Ka momente në Histori kur nuk ka vend për heshtje! Ky është një prej tyre!

Nga Visi BALLA
Kryetar i PD Prrenjas

Sot nuk është në rrezik vetëm një emër në hartën administrative! Sot është në rrezik identiteti, dinjiteti dhe e ardhmja e Prrenjasit!

Qeveria po përgatit një tjetër padrejtësi ndaj qytetarëve të Prrenjasit. Pas viteve me premtime të pambajtura, me mungesë investimesh, emigracion dhe braktisje, tani kërkon t’i marrë Prrenjasit edhe statusin e bashkisë!!

E them qartë: nuk do ta lejojmë!!!

Shkrirja e Bashkisë së Prrenjasit nuk është reformë. Është një akt politik që ndëshkon një komunitet të tërë, dobëson përfaqësimin vendor dhe cenon vetë parimin e vetëqeverisjes lokale.

Pyes qeverinë: Çfarë nuk plotëson Prrenjasi që duhet të zhduket nga harta administrative? A nuk ka një numër të mjaftueshëm banorësh? A nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme territoriale? A nuk ka një organizim administrativ funksional? A nuk ka histori, identitet dhe traditë? A nuk është porta lindore e Shqipërisë, me Korridorin VIII dhe pikën kufitare të Qafë Thanës? A nuk ka potencial të jashtëzakonshëm në industri, bujqësi, turizëm, transport dhe burime natyrore? A nuk meriton qytetari i Prrenjasit një administratë pranë tij dhe jo kilometra larg?

Nëse Prrenjasi i plotëson të gjitha këto kritere, atëherë problemi nuk është Prrenjasi. Problemi është një reformë që po ndërtohet mbi interesa politike dhe jo mbi interesin e qytetarëve.

Me përgjegjësinë politike dhe qytetare që kam ndaj Prrenjasit, deklaroj me vendosmëri se do ta mbroj me çdo mjet demokratik, institucional dhe ligjor Bashkinë e Prrenjasit! Nuk do të lejojmë që qyteti ynë të fshihet nga harta administrative me një vendim politik të marrë larg qytetarëve dhe pa dëgjuar zërin e tyre.

I bëj thirrje çdo qytetari të Prrenjasit, pa dallim bindjesh politike, të bashkohet në këtë kauzë. Sot nuk mbrojmë interesa personale! Sot mbrojmë interesin më të madh të Prrenjasit: të drejtën për të ekzistuar, për t’u përfaqësuar dhe për t’u zhvilluar si bashki.

Le ta dëgjojnë qartë përfaqësuesit e qeverisë: Prrenjasi nuk është pronë e askujt. Prrenjasi u përket qytetarëve të tij dhe askush nuk do ta fshijë nga harta administrative pa u përballur me vullnetin e një populli të bashkuar!!

PRRENJASI NUK NEGOCIOHET!
PRRENJASI NUK SHKRIHET!
PRRENJASI DO TË MBROHET!

About Redaksia

Check Also

Reforma e njëanshme territoriale e Edi Ramës/ Berisha: Do ngremë në këmbë të gjithë Shqipërinë!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka folur edhe për reformën territoriale të Edi Ramës duke …