Fjala e Enri Çeno, Departamenti i Marrëdheniëve Ndërkombëtare
Të nderuar kryetar i Partisë Demokratike, doktor Berisha, të nderuar miq ndërkombëtarë, të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar, të dashur demokratë. Kam nderin që sot, në emër të grupit të punës për diasporën, të paraqes përpara jush platformën politike dhe organizative për diasporën shqiptare. Një dokument strategjik që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, moderne dhe të qëndrueshme ndërmjet Partisë Demokratike dhe qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë jashtë vendit.
Kjo platformë nuk është thjesht një dokument organizativ. Ajo është një vizion politik për të ardhmen. Për herë të parë, ne propozojmë që diaspora shqiptare të mos shihet vetëm si një rezervuar votash apo si një faktor elektoral në periudha zgjedhore, por si një partner i përhershëm politik, kombëtar dhe zhvillimor i Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.
Sot, diaspora shqiptare përfaqëson një nga asetet më të mëdha të kombit shqiptar. Ajo përbën një kapital të jashtëzakonshëm ekonomik, intelektual, profesional dhe njerëzor, të ndërtuar me punë, sakrificë dhe sukses në vendet më të zhvilluara të botës. Për dekada me radhë, diaspora ka mbështetur familjet shqiptare, ka kontribuar në ekonominë kombëtare, ka promovuar interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe ka ruajtur identitetin tonë kombëtar larg atdheut.
Megjithatë, duhet të pranojmë me përgjegjësi se as shteti shqiptar dhe as partitë politike nuk kanë arritur të përfshijnë diasporën në nivelin që ajo meriton. Shpeshherë kemi kërkuar mbështetjen e saj, por jo gjithmonë kemi krijuar hapësirat e nevojshme që ajo të bëhet pjesë e vendimmarrjes. Sot kjo duhet të ndryshojë.
Të nderuar delegatë, miratimi i së drejtës së votës për diasporën ka krijuar një realitet të ri politik për Shqipërinë. Qindra mijëra shqiptarë jashtë vendit do të kenë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në drejtimin politik të vendit. Kjo do të thotë se marrëdhënia midis partive politike dhe diasporës nuk mund të jetë më sporadike, formale dhe sezonale. Ajo duhet të jetë institucionale, profesionale dhe afatgjatë.
Pikërisht mbi këtë realitet të ri kemi ndërtuar platformën tonë. Një platformë që mbështetet në dy shtylla kryesore: së pari, organizimi politik dhe elektoral i Partisë Demokratike në diasporë; së dyti, ndërtimi i një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit shqiptar dhe diasporës shqiptare në funksion të zhvillimit të vendit.
Të nderuar demokratë, në pjesën organizative të platformës propozojmë krijimin e Këshillit Kombëtar të Diasporës si organi më i lartë koordinues, këshillues dhe organizativ i Partisë Demokratike për shqiptarët jashtë vendit. Propozojmë ngritjen e degëve dhe strukturave të përhershme në të gjitha shtetet ku jetojnë komunitete të rëndësishme shqiptare, duke filluar nga Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Belgjika, Franca, Austria, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe vendet nordike.
Ne synojmë të ndërtojmë një rrjet global politik dhe organizativ të Partisë Demokratike, të aftë të përfshijë, mobilizojë dhe përfaqësojë shqiptarët kudo që jetojnë. Propozojmë gjithashtu krijimin e rrjeteve të grave demokrate në diasporë, aktivizimin e të rinjve, integrimin e elitës profesionale shqiptare jashtë vendit dhe ndërtimin e një sistemi modern komunikimi dhe koordinimi ndërkombëtar.
Një objektiv i rëndësishëm i platformës është krijimi i databazës më moderne organizative dhe elektorale të diasporës shqiptare, duke ndërtuar për herë të parë një rrjet të qëndrueshëm komunikimi dhe bashkëpunimi me votuesit shqiptarë jashtë vendit.
Por, të nderuar delegatë, organizimi nuk mjafton pa përfaqësimin. Nëse duam që diaspora të ndihet pjesë reale e Partisë Demokratike, ajo duhet të ketë vend në tryezat ku merren vendimet. Për këtë arsye, krahas ndryshimeve statutore të propozuara në platformë, grupi i punës propozon një hap historik për Partinë Demokratike.
Ne propozojmë që diaspora shqiptare të ketë një kuotë të garantuar deri në 15% të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Ky nuk është privilegj. Kjo është njohje e rolit, kontributit dhe potencialit që diaspora ka për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.
Prandaj, propozojmë që në statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet se deri në 15% e vendeve të strukturave drejtuese të partisë rezervohen për përfaqësues të diasporës. Kjo kuotë do të zbatohet në Këshillin Kombëtar, forumet drejtuese, komisionet dhe strukturat e tjera qendrore. Kandidatët e diasporës të propozohen nga strukturat e partisë jashtë vendit dhe nga Këshilli Kombëtar i Diasporës. Të krijohen mekanizma statutore që të garantojnë respektimin dhe zbatimin efektiv të kësaj kuote.
Por ne besojmë se përfaqësimi nuk duhet të ndalet vetëm brenda strukturës së partisë. Përfaqësimi duhet të shtrihet edhe në institucionet e vendimmarrjes publike. Për këtë arsye, propozojmë që diaspora shqiptare të përfaqësohet në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, në përputhje me frymën e platformës sonë dhe me peshën reale që ajo përfaqëson në jetën politike dhe kombëtare të vendit.
Ne besojmë gjithashtu se përfaqësuesit e diasporës duhet të kenë mundësi të kontribuojnë jo vetëm në nivel parlamentar, por edhe në nivel të qeverisjes vendore dhe në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik.
Të dashur demokratë, kjo nuk është vetëm çështje numrash, kjo është çështje e filozofisë politike. Partia Demokratike duhet të jetë partia që bashkon shqiptarët kudo që jetojnë. Duhet të jetë partia që sheh tek diaspora jo vetëm votuesin, por edhe drejtuesin, ekspertin, sipërmarrësin, profesorin, mjekun, të riun dhe aktivistin që mund të kontribuojë në vendimmarrjen tonë.
Ne duhet ta shohim diasporën shqiptare si një fuqi ekonomike, intelektuale, kombëtare dhe tashmë edhe elektorale. Ambicia jonë është që Partia Demokratike të jetë forca e parë politike në Shqipëri që institucionalizon diasporën jo vetëm si elektorat, por si pjesë organike e strukturës, vendimmarrjes dhe vizionit të saj politik.
Nëse vitet që kaluan ishin vitet e emigrimit shqiptar, vitet që do të vijnë duhet të jenë vitet e bashkimit të potencialit shqiptar kudo që jetojnë shqiptarët. Kjo platformë është hapi i parë për të kthyer diasporën nga një forcë që ndihmon shqiptarët nga larg, në një forcë që merr pjesë drejtpërdrejt në ndërtimin e të ardhmes së saj.
Ne besojmë se ka ardhur koha që shqiptarët jashtë vendit të mos jenë vetëm pjesë e fushatave tona, por pjesë e institucioneve tona politike. Ka ardhur koha që diaspora të mos jetë thjesht një mbështetëse e Partisë Demokratike, por një nga shtyllat e saj kryesore.
Prandaj ju ftoj që këtë platformë ta miratojmë. Jo vetëm si një dokument organizativ, por si një kontratë të re politike mes Partisë Demokratike dhe diasporës shqiptare. Një kontratë që garanton organizim, një kontratë që garanton përfaqësim, një kontratë që garanton partneritet, një kontratë që garanton se zëri i shqiptarëve jashtë vendit do të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Dhe mbi të gjitha, një kontratë që garanton se diaspora shqiptare do të jetë një nga shtyllat kryesore të fitores së Partisë Demokratike, të forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të Shqipërisë në vitet që do të vijnë.
Ju faleminderit!
Gazeta RD