Hollanda, tjetër reagim të fortë ndaj Ramës/ “Pushteti te japë llogari…”

Tjetër shuplakë publike e Holandës ndaj Ramës.

Pas miratimit të raportit IBAR, ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, artikuloi një tjetër mesazh të ashpër ndaj mënyrës se si funksionon pushteti në vend, duke theksuar se Bashkimi Europian kërkon standarde reale demokratike dhe jo vetëm reforma në letër.

Në një tryezë të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen Institucionale, Vos deklaroi se themeli i BE-së është besimi tek institucionet dhe aftësia e tyre për të funksionuar pa ndikim politik.

“Bashkimi Europian është ndërtuar mbi besimin; besim tek institucionet që të funksionojnë në mënyrë të pavarur; besim që pushteti jep llogari, besim që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë; besim që qytetarët kanë zë të qenësishëm në jetën publike. Ndaj grup-kapitulli i parë, Themeloret, ka rëndësi kaq shumë dhe është në thelb të procesit të negociatave. Prandaj dhe roli i Parlamentit është absolutisht qëndror; kriteri i parë për anëtarësimin është të keni një parlament të mirë. Mbikëqyrja parlamentare nuk është një pengesë për qeverisje efektive. Përkundrazi e përmirëson qeverisjen”, deklaroi ambasadori holandez.

Diplomati i Hagës ironizoi edhe mënyrën teknike me të cilën shpesh paraqitet procesi i integrimit, duke lënë të kuptohet se Shqipëria nuk mund të bindë BE-në vetëm me prodhim ligjesh.

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e legjislacionit. Nuk është thjesht një ushtrim teknik për përkthimin e direktivave në ligjin shqiptar. Nëse do të ishte kështu, procesi ndoshta mund të përfundohej nga një sistem shumë inteligjent i inteligjencës artificiale dhe disa juristë të lodhur duke pirë shumë kafe natën vonë.

Sfida e vërtetë është kultura institucionale. Bashkimi Europian, në fund të fundit, ndërtohet mbi besimin: besimin që institucionet funksionojnë në mënyrë të pavarur, besimin që pushteti mban përgjegjësi, besimin që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë dhe besimin që qytetarët kanë një zë kuptimplotë në jetën publike”, u shpreh Vos.

About Krye Redaktor

Check Also

“EUobserver” i bën gjyqin Ramës/ “Drejton një regjim të korruptuar, njëpartiak dhe jo demokratik…”

EUobserver Në vitin 2003, Bashkimi Europian u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor se një ditë …