Deklarata e Berishës/ “I gatshëm të votoj për listat e hapura”

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Shqipëria duhet të ketë minimumi 100 bashki në rang vendi, teksa foli për Reformën e re Territoriale. Gjatë intervistës për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Berisha tha se kjo formulë garanton shërbime më të mira për qytetarët dhe frenim të shpopullimit.

“Formula e opozitës është që të jenë minimumi 100 bashki. Garantoj se me këto bashki u shërbehet dy herë më mirë, tre herë më mirë qytetarëve, i vihet një frenim shpopullimit, rikthehet shërbimi te qytetarët”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha po ashtu se është i gatshëm të votoj në favor të listave të hapura, sa i takon Reformës Zgjedhore.

“Do pranoja lista të hapura plotësisht. Ne patëm filluar negociatat me aleatët, me partitë opozitare. Partia e z.Lapaj bëri propozimet që ne i pranuam. Kemi deklaruar edhe propozimet që janë bërë nga Forumi i Dialogut Politik, nga protesta, jemi dakord, të ulemi dhe të bëjmë me vetëdije të plotë që duhet të ndryshojë sistemi. Unë jam për ndryshimin e ligjit elektoral. Kushtetuta mund të amendohet dhe të pësojë ndryshimet që kërkohen”.

Sa i takon kritikave për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, Berisha thotë se pasojat që kanë ardhur gjatë qeverisë Rama nuk lidhen me këto ndryshime.

“Pasojat e krijuara nga i ligj janë absolutisht jo të lidhura me 2008-ën, pavarësisht nga pretendimi i të tjerëve. Po supozojmë se unë isha kryeautori i atyre ndryshimeve, po a mos humba pushtetin unë pas atyre ndryshimeve. Humba pushtetin. Unë s’mendoj kurrë të mbaj pushtet me ligj. Pushteti mbahet me votë. Unë kisha një vendim dhe kam një vendim të pranoj verdiktin pa asnjë lloj komenti dhe e kam faktuar në mënyrë të përsëritur, jam dhënë 2 ose 3 herë dorëheqje dhe s’e kam të vështirë atë akt”.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha i përgjigjet gazetarit/ “Robi plaket kur don vetë”

Kryetari i PD, Berisha ju përgjigj interesimit të gazetarit në lidhje me moshën e tij …