Kongresmenët amerikanë, tur në rajon, Shqipëria jashtë axhendës

Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të qëndrojnë sot në Serbi, ku do të vizitojnë edhe Luginën e Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare.

Ata do të priten nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, prej ku nesër do të shkojnë edhe në Preshevë.

Kryetarja e kësaj komune në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në profilin e saj në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”.

“Një moment historik për Luginën”, sipas saj.

Sinani tha më vonë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se para kongresistëve synon t’i theksojë disa nga problemet kryesore me të cilat përballet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës.

“Para së gjithash, bëhet fjalë për përfaqësimin e pamjaftueshëm institucional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështjen e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës, zhvillimin e pabarabartë ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe shpërnguljen e vazhdueshme të të rinjve”, tha Sinani.

Ajo shtoi se gjithashtu do të shtjellohet edhe nevoja e zbatimit të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura më herët, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështja e bllokimit të mjeteve financiare të autoriteteve kosovare për mbështetjen e popullsisë shqiptare në Luginë.

“Në veçanti do të hapim edhe çështjen e paralajmëruar të vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe shqetësimin e qytetarëve në Luginën e Preshevës lidhur me këtë çështje, si dhe nevojën që të gjitha proceset të zhvillohen me besim të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, theksoi Sinani.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje, në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Një ditë më herët, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Atje diskutuan për “mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Përmes një postimi në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.

About Krye Redaktor

Check Also

Marrëveshja SHBA-Iran “95% e përfunduar”, por jo gati për nënshkrim

Alex RAUFOGLU Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja dhe Irani janë më …