Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit gjatë seancës plenare, deputeti i PD, Besart Xhaferri, u shpreh se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës po mbahet peng nga shteti dhe Policia e Shtetit, duke rrezikuar jo vetëm investimin strategjik, por edhe ekonominë e të gjithë rajonit.
Ai theksoi se qeveria ka refuzuar të japë llogari në Kuvend, duke e justifikuar bllokimin thjesht si një “mosmarrëveshje tregtare mes ortakësh”. Xhaferri shtoi se ndërhyrja e institucioneve shtetërore ka penguar investitorin kryesor të administrojë pronën e tij, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që i rivendosi të drejtat.
Xhaferri: Sot po marr fjalën për një çështje që ministri vendosi të mos e lejojë të diskutohet në këtë sallë. Kërkova një interpelancë urgjente me të për situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Kërkova që ministri të vinte para Kuvendit dhe t’u jepte përgjigje qytetarëve shqiptarë. Por përgjigjja që mora ishte refuzimi.
Arsyeja, sipas ministrisë, është se kjo qenka thjesht një mosmarrëveshje tregtare mes ortakësh dhe se diskutimi i saj mund të ndikojë në proceset gjyqësore në zhvillim.
Të nderuar kolegë, nëse kjo është vetëm një mosmarrëveshje private mes ortakësh, atëherë kam disa pyetje shumë të thjeshta.
Pse është përfshirë Ministria e Infrastrukturës? Pse është përfshirë Policia e Shtetit? Pse flitet për ndërprerje të një kontrate koncesionare? Pse po rrezikohet funksionimi i një aeroporti ndërkombëtar? Pse po rrezikohet ekonomia e një rajoni të tërë? Dhe, mbi të gjitha, pse po rrezikon Shqipëria të përballet me arbitrazh ndërkombëtar?
Sepse këto nuk janë karakteristika të një konflikti privat. Këto janë karakteristika të një problemi që prek drejtpërdrejt interesin publik dhe interesin kombëtar.
Dua të jem shumë i qartë. Unë nuk kërkova nga ministri të komentojë vendimet e gjykatave. Nuk kërkova të ndërhyj në drejtësi. Nuk kërkova të ndikoj proceset gjyqësore. Kërkova vetëm llogari. Kërkova të dijë publiku pse aeroporti nuk po operon. Pse vazhdon bllokimi? Çfarë ka bërë Ministria për të zgjidhur situatën? Çfarë ka bërë Policia e Shtetit? Sa është kostoja ekonomike e kësaj situate? Dhe sa është rreziku që nesër shqiptarët të përballen me një faturë të rëndë arbitrazhi?
Këto nuk janë pyetje për gjykatat. Këto janë pyetje për qeverinë. Dhe fakti që qeveria refuzon t’u përgjigjet është, në vetvete, alarmues.
Sepse Aeroporti i Vlorës nuk është një kompani e zakonshme. Nuk është një biznes i zakonshëm. Nuk është një konflikt i zakonshëm. Është një nga investimet më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë.
Për vite me radhë, shqiptarëve u është thënë se ky aeroport do të transformojë ekonominë e jugut. Do të sjellë turistë. Do të sjellë investime. Do të sjellë vende pune. Do të sjellë zhvillim. Dhe mijëra njerëz i besuan këtyre premtimeve.
Hotelierët investuan, operatorët turistikë investuan, restorantet investuan, familjet investuan, sipërmarrësit morën kredi, u ndërtuan hotele, u ndërtuan resorte, u ndërtuan struktura turistike. Dhe të gjitha këto investime u bënë mbi një pritshmëri të vetme: që Aeroporti i Vlorës do të hapej; që Aeroporti i Vlorës do të sillte më shumë turistë; që Aeroporti i Vlorës do të rriste ekonominë e rajonit.
Por sot aeroporti nuk operon. Sot aeroporti është i bllokuar. Dhe çdo ditë vonesë ka një kosto reale: më pak turistë, më pak prenotime, më pak të ardhura, më pak investime, më pak vende pune.
Dhe ky është dëmi i parë që po i shkaktohet ekonomisë shqiptare.
Por, fatkeqësisht, nuk është dëmi më i madh. Dëmi më i madh mund të vijë nesër nga arbitrazhi ndërkombëtar.
Dhe këtu dua të ndalem te një fakt që askush nuk po e diskuton.
Sot po flasim për një kompani që, sipas dokumenteve publike, zotëron 98% të kuotave të shoqërisë. Një kompani që ka financuar projektin, një kompani që ka garantuar kreditë, një kompani që ka mbajtur barrën kryesore financiare të aeroportit dhe një kompani që është penguar të administrojë investimin e saj.
Dhe absurdi bëhet edhe më i madh kur kupton se, edhe në skenarin më të pafavorshëm për këtë kompani, sipas pretendimeve që janë bërë në procese të ndryshme gjyqësore, ajo do të mbetej përsëri aksioneri kontrollues i aeroportit me 51%, pra shumicën absolute të kuotave.
Prandaj, pyetja që lind natyrshëm është: Kush përfiton nga ky bllokim? Kush përfiton që aeroporti të mos përfundojë? Dhe kush përfiton që aeroporti të mos operojë? Kush përfiton që investitori kryesor të mos ushtrojë të drejtat e tij?
Sepse ajo që po ndodh nuk është normale.
Kjo kompani u pengua, me praninë dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, të vazhdonte punimet. E njëjta polici që bëri sehir kur qytetari u mor zvarrë në Zvërnec. U pengua të hynte në kantier. U pengua të përfundonte aeroportin. U pengua të administronte investimin e saj.
Dhe sot, edhe pasi ekziston një vendim i Gjykatës së Lartë që ka rivendosur të drejtat e votës së aksionarit mazhoritar, situata vazhdon të mbetet e bllokuar.
Përsëri kemi pengesa, përsëri kemi mosveprim, përsëri kemi vonesa dhe përsëri kemi një aeroport që nuk operon.
Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse kjo çështje nuk mund të trajtohet si një konflikt privat.
Sepse kur një investitor nuk lejohet të administrojë investimin e tij, kur një aeroport mbahet peng për muaj të tërë, kur vendimet e gjykatave nuk prodhojnë efektet që duhet të prodhojnë dhe kur policia bëhet faktor në një konflikt që duhet të zgjidhet me ligj dhe jo me forcë, atëherë kemi një problem shumë më të madh se një mosmarrëveshje tregtare.
Kemi një problem të shtetit të së drejtës, kemi problem të sigurisë juridike, kemi problem të klimës së investimeve.
Sepse çfarë mesazhi po i japim sot botës? Çfarë mesazhi po i japim investitorëve të huaj? Çfarë mesazhi po i japim sipërmarrësve shqiptarë?
Mesazhi që po japim është ky: Edhe nëse financon projektin, edhe nëse mban barrën financiare, edhe nëse zotëron shumicën dërrmuese të aksioneve, edhe nëse fiton në Gjykatën e Lartë, prapë mund të mos lejohesh të administrosh investimin tënd.
Nëse ky është mesazhi që po jep Shqipëria sot, atëherë dëmi më i madh nuk do të jetë vetëm arbitrazhi.
Dëmi më i madh është humbja e besimit.
Sepse kapitali mund të humbasë para dhe t’i fitojë përsëri. Por besimi i investitorëve, kur humbet, kërkon vite për t’u rikthyer. Dhe tani vijmë te arbitrazhi.
Qeveria po sillet sikur ky rrezik nuk ekziston.
Gazeta RD