Aleksandër Xhufi: Beteja e PD-së nuk është një betejë për pushtet, është betejë për Shqipërinë

I nderuar profesor doktor Sali Berisha, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, të nderuar deputetë dhe të nderuar demokratë dhe demokrate.
Sot Shqipëria ndodhet në një situatë shumë të vështirë, pothuajse të tmerrshme. Mjerimi moral, etik, politik dhe ekonomik po e sundon vendin në çdo aspekt të tij. Partia Socialiste dhe qeverisja e Edi Ramës nuk po cenojnë vetëm jetën demokratike të këtij vendi, por po cenojnë vetë ekzistencën e popullit shqiptar.
Sistemi i patronazhistëve dhe blerja masive e shqiptarëve, propaganda dhe gënjeshtrat janë bërë norma e kësaj qeverie. Dhe Partia Demokratike duhet të veprojë sa më shpejt dhe duhet të kuptojë diçka shumë të rëndësishme: që ne nuk jemi lëvizje, ne jemi parti. Dhe ne nuk jemi diçka estetike, ne jemi esencë. Partia Demokratike duhet të kuptojë që nuk është thjesht një parti e djathtë. Ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë e djathta shqiptare.
Partia Demokratike është e përjetshme në historinë shqiptare sepse të përjetshme janë vlerat e saj. Vlerën e besës, vlerën e nderit, vlerën e sakrificës dhe punës, vlerën e familjes tradicionale. Dhe nuk hyhet në Europë duke u lëpirë ambasadorëve, nuk hyhet në Europë duke e zhytur këtë vend në nihilizëm, nuk hyhet në Europë me gjysmën e qeverisë në burg dhe gjysmën tjetër nën hetim nga SPAK-u. Në Europë hyhet si shqiptar, me punë, me përkushtim, me kulturën dhe me traditën tonë. Dhe nëse dikujt prej këtyre trëndafilave apo petaleve socialistë nuk i pëlqen fakti që martesa është midis një burri dhe një gruaje, dhe familja është themeli dhe bërthama e shoqërisë sonë, atëherë ju them këtyre: shporruni, ikni, zhdukuni, se as shqiptarë nuk jeni!
Dhe pikërisht këto janë shtyllat e Partisë Demokratike sepse këto janë shtyllat e historisë shqiptare, janë shtyllat e trashëgimisë shqiptare, janë shtyllat e identitetit tonë. Dhe për këtë arsye, Partia Demokratike duhet të shndërrohet nga një parti opozitare e cila, për fat të keq, është mësuar me humbje, në një parti shpresë, në një parti që e di se çfarë përfaqëson. Në një parti që nuk lufton vetëm nëpër studio televizive apo në Instagram e Facebook, por lufton në shesh, qytet më qytet, fshat më fshat, aty ku shqiptarët kanë nevojë për ta.
Për fat të keq, ende ne kemi një parti në pushtet e cila u themelua nga Mugosha dhe Popoviçi, nën urdhrat e Titos. Një parti e cila sot ka në krye Edi Ramën, që është një njeri që nuk përfaqëson asgjë. Një njeri pa dinjitet, pa rrënjë, pa trashëgimi. Një njeri i cili një ditë thotë jam vlonjat, një ditë jam tirons, një ditë jam durrsak, as ai e di vetë çfarë ishte Ilir Meta. Një njeri që zgjohet katolik, një njeri që bëhet ortodoks në drekë, dhe në darkë kur takohet me Rexhep Taip Erdoganin bëhet dhe lider mysliman. Tani, fatmirësisht, të birin e bëri hebre kur vajti në vizitë në Izrael, kështu që i kemi përfaqësuar të gjitha fetë në Shqipëri, se ne i kemi respektuar gjithnjë si traditë.
Po si mund të kem respekt unë ndaj një modeli të tillë politik?
Një model i cili nuk është përjashtim, është modeli më i pastër i Partisë së Punës dhe Partisë Socialiste. Një model i njeriut pa rrënjë, pa histori, pa identitet, pa trashëgimi. Një model internacionalist, bolshevik dhe pa rrënjë. Dhe për këtë arsye, Partia Demokratike duhet të kuptojë diçka tjetër. Që, po, mund të pranojmë gabimet tona në historinë tonë, ama krahasimi midis dy forcave politike në këtë vend është i pamundur. Nga njëra anë është Partia Demokratike e cila anëtarësoi Shqipërinë në NATO, e cila liberalizoi vizat, dhe krijoi atë sistem demokratik dhe pluralist që Edi Rama kërkon të shkatërrojë, të poshtërojë sot. Dhe ne jemi ajo parti e cila e ka kuptuar se cili është problemi në këtë vend. Sepse partia që kemi përballë është ajo parti e të bijve dhe atyre personave që na kanë persekutuar dhe na kanë poshtëruar.
Prandaj beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, është një betejë për Shqipërinë, është një betejë për shqiptarët, është një betejë për liri dhe për demokraci. Dhe siç thoshin të parët tanë, Shqipëria shqiptarëve, vdekje tradhtarëve! Ju faleminderit, Zoti ju bekoftë, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

About Redaksia

Check Also

Pano: Stop ideologjisë gjinore në shkolla, të rikthehemi tek familja, besimi dhe kombi

Fjala e Jonathan Pano Të nderuar demokratë, të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar, miq e …