Kryemadhi: Pse SPAK nuk e përmend darkën e Ramës me Shatkun, por shmanget ky fakt?

Monika Kryemadhi deklaroi në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) se SPAK ka interpretuar në mënyrë selektive komunikimet e përfshira në dosje, duke anashkaluar sipas saj elemente që nuk mbështesin akuzën.

Gjatë mbrojtjes së saj, Kryemadhi foli drejtpërdrejt për një darkë ku, sipas saj, kishte qenë e pranishme edhe me kryeministrin Edi Rama.

Ajo pretendoi se, megjithëse SPAK disponon komunikime që lidhen me takimin e Shatkut me Ramën, ato nuk janë vënë në fokus të akuzës, ndërsa komunikimet e saj janë interpretuar si prova për ndikim të paligjshëm.

“SPAK do të më thërriste dhe do të më thoshte: ‘Zonjë, keni ngrënë darkë më 2 tetor me Adrian Shatkun. Dy ditë më pas, Shatku ka ngrënë darkë me kryeministrin Edi Rama’. Ky takim me Haxhinaston, që SPAK e interpreton si ‘kënaq shumë’, nëse do të kishte ndodhur ashtu siç pretendon SPAK, nuk do të kishte vazhduar përpjekja e vazhdueshme e Shatkut për të gjetur zgjidhje përmes shkresave dhe rrugëve ligjore. SPAK i lidh të gjitha komunikimet, takimet apo bisedat dhe i konsideron vepër penale.

Adrian Shatku më shkruan: ‘Background takimi me Ramën’, por këtë SPAK nuk e përmend. Për mua përmenden vetëm ‘takimi për Vodafone’, ‘takimi për fibrat optike’ e të tjera, ndërsa komunikimi ‘background takimi me Ramën’ nuk thuhet. Adriani ka qenë më 2 tetor me Edi Ramën dhe me mua. Pas disa ditësh më thotë: ‘Meqë do të takohesh me Ramën, ki parasysh këto të dhëna’, të cilat koha i vërtetoi. Sot jemi të gjithë me ChatGPT, pra ishin ide që i paraprinë kohës’, u shpreh Kryemadhi.

Gjatë seancës, kryesuesi i trupit gjykues, Erion Bani, e pyeti drejtpërdrejt:

Erion Bani: E keni zhvilluar darkën që thoni?

Monika Kryemadhi: Ehu, sa darka kam ngrënë unë me Edi Ramën.

Monika Kryemadhi deklaroi se në dosje ekzistojnë më shumë komunikime të saj me kryeministrin Edi Rama sesa me Ilir Metën, duke pretenduar se SPAK ka zbatuar standard të dyfishtë në përzgjedhjen e provave.

“Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, madje më shumë sesa komunikime apo ndërveprime me Ilir Metën. Janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje dhe kryeministrit. Këtu është Edi Rama. Pse ndryshon standardi? Ose të ketë të njëjtin standard për të gjitha provat, ose kemi një seleksionim të tyre për të mbështetur një akuzë politike”, u shpreh Kryemadhi.

Sipas saj, organi i akuzës ka përzgjedhur vetëm ato fragmente të komunikimeve që i shërbenin tezës së akuzës, ndërsa ka lënë jashtë materiale të tjera me të njëjtën natyrë.

“Janë përzgjedhur vetëm fragmentet që i shkonin akuzës dhe janë përjashtuar ndërveprime të tjera të ngjashme, të cilat duhej të trajtoheshin me të njëjtin standard”, deklaroi ajo.

About Redaksia

Check Also

7 shkelje të Kushtetutës/ PD dërgon në Kushtetuese ligjin e marrëveshjes për armatim

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita ka dërguar në Gjykatën …