Nga Bislim AHMETAJ

Qoftë edhe i vetëm, dil dhe protesto kundër një qeverie që, sipas bindjes tënde, vjedh, grabit, mashtron dhe bën pazare me tokat, pasuritë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka rëndësi kush e thërret protestën; rëndësi ka që ajo të kërkojë dhe t’i qëndrojë pa kushte kërkesës për dorëheqjen e qeverisë që ti e konsideron më të korruptuarën në historinë e vendit.

Nëse në protestë sheh një kundërshtar ideologjik apo politik, mos i ndrysho bindjet e tua dhe mos hiq dorë nga parimet e tua. Thjesht bashko forcat dhe numrat për të çliruar vendin nga një pushtet që nuk njeh as ideologji e as parime.

Nëse dikush pranë teje flet greqisht apo italisht, mos e paragjyko. Ai ose ajo po flet gjuhën e ëndrrës europiane që shumë shqiptarë kanë ndjekur prej dekadash.
Mos e shih si armik, por si aleat, që të pret të bashkohesh me familjen europiane me dinjitet, shtet ligjor dhe institucione të forta, jo me propagandë, korrupsion apo retorikë boshe nacionaliste.

Mund të dëgjosh pranë teje edhe gjuhën “nashke”, siç e quajnë në Shkodër gjuhën që flasin malazezët.
Mos e paragjyko as atë.
Mali i Zi është ndër vendet më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ka bërë përpara në rrugën e integrimit.
Ec me ritmin e vendeve që kanë ditur të përparojnë, duke ndërtuar institucione më të forta dhe duke kufizuar pushtetin e korruptuar.

Të gjithë duhet të protestojmë sot, nesër dhe çdo ditë, pa paragjykime e pa ndasi, derisa të arrihen objektivat politike që kërkon protesta gjithë popullore:

Dorëheqja e qeverisë.

Krijimi i një qeverie teknike.

Zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pranuara ndërkombëtarisht.