin e vetëm që Rusia të rikthehej zyrtarisht si faktor i dorës së parë në Ballkan.
Këtë kërkesë e përsëritën të dy në sinkron, dy orë pas aktit terrorist në Banjskë të Serbisë. Kjo linte të nënkuptohej se ai akt agresioni, i neutralizuar me sukses nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës, ishte ndërmarrë pikërisht për të krijuar një destabilizim të gjerë që do të detyronte ndërhyrjen e një formati ndërkombëtar ku Rusia do të kishte karrige.
4 – Qëndrimi i Beogradit ndaj sanksioneve kundër Rusisë
Agresioni rus ndaj Ukrainës ekspozoi qartë binomin Vuçiç-Rama si dy asete me influencë, madje edhe të regjistruara, të Kremlinit në Ballkan.
Në këtë kuadër, presidenti i Serbisë refuzoi të zbatonte sanksionet e BE-së dhe NATO-s ndaj Rusisë dhe e shndërroi Serbinë, “Rusinë e Vogël”, në një prapavijë të fuqishme të Rusisë në zemër të Europës. Ndërkaq, vasali i tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u bë menjëherë avokati kryesor i këtij qëndrimi dhe i kësaj prapavije.
Ai shfrytëzoi privilegjin e të qenit kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s për të mbrojtur hapur në samitet e Aleancës dhe të BE-së interesat ruse në rajon. Hoqi çdo maskë dhe doli haptas në mbështetje të vendimit të padronit të tij Vuçiç për moszbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Rama insistonte se Beogradit nuk duhej t’i kërkohej zbatimi i sanksioneve ndaj “big brother”-it dhe se presioni ndaj tij për këtë çështje ishte “gabim”. Pasi NATO dhe BE i nxorën Beogradit “kartonin e kuq” për moszbatimin e sanksioneve, patroni dhe argati heshtën.
Së fundmi, në një shfaqje të re të rolit të tij si sharlatan global, Edi Rama guxon të sulmojë Europën në Estoni pse nuk po flet me “Vladimir Vladimiroviçin”, duke iu drejtuar Putinit me një afri të tillë gjuhësore, sikur ky të ishte ndonjë zyrtar i administratës ruse.
Si përfundim, mund të themi se Edi Rama, pasi ekspozohet si mbrojtës i interesave serbo-ruse në rajon, nxiton të vendosë maskën e mohimit qesharak, duke shpikur histori me “zero marrëdhënie 66-vjeçare” midis Tiranës dhe Moskës.
Kështu që ky nuk është thjesht një mashtrim ordiner; është një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur gjurmët e një agjende pro-ruse që ka dëmtuar rëndë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, madje edhe interesat euroatlantike, në shërbim të ambicieve gjeopolitike të Beogradit dhe Moskës në rajon.
Gazeta RD