KLGJ-i pagojë dhe i mbytur në gabimin fatal të Hartës së Re

Nga Bujar Leskaj

Për vitin 2025, pritshmëritë e opinionit publik ishin që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) të përshpejtonte plotësimin e vakancave në gjykata, të ulte stokun e dosjeve, të rriste transparencën, të modernizonte sistemin elektronik të dhënies së drejtësisë në gjyqësor, të forconte llogaridhënien dhe të përmirësonte administrimin e gjykatave. KLGJ dështoi në të gjitha këto detyra parësore.
Asnjë masë reale për të zbutur gabimin fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit!
Procesi i bashkimit të disa gjykatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, në zbatim të Hartës së Re të Gjyqësorit përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha dhe njëkohësisht një nga gabimet më fatale të Reformës në Drejtësi.
Edhe pse ky proces u reklamua si përmirësimi i efektivitetit të sistemit gjyqësor dhe si shpërndarje më racionale e burimeve, zbatimi praktik i tij edhe gjatë vitit 2025 provoi dështimin e plotë të tij, duke sjellë një sërë problematikash të theksuara, që kanë ndikuar në përkeqësimin e funksionimit të gjykatave dhe kanë dëmtuar qasjen e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Edhe gjatë vitit 2025, bashkimi i gjykatave krijoi bllokime administrative dhe ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të gjykimeve, duke vënë në pikëpyetje përfitimet reale të Reformës në Drejtësi.
U rrit ndjeshëm stresi profesional dhe rreziku i vendimeve të nxituara, nga gjyqtarët që mbartin disa funksione paralelisht dhe trajtonin me mijëra çeshtje në vit.
Një ndër pasojat më të rënda të bashkimit të gjykatave, është largësia e madhe, distanca që qytetarët janë të detyruar të përshkojnë, për të marrë shërbime gjyqësore. Për shembull, banorëve të rretheve që më parë kishin gjykata funksionale, si Kruja, Lushnja, Lezha, Puka apo Përmeti, tani u duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, me dhjetëra kilometra larg, për të ndjekur proceset e tyre.
Kjo ka sjellë kosto shtesë financiare për udhëtim dhe akomodim, humbje kohe për palët dhe dëshmitarët dhe vështirësi për shtresat në nevojë, për të ndjekur çështjet gjyqësore. Në shumë raste, qytetarët janë detyruar të braktisin apo shtyjnë ndjekjen e proceseve, për shkak të mungesës së mundësive të tyre ekonomike dhe të kohës së madhe që u duhet në udhëtim.

KLGJ, i pagojë ndaj protestës qytetare!

Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 52-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re, në rradhë të parë për SPAK dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re, pikë së pari KLGJ, po e përmbush këtë mision.
Në letren e tij drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”
Për 52 ditë rrjesht, KLGJ nuk ka reaguar ndaj kërkesave të protestës qytetare. Institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.
Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e saj të 53-të sot, është një nga ato raste.

Mangësi kronike në gjykata dhe vonesa pafund

Edhe gjatë vitit 2025, sistemi gjyqësor funksionoi me një numër të pamjaftueshëm gjyqtarësh. Si pasojë, shumë gjykata vijuan të kishin vakanca të konsiderueshme, një pjesë e gjyqtarëve u detyruan të administronin disa mijëra dosje seicili dhe u shtuan transferimet e përkohshme të gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën. Kjo situatë krijoi ngarkesë të lartë pune dhe ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e vendimmarrjes.
Një nga treguesit më shqetësues mbeti kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Në shumicën dërrmuese të gjykatave proceset civile u shtynë me muaj edhe gjatë vitit të kaluar, proceset administrative patën pritje të gjata dhe madje, edhe çështjet penale nuk shpëtuan vonesave.
Qytetarët vijojnë të jenë të detyruar të presin me vite për një vendim përfundimtar. Kjo cënon rëndë standardin kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Stoku i dosjeve nuk u ul në masën e pritshme. KLGJ e administroi dobët sistemin

Një nga objektivat kryesorë të KLGJ-së për vitin 2025 ishte reduktimi i stokut të çështjeve. Megjithatë, në shumë gjykata numri i dosjeve të prapambetura mbeti shumë i lartë dhe ritmi i zgjidhjes nuk ishte proporcional me numrin e çështjeve të reja. Masat administrative të KLGJ-së nuk dhanë efektin e pritur.
Gjatë vitit 2025, pati komandime të zgjatura, shpërndarje jo optimale të gjyqtarëve dhe pabarazi të ngarkesës ndërmjet gjykatave. Në disa gjykata kishte mbingarkesë ekstreme, ndërsa në të tjera kapacitetet nuk shfrytëzoheshin plotësisht.
Digjitalizimi mbeti larg pritshmërive. Gjatë vitit 2025, u konstatuan mungesë e një sistemi plotësisht funksional elektronik, vështirësi në aksesin online të dosjeve dhe procedura ende të mbështetura në dokumentacion fizik.
Transparenca ndaj publikut vijon të mbetet anë e dobët e KLGJ-së. Një pjesë e organizatave të shoqërisë civile kërkuan më shumë transparencë në procesin e emërimeve, procedurat disiplinore dhe vendimmarrjen administrative të Këshillit.
Administrata gjyqësore vijoi të funksionojë dobët. Shumë gjykata u përballën me mungesën e kancelarëve, numrin e pamjaftueshëm të sekretarëve gjyqësorë dhe mungesën e theksuar të specialistëve IT, duke filluar nga vetë Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, e administruar nga KLGJ!

xxx

Në tërësi, viti 2025 dëshmoi paaftësi dhe papërgjegjshmëri nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, në zgjidhjen e problemeve të mprehta të gabimit fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit, të shoqëruar këtë vit me mungesë të theksuar të integritetit dhe pavarësisë institucionale, në pagojësinë dhe mosreagimin ndaj kërkesave të protestës qytetare.

About Redaksia

Check Also

Kronika refuzon të shpërndajë kará haberre!

Nga Agron GJEKMARKAJ Kronika qysh ditën e parë i vu qëllim vetes të bëhet zëdhënëse …