Fondi Rezervë nuk është për spektakle private, autokrati Rama!

Nga Bujar Leskaj

Me Aktin Normativ të datës 6 korrik 2026, publikuar në Fletoren Zyrtare me datë 7 korrik 2026, për t’i dhënë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit koncertit të këngëtarit ndërkombëtar Kanye West në Tiranë 4.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, sekti Rama vulosi papërgjegjshmërinë e tij ekstreme dhe aventurë më të pamend, në përdorimin e fondeve publike gjatë këtyre 14 viteve.
Kushtetuta në Nenin 101 të saj, e ka përcaktuar përdorimin e Aktit Normativ, duke prekur fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit për një vit ushtrimor, si fond që mund të përdoret ekskluzivisht për situata të jashtëzakonshme, kur kemi katastrofa natyrore, rreziqe të sigurisë kombëtare, apo emergjenca të papritura të shëndetit publik.

Vija e kuqe e përdorimit të paravë të shqiptarëve

Ka një vijë të kuqe që asnjë qeveri nuk duhet ta kalojë. Ajo quhet respekt për paratë e taksapaguesve.
Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit nuk është krijuar për të sponsorizuar koncerte, festivale apo spektakle, sado të famshëm të jenë artistët që ngjiten në skenë. Ai nuk është një “portofol sekret” i qeverisë për të financuar projekte që nuk kalojnë filtrin normal të planifikimit buxhetor. Është një mekanizëm i jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme.
Një koncert nuk është tërmet. Një koncert nuk është përmbytje. Një koncert nuk është pandemi.
Një koncert nuk është krizë kombëtare. Atëherë, me çfarë logjike mund të justifikohet përdorimi i një fondi që ekziston pikërisht për emergjenca?
Nëse sot Fondi Rezervë përdoret për një aktivitet artistik, nesër mund të përdoret për një festival privat, pasnesër për një fushatë marketingu dhe më vonë për çdo projekt që qeveria nuk ka pasur guximin ose shumicën politike ta planifikojë në buxhet. Kështu nuk ndërtohet një shtet modern; kështu ndërtohet dhe betonohet arbitrariteti dhe autokracia e Edi Ramës!
Më shqetësuese se vetë shuma është filozofia që fshihet pas saj. Është filozofia, sipas së cilës, sekti Rama në pushtet sillet sikur fondet publike janë pronë e tij dhe jo pronë e qytetarëve. Është filozofia, sipas së cilës aktet normative mund të përdoren për të shmangur debatin parlamentar. Është filozofia sipas së cilës spektakli vlen më shumë se rregulli.
Por pikërisht rregulli është ai që mban në këmbë financat publike. Fondi Rezervë në një demokraci të përgjegjshme dhe jo autokraci, është “airbag-u” i Shtetit. Askush nuk e çmonton airbag-un, për të instaluar një sistem muzikor më të fuqishëm në makinë! Sepse kur ndodh aksidenti, mbrojtja nuk ekziston më.
Edhe shteti funksionon me të njëjtën logjikë. Nëse fondi rezervë shndërrohet në një instrument për shpenzime të planifikueshme, ai pushon së qeni fond rezervë. Ai bëhet një buxhet paralel, jashtë logjikës normale të kontrollit dhe prioriteteve publike.

Fondi Rezervë është për emergjenca natyrore dhe shëndetësore, jo për spektakle!

Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme të sigurisë financiare të vendit. Qëllimi i tij është krejtësisht tjetër: përballimi i situatave të paparashikuara, emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, krizave shëndetësore apo nevojave të jashtëzakonshme që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Fondi Rezervë nuk mund të preket kurrsesi për shpenzime rutinë, apo për politika afatgjata zhvillimi. Financimi me miliona euro nga Buxheti i Shtetit i një aktiviteti privat muzikor të këngëtarit reper Kanye West në Tiranë, përfaqëson një rast të pashembullt shkeljeje të Kushtetutës së Shqipërisë, papërgjegjshmërie totale ndaj disiplinës së përdorimit të fondeve publike dhe aventurizmi financiar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përdorim i Fondit Rezervë duhet të jetë i jashtëzakonshëm, i argumentuar dhe i mbështetur mbi interesin publik.
Një aktivitet artistik, sado i rëndësishëm të konsiderohet për promovimin e vendit, nuk përbën emergjencë kombëtare. Ai mund të planifikohet me muaj ose vite përpara dhe, nëse shteti vendos ta mbështesë, financimi duhet të kalojë përmes procedurave të zakonshme të hartimit dhe miratimit të buxhetit, me transparencë të plotë dhe kontroll parlamentar.
Përdorimi i fondeve rezervë për aktivitete që nuk kanë karakter të jashtëzakonshëm dobëson disiplinën fiskale. Fondi rezervë nuk është krijuar për të anashkaluar planifikimin buxhetor. Ai ekziston, pikërisht sepse askush nuk mund të parashikojë tërmete, përmbytje, epidemi apo kriza të tjera të papritura.
Nëse ai përdoret për aktivitete të planifikueshme, atëherë humbet vetë arsyeja e ekzistencës së tij.
Një praktikë e tillë krijon një precedent të rrezikshëm. Nëse sot financohet një koncert privat me fondet rezervë, çfarë do ta pengojë nesër përdorimin e të njëjtit mekanizëm për festivale, panaire, fushata promovuese apo aktivitete të tjera që nuk kanë lidhje me emergjencat?
Një shtet serioz nuk mund të funksionojë mbi logjikën e përjashtimit të përhershëm. Përjashtimi duhet të mbetet përjashtim.
Disiplina në administrimin e financave publike lidhet me parimet e ligjshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe kontrollit parlamentar. Nëse fondet publike përdoren jashtë qëllimit për të cilin janë krijuar, ose duke anashkaluar procedurat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e financave publike, kemi vetëm dhe thjesht abuzim, aventurizëm dhe papërgjegjshmëri ekstreme.
Përtej aspektit juridik, ekziston edhe dimensioni moral. Çdo euro e Buxhetit të Shtetit buron nga taksat e qytetarëve. Në një vend si Shqipëria, ku vazhdojnë të ekzistojnë nevoja të rëndësishme në shëndetësi, arsim, ujësjellës, mbrojtje civile, infrastrukturë vendore dhe mbështetje sociale, çdo shpenzim i jashtëzakonshëm duhet të justifikohet me standardin më të lartë të interesit publik.

Sekti Rama nuk është pronar i Buxhetit të Shtetit!

Qeveria e sektit Rama nuk është pronare e buxhetit të Shtetit. Ajo është administratore e tij.
Pronarë janë qytetarët shqiptarë. Janë pensionistët që numërojnë lekët në fund të muajit. Janë mjekët dhe infermierët që punojnë me mungesa. Janë shkollat që presin investime. Janë fermerët që kërkojnë mbështetje. Janë familjet që paguajnë taksa, me bindjen se paratë e tyre do të përdoren me përgjegjësi.
Çdo euro që sekti Rama po shpërdoron sot për një koncert është një euro e marrë nga një nevojë reale e qytetarëve.
Nëse është përdorur një akt normativ për të mundësuar një financim të tillë, atëherë lind pyetja: a po përdoren instrumentet e jashtëzakonshme të qeverisjes, për të anashkaluar kontrollin normal parlamentar?
Në një demokraci funksionale, akti normativ është përjashtim. Por jo në shtetin autokrat të Ramës. Ky sekt i sotëm në qeverisje, aktin normativ të qeverisë, nga përjashtim e ka kthyer në rregull!
Dhe kur përjashtimi bëhet rregull, ligji dhe vetë Kuvendi humbasin kuptimin dhe kthehen në vegla të autokratit.

                                                      xxx

Çështja nuk është nëse një artist ndërkombëtar duhet apo nuk duhet të performojë në Shqipëri. Çështja është, nëse paratë publike administrohen sipas ligjit dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Besimi i qytetarëve tek financat publike ndërtohet mbi një rregull të thjeshtë: fondet e jashtëzakonshme përdoren vetëm për situata të jashtëzakonshme. Çdo devijim nga ky parim është arbitraritet, autokraci dhe papërgjegjshmëri!
Në një demokraci funksionale, respektimi i disiplinës buxhetore nuk është një formalitet teknik. Ai është një garanci kushtetuese për mbrojtjen e interesit publik dhe të parasë së taksapaguesve.

About Redaksia

Check Also

Carlo Bolino gogolizon protestat dhe mitizon Rama- shtetin…!?

Nga Xhevat MUSTAFA Sipas këtij “bojaxhiu” dhe “papagalli” të Rama- qeverisjes, zgjidhja e propozuar nga …