Këto ditë Edi Rama po shfaqet si një fantazmë…

Nga Balil GJINI

Këto ditë Edi Rama po shfaqet si një fantazmë e shartuar midis profetit Moisi dhe Enver Hoxhës. Herë ngrë gishtin tregues si i pari, për të treguar tokën e premtuar, vendin ku rrjedh mjaltë e qumësht, në këtë rast Evropën, dhe herë po atë gisht e tund kërcënues si i dyti, bash si një degë ferri gjithë gjëmba pikërues, duke folur për rrezikun e jashtëm. Veç një fantazmë e shartuar s’ka si të mos jetë e shëmtuar
Ka mbaruar koha kur ai shfaqej si një Karpus arrogant veshur me pizhama vija-vija para pjeprushes Meloni. Jo. Këto ditë po shfaqet si ngastra pjellore patriotike, ku mund të hidhen për t’u mbjellë vetë këto farëra të zeza Karpuzi. Si të gjithë diktatorët edhe ai e ka mbajtur vendin në një gjendje aktualiteti të vazhdueshëm. S’ka teatër, kinema, spitale… S’ka as të shkuar, as të ardhme, as ura që i lidhin ato me njëra-tjetrën. E vetmja urë është trapi i trupit të tij.
Të gjithë ata që rrëshqasin në rrukullimën e fajeve, edhe ai mundohet që të mbahet pas trungjeve, ose degëve, të drurëve që kanë mbirë në këtë rrukullimë: parimeve të demokracisë. Por,ajme, se këto degë parimesh, rezultojnë veçse kërcenj perimesh.Ai flet për turizmin elitar, por guaskave të Jonit (Dhërmiut, Jalës, Drimadhës etj) ua ka vjedhur perlat. I ka lënë gërmadhë, si vende në luftë. E ka mbushur vendin me zingjinë dhe Zengjine.
S’pyet askënd. Është Mali që vret me hijen e vet. Në këtë hije rriten veç barëra helmues. Kur ia do puna iu drejtohesh ca pleqve të currufjepsur, skrape të vjetër, që, ngaqë s’e kanë bërë vaksinën kundër komunizmit, i gëlltitin llokmat e mëdha të propagandës pa salcë e rigon përsipër, që kullojnë ende gjak të freskët. Ka rritur numrin e nevojtarëve, sepse, sipas tij, çdo nevojtar është njëkohësisht edhe nevojtore…
Ky vend ishte i vogël sa një shoshë. Po ra dëborë qeveria mund t’i zërë të gjithë njerëzit si harabela me një të ficur të shoshës. Duhet vetëm pak dashamirësi për t’a qeverisur. Por, jo, Edi Rama është kameleoni i strukur mes gjetheve, njerëzit i duken si milingona dhe, në ia dashtë rasti, është gati të lëshojë mbi ta gjuhën e gjatë për t’i përfshirë me një gëlltitje.
Për t’i vajtur punët më mirë ai ka marrë një grusht mel dhe ua hedh fajkonjve dhe pëllumbave që i rrit në kuvlitë e oborrit të tij mbretëror: gazetarë e prapagandostë të blerë fare badiava.
Gjatë këtyre ditëve dora e Ramës është ngritur lart, gjithë devotshmëri mesianike, ka synuar të bëhet çadra e atdheut për ta mbrojtur atë nga shiu, por edhe nga vapa. Trupi i tij është bërë lis me gjithë degë, ku grigja e lumtur duhet të gjejë hijen e Bariut. Ndaj kur të tjerët i kërkojnë dorëheqjen ai thërret si Neroni: oh, çfarë artisti do të humbasë bota!
Këto ditë Rama është bërë si një fantazmë e shartuar: një fantazmë gjysmë profetike, gjysmë diktatoriale. Një specie e rrallë. Dhe këto specie nuk janë specat e pafajshme. Ato kanë veç një fat: të futen të vazo qelqi dhe të ruhen në muzeun arkeologjik si përçudnime.

About Redaksia

Check Also

Mos e bëni protestën parcela-parcela!

Nga Agim XHAFKA Protestat e këtyre ditëve ma kanë bërë zemrën mal. Ngaqë janë masive dhe …