“A do kërkoni leje tjetër nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut”? Kreu i SPAK nuk jep përgjigje të qartë

Kreu i SPAK, Klodian Braho nuk dha një përgjigje të qartë nëse Prokuroria e Posaçme do t’i drejtohet sërish Kuvendit për kërkesë për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

I pyetur nga gazetarët nëse SPAK do të kërkojë një tjetër autorizim nga Parlamenti për vijimin e procedurave ndaj Ballukut, pas rrëzimit të kërkesës së parë, Braho e la çështjen të hapur, duke deklaruar se një vendim i tillë do të varet nga provat që do të sigurohen gjatë hetimit.

“Hetimet edhe pas atij vendimi kanë vazhduar me intensitet. Kanë ecur dhe më tej. Nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re. Vendimi është i kushtëzuar nga rrethanat e hetimit, rezultatet që do të kemi dhe parlamenti e ka marrë një vendim për një kërkesë që ne bëmë. Nuk mund të shkojmë sërish me të njëjtat prova”, deklaroi kreu i SPAK.

Deklarata e Brahos vjen pasi kërkesa e parë e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut nuk mori miratimin e Kuvendit, ndërsa SPAK tashmë thotë se hetimet ndaj saj kanë vijuar edhe pas këtij vendimi.

Përballë pyetjeve të gazetarëve, kreu i SPAK nuk dha një afat dhe as një qëndrim konkret nëse do të ketë një përpjekje të dytë për t’iu drejtuar Parlamentit, duke e lënë vendimin të varur nga zhvillimi i hetimeve.

Ndërkohë, lidhur me materialet e publikuara në kuadër të “Albanian Files”, Braho bëri të ditur se në Prokurorinë e Posaçme kanë mbërritur dy materiale, të cilat aktualisht janë në fazën e verifikimit.

“Ka dy materiale që kanë mbërritur në prokurori. Jemi në fazë verifikimi. Nuk mund të jap më tepër detaje”, tha ai.

About Redaksia

Check Also

“Fshesa” e PS-së kalon mbi hartë/ Nga Fushë-Arrëzi te Prrenjasi, shkrihen 15 bashki

Mazhoranca socialiste depozitoi të enjten në Kuvend projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale, ku propozohet reduktimi i …