Çapja: Misioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë vendin ku rinia qëndron!

Fjala e Klodiana Çapja,
deputete e PD

Të nderuar delegatë,
Të dashur demokratë,
Unë jam Klodiana Çapja dhe kam nderin të jem deputetja më e re në moshë në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.
Vij nga Elbasani.
Nga qyteti i dijes, i urtësisë dhe i qytetarisë shqiptare.
Nga një qytet që i ka dhënë këtij vendi mësues, intelektualë, patriotë dhe njerëz që kanë besuar se Shqipëria ndërtohet, para së gjithash, përmes arsimit, kulturës dhe vlerave.
Por sot, edhe Elbasani, si shumë qytete të tjera, ndjen plagën e largimit.
Edhe atje ka familje që përcjellin fëmijët në emigrim me lot në sy.
Ajo që kam marrë mbi supe nuk është çështje moshe. Është përgjegjësi.
Sepse sot përfaqësoj jo vetëm demokratët që na kanë qëndruar pranë në ditët më të vështira, por edhe një brez të tërë të rinjsh që kërkon të dëgjohet dhe të përfshihet.
Sepse, për fat të keq, plagët më të mëdha që kemi sot nuk janë vetëm politike.
Janë njerëzore.
Janë kombëtare.
Shqipëria po zbrazet.
Çdo ditë ikin të rinj.
Mbyllen shkolla.
Boshatisen qytete e fshatra.
Dhe më e dhimbshmja është se po rrezikojmë të mësohemi me këtë tragjedi, sikur të ishte normalitet.
Por jo.
Nuk është normale që vendi ynë të humbasë të ardhmen e tij.
Të rinjtë nuk po ikin sepse nuk e duan Shqipërinë. Ata largohen sepse kërkojnë arsim më cilësor, sepse e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune dinjitoz dhe sepse blerja e një shtëpie është kthyer në një objektiv thuajse të paarritshëm.
Dhe pikërisht këtu nis përgjegjësia jonë.
Programi ynë politik e ka vendosur rininë dhe familjen në qendër. Sepse misioni ynë nuk është thjesht të fitojmë zgjedhje. Misioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë vendin ku bashkëmoshatarët e mi duan të jetojnë, të punojnë, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Një Shqipëri ku rrugët të kenë sërish zë.
Ku shkollat të mbushen përsëri me nxënës.
Ku fjala “ikje” të mos jetë më projekti kryesor i jetës së një të riu.
Të dashur demokratë,
E di që shumë prej nesh janë të lodhur, sepse kjo parti ka kaluar beteja të vështira. Ka kaluar sulme, përçarje, sakrifica dhe zhgënjime.
Por pikërisht në ditët e vështira matet forca e një familjeje politike.
Dhe unë besoj fort se Partia Demokratike nuk mbahet në këmbë nga karriget, por nga njerëzit. Nga ju. Nga demokratët e ndershëm që nuk u larguan edhe kur ishte më e lehtë të heshtje apo të ikje.
Prandaj sot, ripërtëritja nuk duhet të mbetet vetëm slogani i këtij Kuvendi.
Nëse duam që rinia të besojë tek ne, duhet të kemi guximin të hapemi, të mbështesim kontributorët, t’u japim hapësirë figurave të reja dhe t’i japim zë energjisë së njerëzve që nuk lodhen në çdo fushatë, që nuk shfaqen vetëm në ditë fitoreje, por që kanë qëndruar këtu në çdo stuhi.
Miq demokratë,
Sot kemi nevojë për më shumë bashkim. Të jemi më pranë njerëzve, më pranë halleve të tyre, me përulësi dhe pa arrogancë, më pranë Shqipërisë reale.
Unë nuk flas nga kjo foltore për të thënë se kam të gjitha përgjigjet. Por vij me bindjen se qytetarët shqiptarë, dhe demokratët në veçanti, meritojnë më shumë zë dhe më shumë punë konkrete për ta.
Ta bëjmë këtë për Partinë Demokratike.
Por mbi të gjitha, ta bëjmë të gjithë bashkë për Shqipërinë.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Kryeprokurori italian, Nicola Gratteri: Kullat e Tiranës, pastrimi i parave të mafies!

Bumi i ndërtimeve dhe ngritja e pandalshme e kullave në Tiranë kanë ngritur prej kohësh …