Hyqmet Zane/ “Rrugëtimi i Rilindjes së Zezë”, një libër kritik ndaj qeverisjes së majtë

Këto ditë doli nga shtypi libri “Rrugëtimi i “Rilindjes së Zezë” i publicistit të njohur, Hyqmet Zane. Në këtë libër publicistik autori ka përmbledhur shkrime të botuara në kohë të ndryshme gjatë këtyre viteve të qeverisë së “Rilindjes”.
Në këtë libër, autori ka mbledhur shkrime të botuara nëpër gazeta të ndryshme si, “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Koha Jonë”, “Standard”, “Telegraf”, “Nacional” dhe SOT”.
Hyqmet Zane në rrugëtimin e tij të gjatë në shtypin shqiptar ka ndërtuar profilin e një autori që nuk rri në hije, nuk fshihet dhe nuk qëndron neutral. Ai shkruan për të thënë atë që mendon e aspak për të zbutur atë që duhet thënë.
Në shkrimet e tij ndihet qartë një temperament opozitar, kundërshtues ndaj abuzimit, ndaj arrogancës së pushtetit, ndaj korrupsionit, ndaj heshtjes dhe ndaj propagandës që kërkon të veshë të keqen me kostum feste. Ai e sheh politikën si përgjegjësi morale dhe jo si lojë interesash. Prandaj fjala e tij shpesh është e mprehtë, goditëse, herë-herë e ashpër, por gjithmonë e vendosur.
I lidhur fort me Çamërinë e tij, me qytetarinë dhe me shqetësimet publike, Zane ka qenë për dekada një vëzhgues i drejtpërdrejtë i jetës politike dhe shoqërore. Publicistika e tij nuk është laborator akademik me doreza të bardha. Është publicistikë beteje, e lindur nga përplasja me realitetin, nga indinjata, nga kujtesa dhe nga refuzimi për t’u pajtuar me deformimin e së vërtetës.
Profesori Luçiano Boçi shkruan në parathënien e librit se, Hyqmet Zane i përket brezit të publicistëve që besojnë se shtypi nuk është vetëm pasqyrë e ditës, por edhe arkiv i ndërgjegjes. Shkrimet e tij, të shpërndara në vite, marrin sot vlerën e një kronike politike dhe qytetare. Ato ruajnë gjurmët e debateve, plagëve, zhgënjimeve dhe betejave të një Shqipërie që shpesh ka ecur përpara duke u penguar tek të njëjtët gurë të vjetër që janë pushteti i pakontrolluar, abuzivizmi korruptiv dhe kufizimi i lirisë.
Boshti i këtij libri është kritika ndaj asaj që autori e quan “Rilindja e zezë”. Kjo nuk është vetëm një metaforë politike. Është emërtimi i një zhgënjimi të madh publik, i një periudhe ku premtimi për rilindje, u shndërrua në errësim institucional, moral dhe kombëtar. Në këtë kuptim, libri nuk synon të jetë i butë. Ai është polemik, i drejtpërdrejtë, shpesh i ashpër. Por edhe vetë koha për të cilën shkruan nuk ka qenë dhe nuk është e butë.
Në këtë libër, lexuesi mund të ndjekë se si është ndërtuar, hap pas hapi, një qëndrim kritik ndaj qeverisjes, ndaj mënyrës së përdorimit të pushtetit dhe ndaj përpjekjes për ta paraqitur propagandën si të vërtetë.

Libra të botuar nga Hyqmet Zane

About Redaksia

Check Also

Prezantimi i librit “Luleborë”, Mustafaj: Shqipëria vuan nga propaganda e konfliktit mes brezave

Një libër manifest i ri politik me titull “Luleborë” u promovua sot  në prani të …