Komisioni Evropian refuzon draftin e parë për ligjin e zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit i ka përcjellë Komisionit Evropian draftin e parë për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Dokumenti nuk është publik, por unë munda të siguroj një kopje e cila, sidoqoftë, nuk është voluminoze (vetëm tre faqe). Materiali i shumëpritur nga të gjithë, edhe nën presionin e protestuesve në Bulevard, u prezantua pak ditë më parë në tryezën e ngushtë të diskutimeve të Kapitullit 27, mes palëve negociatore: zyrtarëve të ministrisë dhe ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Mjedisit të Komisionit Evropian.

Kjo është përpjekja e parë drejt shfuqizimit të ligjit, ndonëse e vonuar, qëkur shtatorin e shkuar u vendos caktimi i piketave mbyllëse (Closing Benchmarks) si kusht për anëtarësim e vendit në Bashkimin Evropian.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mjedisit më pohoi se adresimi i piketave parashikohet të përfundojë në dhjetor dhe krahas konsultimeve, të hyjë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të 2027. Orët e ardhshme pritet që ministria t’i dorëzojë Komisionit planin e veprimit dhe afatet e shqyrtimit të çështjeve të përshkruara në udhërrëfyesin e gjelbër.

Por drafti është shqetësues. Ndryshimet janë, as më shumë e as më pak, përkthimi fjalë për fjalë i nenit 6, me fokus paragrafin 3 dhe 4, të Direktivës së Habitateve, duke hedhur hije dyshimi mbi seriozitetin dhe vullnetin e qeverisë në zhvillimin e negociatave mjedisore, ndërkohë që dy prej kërkesave kryesore të protestave janë anulimi i ligjit në fjalë, si dhe anulimi i resortit brenda Peizazhti të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë; një zhgënjim i hidhur, jo vetëm për protestuesit, por edhe për aspiratën evropiane, e cila për qeverinë socialiste ka marrë prej kohësh ngjyrat e një manifestimi elektoral.

Ndryshe nga sa pritej dhe është denoncuar deri tani mbi ndryshimet dramatike ligjore të administrimit të zonave të mbrojtura, drafti i propozuar nuk adreson asgjë për ndërtimin e hoteleve me pesë yje dhe të strukturave akomoduese turistike brenda parqeve kombëtare; asgjë për heqjen e zonimeve të peizazheve, për heqjen e zonimeve të monumenteve të natyrës (buffer zone); asgjë për lejimin dhe shtimin e aktiviteteve ekonomike prej Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), duke shpërfillur, të vetmin udhëzues për lejimin e tyre: planet e menaxhimit. Të mos harrojmë se për shkak të këtyre deformimeve lindi nevoja dhe detyrimi për shfuqizimin e tyre dhe shpërtheu protesta në vend – më e madhja qysh nga rënia e komunizmit, në 1992.

Në të kundërt, ajo çka drafti paralajmëron është se adoptimi i nenit 6, mund të përdoret nga autoritetet për të justifikuar ndryshimet famëkeqe të ligjit të zonave të mbrojtura, sesa si një mekanizëm për mbrojtjen e tyre.

Dhe konkretisht, në nenin 2, pika 5 të draftit, që përkon me nenin 6, pika 4 të Direktivës së Habitateve, thuhet “Nëse, pavarësisht përfundimeve negative të vlerësimit të duhur të ndikimeve… një plan ose një projekt duhet të realizohet për arsye detyruese të interesit publik madhor… merren të gjitha masat kompensuese të nevojshme për të siguruar ruajtjen… e rrjetit të zonave të veçanta të ruajtjes. Direktiva sugjeron se anulimi a priori i një aktiviteti ekonomik mund të jetë i vështirë dhe se duhet parë konkretisht, rast pas rasti. Por ndjesia ime është seky interpretim mund t’i joshë autoritetet. Në kushtet kur ky ndryshim thelbësor i propozuar mbetet i vetmi, nuk mund të mos shqetësohemi se resorti në Zvërnec, sikurse të tjerë në të ardhmen, mund të mos anulohet. Rama ka treguar kokëfortësi në administrimin e zonave të mbrojtura, duke humbur prej kohësh kontaktin me realitetin. Është plotësisht e mundshme që ai të vijojë të justifikojë ndërtimet e resorteve brenda zonave të mbrojtura si interes i lartë publik. Ne e shohim sesi po e bën këtë, çdo ditë e më shumë: në ekran, rrjete, WhatsApp; kudo kundër kujtdo. Qëndrimi prej harbuti ndaj çështjeve kaq të rëndësishme e ka lënë atë dhe administratën e tij pa një alternativë. Duket me shumë një psikozë sesa një përpjekje për vizion (siç ai po përpiqet ta paraqesë).

Por këtë radhë, shpërfillja dhe arroganca e tij është kthyer edhe nga Komisioni Evropian. Askush nuk mund të parashikojë me siguri sa mund të zgjasë. Qëndrimi i tij i përhershëm ndaj përpjekjeve për mbrojtjen e burimeve është përbuzës. Dy vjet më parë, në kulm të troshitjes publike për shkak të ndryshimit dhunshëm të ligjit të zonave të mbrojtura, ai nxitoi të shfaqej, duke u imponuar me stilin e një mafiozi: ”na respektoni, nëse doni që t’ju respektojmë…”. Ai nxitoi të ndërhynte për ta korrigjuar drejtpërdrejtë Komisioneren Marta Kos, javën e shkuar në Bruksel, gjatë një konference të përbashkët, teksa pohoi se fjala ishte për rregullime përputhshmërie, jo për shfuqizim dispozitash.

Deri tani, Komisioni ka qenë i palëkundur në devizën e tij: “të shfuqizohen plotësisht të gjitha dispozitat e papajtueshme [me legjislacionin evropian]”, por Rama vijon të ruajë të njëjtën sjellje. Ajo çka pritet është diçka tjetër: si do sillet Komisioni Evropian? Në mbledhjen e së enjtes së shkuar, ekspertët ishin të shqetësuar, por të kthjellët, kur iu drejtuan përfaqësuesve të qeverisë me këto fjalë: “Të jeni seriozë, korrektë dhe të sinqertë!”. Drafti u refuzua. Një i dytë u porosit në ditët në vijim. Me gjasë, nëse qëndrimi i autoriteteve do të vijojë të udhëhiqet nga fantazia e Kryeministrit, komunikimi mes palëve negociatore do të rëndohet. Por ndërkohë, një gjë nuk duhet harruar. Nëse autoritetet nuk sillen seriozisht, grupet e interesit dhe ekspertët mjedisorë duhet të jenë serioze. Në rrethana kaq armiqësore ndaj zonave të mbrojtura, kaq kërcënuese, lë të hedhin edhe një herë vështrimin drejt karnavaleve me postera pink të aktivizmit politik dhe flamingove me bukë peshku që zhurmojnë në bulevardin me asfalt të kryeqytetit, e le të ngrenë një pyetje: a është kjo rruga efektive për të ndaluar resortin dhe për të mbrojtur burimet në zonat e mbrojtura?/ Citizens

About Redaksia

Check Also

Shkodra pa ujë të pijshëm/ Deputeti i PD: Paaftësi ulëritëse, neglizhencë dhe braktisje nga Pushteti Vendor

Deputeti i PD për Shkodrën, Kliti Hoti ka reaguar me nje deklaratë publike në lidhje …