Imuniteti i Ballukut/ Ambasadori gjerman: Lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, kusht i panegociueshëm!

Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare të ditës së sotme me Shqipërinë në Bruksel, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta është një kusht i panegociueshëm.

Ambasadori konfirmoi edhe njëherë se raporti IBAR është miratuar si një inkurajim për vazhdimin e reformave.

Më pas ai përmend çështjen e heqjes së imuniteteve.

“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias,” shkruan ambasadori.

Kujtojmë se Edi Rama bllokoi integrimin për shkak të imunitetit të Belinda Ballukut.

Ndërkohë, kushtet për Shqipërinë janë shtuar pas rishikimit të raportit IBAR.

DEKLARATA E PLOTË

“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e „Fundamentals“përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.

Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.

Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”.

About Redaksia

Check Also

Media e Brukselit: Asnjë kapitull nuk mbyllet pa përmbushur kushtet për demokracinë dhe sundimin e ligjit

EUROPEAN WESTERN BALKANS Konferenca e tetë Ndërqeveritare (IGC) mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të …