Fjala e deputetes së PD, Greta Bardeli
I nderuar zoti profesor doktor Sali Berisha, kryetar i opozitës, i Partisë Demokratike. Të nderuar delegatë, demokratë e demokrate. Partia Demokratike nuk duhet të shihet thjesht si forca që kundërshton qeverinë e sotme. Partia Demokratike duhet të shihet si forca politike që ka reflektuar mbi rrugëtimin e saj, që ka mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe që ka dëgjuar me respekt edhe ato qytetarë që në periudha të caktuara janë ndjerë të zhgënjyer nga ne.
Ne nuk kërkojmë thjesht një mundësi të re për të qeverisur, ne kërkojmë të rifitojmë diçka më të rëndësishme se pushteti: besimin. Besimin e të gjithë atyre që kanë qëndruar gjithnjë me ne, besimin e atyre që u larguan të zhgënjyer, dhe besimin e atyre që ende nuk janë bindur se politika mund të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo qytetari në shërbim të politikës.
Vetëm një forcë që ka guximin të përballet me të kaluarën mund të udhëheqë me përgjegjësi të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të ndërtojmë një besëlidhje të re mes shtetit dhe qytetarëve. Një marrëdhënie të bazuar mbi besimin, përgjegjësinë dhe respektin e ndërsjellë. Ne nuk duam një shtet që kërkon të bindë, ne duam një shtet që fiton besim. Një shtet që nuk imponon frikën por krijon mundësi.
Një shtet që nuk shpërblen klientët por meritën. Një shtet që nuk i shërben të fortëve por u garanton drejtësi të gjithëve. Ne e dimë se demokracia shqiptare nuk ka qenë gjithmonë e përsosur, edhe ne kur kemi pasur përgjegjësinë e qeverisjes kemi bërë zgjedhje që sot i gjykojmë ndryshe nga përvoja dhe maturia që sjell koha. Por pikërisht ky është dallimi mes një force politike që mëson dhe një force politike që përsërit gabimet.
Prandaj Shqipëria ka nevojë për institucione ku integriteti, profesionalizmi dhe shërbimi ndaj interesit publik të jenë kritere që hapin dyert e administratës dhe të drejtimit publik. Ka nevojë për një administratë që nuk ndryshon sipas partisë që fiton zgjedhjet, ka nevojë për një ekonomi ku sipërmarrësi i ndershëm, fermeri, profesionisti dhe shtresa e mesme të ndihen të mbrojtur dhe jo të penalizuar. Ka nevojë për institucione që mbrojnë ligjin dhe jo pushtetin. Gjatë këtyre viteve, ndërsa kemi ushtruar rolin tonë si opozitë, kemi forcuar ndërgjegjen tonë politike për të përfaqësuar jo vetëm demokratët por interesin kombëtar. Kemi mbrojtur dinjitetin e Shqipërisë, orientimin e saj euroatlantik dhe rrugën drejt Bashkimit Europian, sepse Bashkimi Europian nuk është thjesht destinacioni jonë politik, është përgjigjja që shqiptarët i dhanë izolimit, varfërisë dhe diktaturës.
Është vendi ku i përkasin vlerat tona, aspiratat tona dhe e ardhmja jonë si komb. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se kush do të marrë përsipër përgjegjësinë për të qeverisur nesër dhe përgjigjja duhet të jetë e qartë: ka me qenë Partia Demokratike së bashku me çdo shqiptar të ndershëm, profesionist, patriot dhe të përgjegjshëm që është i gatshëm të kontribuojë për vendin e vet. Sepse ne nuk synojmë thjesht të fitojmë zgjedhjet, politika nuk matet nga zgjedhjet që fiton, politika matet nga vendi që lë pas.
Dhe ne duam që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shqipëri më të drejtë, më të fortë, më të begatë nga ajo që trashëguam vetë. Ne kemi një përgjegjësi fisnike dhe historike ndaj kujtesës së Shqipërisë. Ndaj atyre që sakrifikuan lirinë, jetën, familjen dhe të ardhmen e tyre për të mbrojtur dinjitetin njerëzor në kohët më të errëta të diktaturës. Kjo nuk është thjesht një çështje kompensimi apo rehabilitimi, kjo është një çështje e ndërgjegjes kombëtare. Një komb që harron ata që sakrifikuan për lirinë rrezikon të humbasë kuptimin e vetë lirisë. Sakrifica e tyre është gdhëndur në ndërgjegjen tonë kolektive dhe mbetet pjesë e pandashme e identitetit demokratik të Shqipërisë dhe detyra jonë është që ta përcjellim këtë trashëgimi tek brezat e rinj, jo si një urrejtje por si dije. Jo si ndarje por si mësim, sepse kombet e forta nuk ndërtohen duke harruar gabimet e tyre por duke mësuar prej tyre.
Vetëm kështu sigurojmë që gabimet politike që dobësuan shtetin dhe hapën rrugën për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe deformimin e interesit kombëtar të mos përsëriten më. Sot ne shprehim respektin tonë për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit shqiptar. Ndër ta, doktor Sali Berisha mbetet një figurë e rëndësishme e historisë politike shqiptare.
Kontributi i tij është pjesë e historisë sonë, të demokracisë sonë. Por detyra jonë sot është që historinë ta kthejmë në përgjegjësi për të ardhmen. Brezi jonë duhet të ketë guximin të mendojë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, me identitet të fortë kombëtar, me ekonomi konkurruese dhe me institucione që gëzojnë respektin e qytetarëve. Duhet të kemi guximin të ndërtojmë një shtet modern që përdor inteligjencën artificiale, administratën digjitale dhe teknologjinë si mjete në shërbim të njeriut. Sepse progresi nuk matet nga sa teknologji përdorim, por nga sa mirë ajo i shërben qytetarëve tanë.
Çdo reformë duhet të ruajë dimensionin njerëzor, të jetë në harmoni me nevojat reale të shoqërisë dhe të mos bjerë pre e sloganeve apo metodave të përkohshme politike. Brezi jonë nuk ka të drejtë të mendojë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, ne duhet të mendojmë për Shqipërinë e dekadave që vijnë më pas. Për Shqipërinë që do t’u lëmë fëmijëve tanë, për Shqipërinë që do të trashëgojnë brezat që vijnë pas nesh, sepse në fund pyetja më e rëndësishme nuk është se kush do të qeverisë Shqipërinë nesër.
Pyetja më e rëndësishme është: çfarë Shqipërie do të lëmë ne pas? Një Shqipëri të lodhur me konflikt, korrupsion dhe mosbesim? Apo një Shqipëri të fortë, europiane, të drejtë dhe të bashkuar? Kjo është zgjedhja e brezit tonë dhe kjo është përgjigjja jonë. Zoti e bekoftë Shkodrën, gjithë shkodranët kudo janë dhe mbarë shqiptarët dhe demokratët. Ju faleminderit.
Gazeta RD