Një qytetare shqiptare e ardhur nga Gjermania ka elektrizuar protestën e fundit me një fjalim të fuqishëm. Ajo vinte nga qyteti i Mynihut ku punon si inxhiniere ndërtimi. Gjatë fjalës së saj ajo ka drejtuar një seri thirrjesh të forta për bashkim mbarëkombëtar kundër qeverisë.
Në fjalën e saj, e reja iu drejtua fillimisht prindërve shqiptarë, duke u kërkuar atyre që t’u bashkohen të rinjve në shesh, pavarësisht nëse fëmijët e tyre ndodhen në emigrim apo në Shqipëri. Ajo theksoi se kjo është një betejë që nuk duhet braktisur.
Inxhinierja e ardhur nga Gjermania: Përshëndetje populli më i bukur në botë. Unë jam Sara dhe vij nga Mynihu dhe doja vetëm të bëja një thirrje. Mendoj që arsyet pse njerëzit janë në shesh janë të shumta, por thirrja ime kryesisht, ose fillimisht i drejtohet të gjithë prindërve shqiptarë. Të gjithë ju nëna dhe baballarë, që fëmijët i keni jashtë ashtu si prindërit e mi, bashkohuni me ne në shesh për fëmijët e juaj! Të gjithë ju prindër që fëmijët i keni këtu, mos i braktisni fëmijët tuaj në këtë betejë. Ejani me ne në shesh, bashkohuni me ne!
Thirrja ime tjetër është për biznesin e vogël dhe biznesin e mesëm, të cilët punojnë dhe mundohen të mbijetojnë në një sistem ku rregullat e lojës nuk janë bërë për ta, por janë bërë për oligarkët dhe bizneset afër pushtetit. Ju lutem, ulni qepenat dhe bashkohuni me ne në shesh!
Thirrja ime tjetër është për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të cilët poshtërohen, kërcënohen, presionohen me lista sa herë ka votime, protesta, mitingje dhe anti-protesta si ajo protesta, anti-protesta e turpit dje. Bashkohuni me ne! Lëreni frikën mënjanë dhe bashkohuni me ne!
Dhe thirrja ime e fundit është për të gjithë shqiptarët, për të gjithë banorët e Tiranës dhe jo vetëm, në gjithë Shqipërinë. Për të gjithë ju shqiptarë të zhgënjyer, zemërplasur dhe zemërthyer, bashkohuni me ne! Bashkohuni me ne!
Një fjalë të fundit, diaspora është me ju, për ju dhe lufton me ju! Faleminderit! Sot jeni shumë, nesër më shumë dhe çdo ditë akoma më shumë derisa Edi Rama të japë dorëheqjen!
Gazeta RD