Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka denoncuar dhunën e paprecedentë nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 54-të të zhvilluar kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në fjalën e saj para protestuesve, Vatnikaj akuzoi policinë se ka përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe dhunë ndaj qytetarëve, përfshirë fëmijë, të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore.
Ajo akuzoi uniformat blu se, sipas saj, nuk kanë vepruar si një polici në mbrojtje të qytetarëve, por si një zgjatim i pushtetit politik. Vatnikaj tha se protestuesit nuk do të tërhiqen pavarësisht presionit, ndërsa akuzoi autoritetet se tentojnë të frikësojnë aktivistët dhe familjarët e tyre.
Sipas saj, dhuna e ushtruar nga autoritetet ka sjellë të kundërtën e synimit të saj, duke rritur numrin e qytetarëve në protestë.
‘Sot jemi përballur me një dhunë të paprecedent, të pajustifikueshme, nga ajo që ne e quajmë Policia e Shtetit.
Sot fëmijë, të moshuar, njerëz që kanë probleme shëndetësore janë përballur me gazin lotsjellës, janë përballur me dhunën e policisë. Janë përballur me ujin me piper dhe të tjerë prej tyre gjenden ose në spital, ose në komisariate.
Sot përballë nuk kemi pasur atë që ne e themi, policinë që është me ne. Sot kemi pasur përballë zgjatimin kriminal të Taulant Ballës, të Erion Veliajt, të Edi Ramës dhe dorën e zgjatur të krimit në parlament. Ne e dimë se dhuna juaj tenton të na mbërsisë, tenton të shantazhojë familjarët tanë, tenton të na kërcënojë. Por siç e kemi parë në fytyrën e buzëqeshjen dhe në kokën e shokëve tanë të arrestuar, ju themi: Nuk ju kemi frikë! Nuk ju kemi frikë!
Sot si asnjëherë më parë, kemi parë se ata policë që fshihen për të mos u kapur në kamera, ne e dimë shumë mirë që ata policë që mbrojnë sot Edi Ramën dhe Belinda Ballukun kishin marrë urdhër që të na gjuanin, që të na rrihnin, që të na arrestonin.
Megjithatë, sot policia dhe shteti duhet ta shohin se sa më shumë dhunë që ushtroni ju, më shumë numra ka në shesh. Sa më shumë që na rrihni, aq më shumë shtohet rezistenca jonë. Sa më shumë gazi, aq më shumë solidaritet ka mes nesh. Prandaj, për këdo që mendon se i ka frikësuar aktivistët apo familjarët, ju themi: Nuk ju kemi frikë!
Ndërkohë që pjesa më e madhe e shokëve tanë janë liruar, një djalë, një protestues që vjen çdo ditë nga Elbasani, Ali Peçi, mbahet ende në komisariatin numër një.
Atij nuk i është lejuar as të marrë avokatin e tij, por i është caktuar një avokat kryesisht dhe rrezikon që ta mbajnë 72 orë.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të lirojë në mënyrë të menjëhershme të gjithë aktivistët që kanë protestuar paqësisht sot përpara parlamentit. Lironi aktivistët! Lironi aktivistët!’, u shpreh aktivistja Sidorela Vatnikaj në protestë.
Gazeta RD