“Erdhi, hëngri, iku…”

Nga Iva V.GRILLO

Qënka larguar nga Shqipëria zoti Gonzato, i dekoruar sot me yll në ballë nga Kryeministri Rama, me sa duket për shërbime që ky fundit i ka vlerësuar. Them ky i fundit sepse mediat raportojnë se medalja është akorduar nga Presidenti i Republikës… por me porosi/urdhër të Kryeministrit 😏.
Gjithsesi, duke lënë mënjanë detajet ceremoniale, pyetja djegëse në fund të mandatit 3-vjeçar është:
A është Shqipëria në mirë se 3 vite më parë kur Zoti Gonzato mbërriti në Tiranë si kreu i Delegacionit të BE-së?
Përgjigjia është e qartë: atë e kanë dhënë sheshet plot me qytetarë të revoltuar që kërkojnë drejtësi, demokraci dhe largimin një orë e më parë të Kryeministrit Rama.
Gonzato sigurisht që nuk është zgjedhur nga shqiptarët dhe llogarinë për punën e vet e jep tek eprorët e tij dhe për hir të së drejtës mirë do ishte t’a jepte edhe përpara taksapaguesve europianë.
Por kjo nuk na heq të drejtën ne si shtetas shqiptarë të shprehim zhgënjimin dhe indinjatën tonë të thellë për ndihmën, promovimin dhe lustrimin që ky zotëri dhe institucioni që ai ka drejtuar i kanë dhënë autokratit më të korruptuar në Evropë e më gjerë.
Gjatë “epokës Gonzato”, mafia e betonit lulëzoi si kurrë më parë, skandalet qeverisëse mbinë si kërpudha pas shiut, drejtësia tregoi se nuk bën dot një hap pa regji e shkelje syri, liria e mediave u përkeqësua, zonat e mbrojtura u sakatuan dhe opozita u trajtua si një “dele e zezë” ndërkohë që pllaquritjet vend e pavend me qeveritarët u kthyen në “protokollin zyrtar” të eventeve të publike të delegacionit.
Gonzato është përfaqësuesi i BE-së qe nuk iu përgjigj kurrë thirrjeve SOS të aktivistëve e qytetarëve të cilët kanë të paktën 3 vite që kanë vënë alarmin mbi gjendjen e mjeruar të demokracisë dhe shumë institucioneve të korruptuara shqiptare, të cilat mesa na thonë ushqehen me shumë fonde të BE-së.
Ndaj në këto ditë të fundit, ku Gonzat-ua (si shumë të tjerë para tij) po na lë shëndenë për të kullotur në lëndina të tjera të karrierës së tij (me shumë gjasa duke përdorur si kartëvizitë jo vetëm progresin imagjinar të Shqipërisë por dhe “yjet e mirënjohjes” ⭐️ ️që ka marrë me porosi të Kryeministrit ✊️) ne nuk na mbetet gjë tjetër të themi atë shprehjen që shqiptarët e përdorin pasi kanë hequr qafe bujtës e miq që nuk i duhen as dreqit: “erdhi, hëngri…iku”
#GoodRidance

About Redaksia

Check Also

50% e të rinjve shqiptarë nuk janë as në punë as në shkollë!

Nga Nikola KEDHI 50% e të rinjve shqiptare nuk janë as në punë as në …