Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Partia Demokratike mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, ftoj çdo demokrat dhe mbështetës që t’i bashkohet asaj.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha tha se, kjo protestë është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Berisha: Jam këtu për të shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme të PD-së për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Protestë, e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive dhe persistente sa kjo.
Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokrate e demokrat, mbështetëse dhe mbështetës të PD, të bashkohen në protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës, protestë kjo që tejkalon kufinjtë e forcave politike.
Por, që kërkon me vendosmëri fundin e regjimit autokratik të Edi Ramës.
Kërkon anulimin e një seri ligjesh për të cilat deputetët e PD në parlamentin e Shqipërisë kanë votuar kundër në komisione dhe në seancë plenare.
I kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese dhe ligje që vijnë në kundërshtim me direktivat e BE edhe në Gjykatë Kushtetuese.
Pra, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës i PD, por edhe çdo qytetar i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, ka motivet më të fuqishme për të mbështetur këtë protestë, e cila ka marrë krahas përmasave të uraganit në rrugët dhe sheshet e Tiranës, përmasa të papara botërore.
Është bërë lajm dhe superlajm i të gjitha agjencive, televizioneve, medieve më të mëdha të botës.
Gazeta RD