Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”, duke i dhënë një tjetër lehtësim ish-zyrtarit të Bashkisë së Tiranës që bashkë me grupin kanë vjedhur paratë e shqiptarëve, dhe për muaj me radhë ka qenë në qendër të një prej dosjeve më të bujshme të SPAK.
Qato është një nga ish-drejtorët që SPAK e akuzon si pjesë të skemës së njohur si “5D”, ku përmes kompanisë “5D Konstruksion” ai dhe shokët përfitonin tendera publikë, ndërsa pas kompanisë qëndronin de facto vetë zyrtarët që kishin detyrën të mbronin interesin publik, jo ta përdornin atë për përfitime private. SPAK ka kërkuar 9 vite burg ndaj tij, si edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vite.
Vendimi i Apelit pritet të ngjallë reagime, pasi dosja “5D” është konsideruar një provë e rëndësishme për mënyrën se si zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës ngritën një mekanizëm që favorizonte interesa private me fonde publike. Ndërsa qytetarët presin një vendim përfundimtar mbi akuzat, një tjetër prej emrave kryesorë të kësaj dosjeje largohet nga qelia.
Nga njëra anë, SPAK kërkon vite burg për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie; nga ana tjetër, masat e sigurisë për disa prej të pandehurve janë zbutur me kalimin e kohës. Ky kontrast mes peshës së akuzave dhe lehtësimit të masave pritet të ushqejë edhe më tej debatin publik për një nga dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Gazeta RD