Kreshnik BOZHO
Kam shumë vite që them se, pavarësisht se jam pjesë e një force politike, ajo që më intereson mbi gjithçka është e ardhmja e vendit tim, sepse këtu dua të jetojnë fëmijët e mi dhe brezat që do të vijnë pas nesh.
Jam treguar gjithmonë i kujdesshëm në statuset dhe qëndrimet e mia publike, sepse nuk kam dashur të lëndoj socialistët e thjeshtë, ata njerëz me ideale, të cilët besonin se qeveria e tyre po punonte mirë. Në bisedat e mia, por edhe përmes sjelljes dhe denoncimeve publike, jam përpjekur të tregoj se kjo mënyrë qeverisjeje nuk ka asnjë lidhje me socialistët e ndershëm të këtij vendi.
Për vite me radhë kemi parë abuzime të vazhdueshme, cenim të pronës publike, përkeqësim të shërbimeve dhe, mbi të gjitha, goditje ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pikërisht zgjedhjet janë thembra e Akilit e çdo demokracie, sepse është momenti kur qytetarët dhe qeveria përballen me njëri-tjetrin dhe qytetarët japin vlerësimin e tyre real për qeverisjen.
Miqtë e mi, nëse nuk kemi zgjedhje të lira, nuk kemi rotacion politik. Pa rotacion politik nuk kemi as rotacion të elitave politike, pavarësisht nëse ato ndodhen në pushtet apo në opozitë.
Këtë e kam përjetuar edhe vetë kur kandidova për Bashkinë e Sarandës në vitin 2015, kur kisha përballë një shtet të tërë që gjithçka bënte, përveç garantimit të zgjedhjeve të lira. Nuk është çështja se humba unë si individ. Problemi është se kur pushteti nuk buron nga zgjedhjet e lira, ai nuk punon për qytetarin. Premtimet bëhen boshe dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve humbet.
Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e viteve 2017, 2019, 2021, 2023 dhe 2025.
Por kjo gjendje nuk erdhi vetëm si pasojë e një qeverisjeje që nuk kishte në qendër interesin publik. Ajo u ushqye edhe nga gabimet e një opozite të dobët, e cila në momente të caktuara u tërhoq nga Parlamenti, bojkotoi zgjedhjet vendore dhe e la veten jashtë institucioneve. Ka pasur një periudhë kur Partia Demokratike ishte pothuajse jashtë sistemit politik dhe nuk kishte pothuajse asnjë përfaqësues, as në pushtetin qendror dhe as në pushtetin vendor.
Të gjitha këto krijuan terrenin për ngritjen e një sistemi oligarkik dhe autoritar. Dhe sistemet autoritare sjellin gjithmonë abuzim, kriminalizim të jetës politike, ekonomike dhe sociale.
Sot, në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, nuk janë vetëm njerëzit e varfër që protestojnë. Janë edhe përfaqësuesit e shtresës së mesme, janë të rinjtë dhe diaspora e këtij vendi, janë të majtë e të djathtë, janë njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë, më të qetë dhe që kërkojnë të ardhmen e tyre këtu, në Shqipëri.
Sepse beteja e vërtetë nuk është mes partive. Beteja e vërtetë është për demokracinë, për zgjedhjet e lira dhe për të ardhmen e vendit tonë.
Gazeta RD