Eric Wendt, i vetmi Ambasador Fuqiplotë i SHBA në rajon/ Miratim me procedurë të përshpejtuar

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, duke i dhënë fund një periudhe gati 2-vjeçare  kur Ambasada e SHBA-së në Tiranë është drejtuar nga e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn.

Wendt mori miratimin e Senatit me 51 vota pro, duke kaluar kështu pengesën e fundit procedurale përpara marrjes së detyrës. Më herët, kandidatura e tij ishte miratuar edhe nga Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.

Miratimi i Wend është bërë me një procedurë të përshpejtuar. Nga nominimi i tij nga Presidenti Trump dhe deri tek miratimi në Senat kanë kaluar vetëm 2 muaj kohë.  Eric Wendt bëhet kështu i vetmi Ambasador Fuqiplotë I SHBA në rajon.

Emërimi i tij vjen në një kohë kur disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, vazhdojnë të presin emërimin ose konfirmimin e ambasadorëve të rinj amerikanë. Me konfirmimin e Wendt, Shqipëria bëhet një nga vendet e rajonit ku SHBA rikthen përfaqësimin e plotë diplomatik në nivel ambasadori.

Eric Wendt është diplomat dhe zyrtar me përvojë në fushën e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane. Gjatë seancës dëgjimore në Senat, ai vlerësoi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Pas konfirmimit nga Senati, pritet që Wendt të kryejë procedurat përfundimtare diplomatike dhe më pas të paraqesë letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA-së në Tiranë.

About Krye Redaktor

Check Also

Protestuesit: Sara Mila ushtare e sulltanit, ke të fala nga burgu i Elbasanit!

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ishte një nga emrat e përmendur nga protestuesit gjatë …