Dëshmi tronditëse/ Nëna e të miturit me paralizë: Në bashki më thanë, pse ke dalë në protestë, fëmija nuk të bëhet më njeri!

Një tjetër dëshmi tronditëse e dështimit të institucioneve për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë është bërë publike gjatë protestës, ku një nënë nga Rrogozhina ka rrëfyer përballë gazetarit Osman Stafa, dramën e saj 10-vjeçare për të siguruar kujdesin minimal për djalin e saj me paralizë cerebrale.

Gazetari e ka marrë këtë dëshmi nga nëna pasi e ka parë në protestë, ndërsa në pamje duket qartë se ajo e mban fëmijën në krahë me vështirësi të madhe, pasi prej vitesh kërkon një karrocë të posaçme për ta lehtësuar lëvizjen dhe kujdesin ndaj tij, por sipas rrëfimit, Bashkia e Rrogozhinës e ka lënë pa zgjidhje.

Rrëfimi i saj ngre akuza të rënda ndaj mënyrës sesi institucionet lokale dhe qendrore trajtojnë qytetarët më të pambrojtur, duke e kthyer rastin në një skandal institucional të indiferencës, braktisjes dhe përbuzjes ndaj një nëne dhe një fëmije me aftësi të kufizuara.

Nëna tregon se, kur ka kërkuar ndihmë për ilaçet e djalit, është përballur me reagime që ajo i cilëson çnjerëzore nga punonjës të bashkisë.

“U kam thënë: kam fëmijën pa ilaçe. Më kanë thënë: ‘Ik se atë pune ke ti më thonë’. ‘Shiko si e hedh fëmija koken sa andej sa këtej, nuk bëhet më njeri’, më thonë. ‘Jepi çfarë të japësh, nuk bëhet më njeri’”, rrëfen ajo.

Ajo shprehet se për 10 vite ka trokitur në dyert e institucioneve, por sipas saj, askush nuk i ka dhënë një zgjidhje reale.

“Jam e zhgënjyer nga shteti shqiptar. Po bëj ec e jake 10 vite dhe nuk ka asnjë lloj ndihme për këta fëmijë. Nuk kam lënë zyrë shteti pa shkuar”, thotë nëna.

Ajo tregon se ilaçet e djalit i siguron nga Italia dhe shpenzon mbi 400 euro çdo muaj, ndërsa mbështetja që merr nga shteti nuk mjafton as për nevojat bazë.

“Nuk i përballoj dot me 320 mijë lekë kemp bashkë me kujdestarinë. Kam ilaçe, ushqime, pampersa. Çfarë të bëj?”, shprehet ajo.

Sipas saj, familja jeton në kushte të vështira ekonomike. Bashkëshorti, i cili punonte në ndërtim, ka pësuar probleme të rënda shëndetësore dhe nuk mund të punojë më.

“Një ditë me bukë, një herë pa bukë”, thotë ajo.

Fëmija, sipas nënës, ka pësuar paralizë cerebrale që në moshën 6-muajshe dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Por ajo thotë se edhe kërkesa më elementare, si një karrocë për lëvizje, është kthyer në një betejë të pafundme me institucionet.

“Nuk kam karrocë. Bashkia tallet me karrocën. Më thonë: ‘Bleje vetë në privat, bëje si të duash, 3 mijë euro bën’. Na mbyllin dyert, na kanë përzënë”, deklaron ajo.

Nëna akuzon qeverinë dhe pushtetin vendor se kujtohen për qytetarët vetëm në kohë fushatash elektorale.

“Kur duan votat vijnë derë më derë dhe thonë do t’ju ndihmojmë. Asgjë nuk kanë bërë. Na hoqën edhe ndihmën ekonomike që kishim”, thotë ajo.

Rasti bëhet edhe më i rëndë përballë historikut të Bashkisë së Rrogozhinës, ku ish-kryetari Edison Memolla është dënuar me 1 vit burg për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas hetimeve të SPAK, çështja ndaj tij nisi pas një audio-përgjimi ku pretendohej se ai kishte ndërhyrë te një punonjës i OSHEE-së për të favorizuar një abonent debitor në këmbim të votës.

Gjithashtu, ndaj Memollës, emisioni Piranjat pas një denoncimi, ka zhvilluar një emision ku vërtetoohen akuzat për nepotizëm në administratën e Bashkisë së Rrogozhinës, ku është treguar se poste të rëndësishme u janë dhënë familjarëve dhe personave të afërt të tij.

Ndërkohë që në zyrat e pushtetit debatohen poste, tendera dhe interesa politike, një nënë thotë se prej vitesh lufton e vetme për të siguruar ilaçet, ushqimin dhe kujdesin bazë për fëmijën e saj.

Në fund, ajo tregon se ndihmën më të madhe nuk e ka marrë nga institucionet, por nga njerëzit e zakonshëm: “Më ka ndihmuar lagjja dhe hoxhallarët, nga pak më kanë lënë në këmbë”.

About Redaksia

Check Also

Rama është ish-kryeministër/ Aktori i njohur: Ky i pabesi si gjarpër, grabiti Shqipërinë për veten!

Aktori Mehdi Malkaj ka mbajtur fjalën e tij në protestën e 60-të kundër qeverisë dhe …