Vokshi: Deklaratat e ministres serbe, skandaloze! Edi Rama të mos heshtë përballë thirrjeve shoviniste

Nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, Albana Vokshi, dënoi ashpër deklaratat e ministres serbe, e cila shprehej se, nëse do të ishte në vendin e Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Vokshi e cilësoi këtë një skandal, ndërsa i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme të reagojë, duke thirrur ambasadorin serb për të dhënë shpjegime mbi këto deklarata shoviniste.

Deklarata e plotë

Skandaloze, e pafalshme dhe e dënueshme është deklarata e ministres serbe. Kjo deklaratë tregon se mendësia gjenocidale e Serbisë është ende e gjallë, edhe pse shumëkush refuzon ta shohë ashtu siç është.

Bota demokratike nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.

Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, është një realitet i pakthyeshëm, i fituar me jetë njerëzish, me gjak të pafajshëm, nga një popull që refuzoi të zhdukej. Të evokosh sot gjuhën dhe sjelljen e Millosheviçit do të thotë t’i përkasësh po asaj ideologjie kriminale dhe shoviniste.

Edi Rama, që ëndërronte “Ballkanin e Hapur”, le ta shohë tani se ku të çon ajo rrugë. Ndërkohë që nuk lë fjalë pa thënë kundër qytetarëve shqiptarë që protestojnë, para këtyre deklaratave shoviniste hesht si fija e barit. Ky nuk është qëndrim surprizues. Edi Rama ka dalë zbuluar kundër interesave të shqiptarëve. Ai ka lënë pa fjalë çdo shqiptar të Kosovës dhe çdo shqiptar, kudo që ndodhet, kur ka refuzuar dhe përçmuar rezolutën ku dënoheshin krimet serbe. Kjo është hipokrizia e qeverisë shqiptare dhe kjo hipokrizi të çon vetëm në këtë rrugë.

I bëj thirrje Ministrisë së Jashtme shqiptare të thërrasë urgjentisht ambasadorin serb dhe të dënojë me forcën më të madhe këto deklarata shoviniste. Gjithashtu, t’i dërgojë një demarsh politik Bashkimit Europian dhe NATO-s, duke kërkuar marrjen e masave të ashpra ndaj këtyre qëndrimeve, të cilat në Serbi nuk janë refuzuar e as dënuar zyrtarisht.

About Redaksia

Check Also

Protestat nuk do të ndalen

Kjo e martë shënon ditën 45-të të protestës në Tiranë, teksa tashmë kanë njoftuar se …