Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe thirrjet për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama kanë nisur të pasqyrohen edhe në shtypin ndërkombëtar, duke sjellë reagime dhe analiza mbi klimën politike në vend.
Në një shkrim të gjatë të botuar në gazetën italiane Il Foglio, gazetari Nicola Mirenzi trajton atë që e quan “revolta e rrugës”, duke u ndalur tek arsyet që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike.
Artikulli kujton se për vite me radhë Rama është prezantuar në Perëndim si një figurë moderne, pro-europiane dhe reformuese, por situata aktuale politike dhe protestat në rritje kanë ndryshuar perceptimin ndaj tij.
Në këtë kontekst, Mirenzi i është drejtuar për koment ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka theksuar se neglizhimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rënda politike.
“Të mohosh zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët ka një kosto të lartë,” është shprehur Bushati për gazetën italiane.
Sipas artikullit, edhe reagimi i kryeministrit ndaj protestave ka qenë i fortë dhe shpesh polemizues. Fillimisht ai i ka injoruar zhvillimet, më pas ka folur për ndërhyrje të huaja dhe teori konspirative, duke i lidhur protestuesit me faktorë ndërkombëtarë apo interesa të jashtme.
“Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Në fillim e injoroi, ashtu siç bënë edhe shumë media. Më pas foli për ndërhyrje të huaja. Shqiptarët, sipas tij, po përdoreshin si “mish për top” në një fushatë globale kundër Trumpit. Më pas tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte ofruar mbrojtje për një grup politik kundër ajatollahëve. Deri sa arriti te pista greke: Greqia, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë Shqipërisë turistët.
Kur u intervistua nga Financial Times, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë vulgare. “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u them: ‘shkoni në djall’ (fjalë për fjalë: ‘shkoni q***’). Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam”, u shpreh Bushati
Në analizë, shkrimi thekson se ky përplasje mes qeverisë dhe protestave po ndikon jo vetëm në klimën e brendshme politike, por edhe në imazhin ndërkombëtar të kryeministrit, i cili për vite është konsideruar një aleat i rëndësishëm i Perëndimit në rajon.
Gazeta RD