Vokshi: Ripërtëritja e PD nis nga gratë, është rikthim te vlerat, guximi dhe shërbimi ndaj qytetarëve

Fjala e deputetes së PD, Albana Vokshi:

I nderuar Kryetari i PD z. Sali Berisha
Të dashur delegatë të Kuvendit Kombëtar
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Mes shumë çështjesh që doja të ndaja me ju sot, mendova që ajo që vlen më shumë se kurrë, është Slogani i këtij Kuvendi:
Kuvendi i Ripërtëritjes!
Pas rrëzimit vjen mbijetesa.
Pas mbijetesës vjen ringritja.
Dhe pas ringritjes vjen ripërtëritja.
Ky është edhe cikli i Partisë Demokratike. Një cikël që nuk ndalet. Një histori që nuk mbaron. Një forcë që kurrë nuk dorëzohet.
Por ripërtëritja nuk është thjesht ndryshim njerëzish, emrash. Nuk është vetëm largimi i disa anëtarëve dhe ardhja e disa të tjerëve.
Ripërtëritja është, mbi të gjitha, rikthim tek vetja jonë. Të rinj në Parti apo në moshë.
Rikthim tek vlerat që na bënë të lindim.
Tek idealet që na mbajtën gjallë.
Tek besimi se politika mund të jetë ende një mision dhe jo një biznes.
Në një kohë kur politika shpesh shihet si mjet përfitimi personal, kur pushteti përdoret për të blerë vota, ndikim, presione, intimidime, shantazhe, Partia Demokratike duhet të jetë dëshmia se ky vend nuk mund të qeveriset më gjatë nga e keqja.
Sepse ne besojmë se Shqipëria meriton më shumë.
Ripërtëritja është të ruash vlerat në një kohë kur shumë njerëz kanë pushuar së besuari tek vlerat.
Është të qëndrosh i drejtë kur të tjerët përkulen.
Është të mbrosh dinjitetin kur pushteti përpiqet ta blejë atë.
Sepse pushteti mund të të joshë.
Mund të të kërcënojë.
Mund të përpiqet të të përdorë.
Por ka një gjë që nuk mund ta blejë kurrë: bindjen e lirë të një njeriu që beson tek vlerat e tij.
Prandaj ne jemi ende këtu. Jo sepse kemi zgjedhur rrugën më të lehtë. Përkundrazi!
Por sepse kemi zgjedhur të qëndrojmë.
Kanë provuar gjithçka me ne.
Na kanë joshur
Na kanë sulmuar.
Na kanë përjashtuar.
Na kanë goditur.
Na kanë persekutuar
Na kanë arrestuar
Kanë menduar se do të dorëzoheshim.
Nuk ja dolën!
Ne zgjodhëm qëndresën!
Pa u viktimizuar.
Ne zgjodhëm guximin!
Partia Demokratike lindi nga guximi i njerëzve që sfiduan një nga diktaturat më të egra të Europës. Dhe nuk ka ripërtëritje pa guxim. Nuk ka të ardhme për ata që kanë frikë të mbrojnë të vërtetën.
Zgjodhëm dinjitetin.
Kur pushteti mendon se gjithçka dhe gjithkush e ka një çmim, dëshmuam se ka njerëz dhe bindje që nuk blihen. Siç kjo sallë e dëshmon sot.
Ne zgjodhëm bashkimin.
Gëlltitëm shumë brenga personale, hatër mbetje, mërzi, për hir të një Partie Demokratike më të madhe, më të hapur, më të bashkuar, më të fortë. PD nuk mund e nuk duhet të jetë një bashkim interesash apo axhendash personale. Njerëz që presin pas gardhit ‘si një masë amorfe’ për t’u aktivizuar ‘kur të jetë momenti’.
Nëse Partinë e duam më të fortë, e fituese, ajo duhet të jetë një familje politike që gjen forcë tek njëri-tjetri, që mbështet njëri-tjetrin në ditët e vështira dhe që bashkohet përballë çdo sfide.
Ne zgjodhëm shërbimin.
Sepse politika në opozitë, sidomos në Shqipëri, nuk është privilegj. Është Sakrificë. Nuk është pushtet. Nuk është përfitim. Është shërbim ndaj qytetarëve. Shërbim ndaj familjeve shqiptare. Shërbim ndaj Shqipërisë.
Prandaj unë Ripërtëritjen nuk e shoh thjesht çështje brezash.
Por rikthimin e këtyre pesë vlerave që e kanë mbajtur gjallë Partinë Demokratike që nga dita e parë: qëndresa, guximi, dinjiteti, solidariteti dhe shërbimi.
Jemi goditur shumë herë.
Jemi rrëzuar po aq herë.
Por sa herë jemi rrëzuar, aq herë jemi ringritur.
Partia Demokratike ka kaluar izolim politik, sulme, padrejtësi, zhgënjime dhe mungesë besimi.
Megjithatë, sa herë që shpresa dukej se venitej, ne kemi gjetur forcën për t’u ngritur përsëri – më të fortë.
Ashtu si Anteu, që fitonte forcë sa herë prekte tokën, edhe ne kemi gjetur forcë sa herë jemi kthyer tek demokratët, tek vlerat tona dhe tek besimi tek njëri-tjetri.
Aty rigjenerohemi.
Aty ripërtërihemi.
Partia Demokratike lindi nga idealizmi dhe sakrifica.
Dhe sfida jonë sot është të rikthejmë pikërisht këtë idealizëm në jetën politike shqiptare.
Të rikthejmë besimin tek familja.
Tek tradita.
Tek puna.
Tek liria.
Tek meritokracia.
Kjo është diferenca jonë me qeverisjen e Edi Ramës.
Për ta, politika është pushtet.
Për ne, politika është shërbim.
Për ta, rëndësi ka bindja ndaj pushtetit.
Për ne, rëndësi ka besnikëria ndaj vlerave.
Për ta, pushteti mbahet me frikë.
Për ne, mbështetja fitohet me liri, besim, dinjitet.
Por ripërtëritja nuk është vetëm e brendshme.
Ajo është edhe rikthim i besueshmërisë sonë tek aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pak vite më parë Partia Demokratike kaloi një nga periudhat më të vështira të historisë së saj. Sot ne jemi sërish pjesë aktive e familjes së madhe europiane dhe ndërkombëtare të qendrës së djathtë.
Sot kemi rikthyer dialogun, bashkëpunimin dhe respektin me partnerët tanë ndërkombëtarë. 8 rezoluta, deklarata, përshëndetje, takime, konferenca, Dhe kjo është dëshmi se kur qëndron besnik ndaj vlerave, edhe besimi rikthehet.
Dhe tani dua të ndalem tek një dimension thelbësor i kësaj ripërtëritjeje.
Gratë.
A mund të ketë ripërtëritje pa gratë? Jo.
Ashtu si jeta, edhe shoqëritë zhvillohen, përparojnë kur gratë dhe burrat ecin bashkë.Historia na mëson se nuk ka pasur asnjë shoqëri që është modernizuar, zhvilluar apo forcuar duke lënë gratë pas.
Sa më e madhe pjesëmarrja e grave profesioniste, të mençura, të ndershme, të forta, aq më e fortë bëhet shoqëria.
Por ndryshe nga partia shtet, për Partinë Demokratike gratë nuk janë thjesht numra, statistika, nuk janë dekor politik.
Nuk janë thjeshte kuotë e nuk duhet parë si e tillë.Ato janë forcë.
Janë energji.
Janë lidership.
Janë e ardhmja.
Prandaj jam mirënjohëse për mbështetjen e rritjes së kuotës për gratë në 40% në forumet drejtuese Kryetarit të PDSH z. Berisha, Grupit të Punës për ndryshimet statutore, Kryesisë dhe këtij kuvendi.
Por kuota s duhet të mbetet në letër, por mbi 40% e emrave fitues në listën e Këshillit Kombëtar duhet të jenë gra.
Dhe jam e bindur se ripërtëritja e PD-së do të bëhet me gratë dhe prej grave.
Të dashur miq,
Ripërtëritja nuk është një slogan.
Është një premtim.
Premtimi se do të mbrojmë vlerat tona.
Premtimi se do të mësojmë nga gabimet tona.
Premtimi se do të ngrihemi pas çdo goditjeje.
Premtimi se nuk do të heqim dorë nga Shqipëria.
Sepse Partia Demokratike ka bërë gjënë më të vështirë: ka mbijetuar.
Dhe kush mbijeton, mund të ringrihet.
Kush ringrihet, mund të ripërtërihet.
Dhe kush ripërtërihet, mund të fitojë.
Prandaj sot nuk jemi mbledhur thjesht për të kujtuar të shkuarën.
Jemi mbledhur për të ndërtuar të ardhmen.
Me besim.
Me kurajë.
Me dinjitet.
Me bashkim.
Për një Parti Demokratike më të fortë.
Për një Shqipëri më të lirë.
Për një fitore që nuk do të jetë vetëm e Partisë Demokratike, por e çdo shqiptari që beson se ky vend meriton më shumë.
Dhe unë besoj fort se ajo ditë do të vijë.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Pano: Stop ideologjisë gjinore në shkolla, të rikthehemi tek familja, besimi dhe kombi

Fjala e Jonathan Pano Të nderuar demokratë, të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar, miq e …