Nga Kim MEHMETI
Më kanë pyetur dhe kam treguar publikisht pse e përkrah protestën e të rinjve në Tiranë: sepse më paguajnë ajatollahët e Iranit, shërbimet sekrete ruse, kineze e greke.
Madje kam treguar se kam dashur t’i shërbej edhe Serbisë, por nga atje më kanë thënë se nuk kanë nevojë për mua, sepse atyre u mjafton qeveria e tyre në Tiranë, me në krye Piktorin.
Nga Beogradi madje më janë mburrur se jo vetëm sot, por thuajse gjithmonë kanë ndikuar në përcaktimin se kush do ta drejtojë Shqipërinë.
Prandaj edhe janë shpërblyer nga sunduesit e saj me dhurata të majme: me Shën Stefanin, me heqjen dorë nga Kosova, me neglizhimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, me përkrahjen e “Ballkanit të Hapur”, me idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës…
Po, unë e përkrah protestën e të rinjve në Tiranë, sepse shpresoj se ajo do t’i japë fund mendësisë së Piktorit, sipas së cilës, kur nuk t’i blen askush flamujt, qeleshet, patriotizmin, krenarinë kombëtare, atdhedashurinë…, atëherë nxirre në shitje vetë Shqipëria.
Kam marrë pjesë disa herë në protestat e Tiranës dhe shumëkush më ka pyetur pse nuk kam marrë mikrofonin për t’u thënë disa fjalë protestuesve.
Nuk u jam drejtuar protestuesve të Tiranës, sepse besoj se zëri i tyre, e jo ai i gjeneratës sime, mund t’ia kthejë dinjitetin vendit dhe shqiptarisë.
Madje, si “terrorist” që jam, çuditem kur dëgjoj të rinj që pyesin: “Ku janë intelektualët që ta përkrahin këtë protestë?”
Çuditem se si nuk e kanë kuptuar se, po të kishte ky popull elita me bosht kurrizor, dinjitet dhe ndjenjë turpi, ato kurrë nuk do të lejonin që populli dhe Shqipëria të binin në duart e një prapanic-cullaku që u rrethua nga ‘hajvanati’ i llojit të ‘zegjineve’ e ‘taulantëve’, e të cilët kanë vetëm një vlerë njerëzore e politike: të dallojnë nëse Piktëri ua ka mbushur apo zbrazur grazhdin!
Kohëve të fundit shtohet numri i atyre që më pyesin: “Çfarë do të bësh nëse këtë betejë e fiton fytyra e turpshme e Shqipërisë – Piktori, e jo fytyra e krenarisë shqiptare – protestuesit?”
Nëse ndodh e pamundura, atëherë do të vazhdoj të bëj atë që kam bërë deri më sot, me atë që do e mbindërtoj të vërtetën me faktin se mëmëdheu im është bërë një vend ku shumica e vëllezërve tanë janë mësuar të sundohen nga krimi dhe narkomafia.
Do ta pranoj pra se, ngaqë nuk u mposht “Aleanca e Qelbësirave”, ajo përfundimisht do ta kalbë shqiptarinë.
Dhe do ta them atë që a kam thënë gjatë dhjetë viteve të funidt: se nga pafytyrësia dhe të vërtetat e Piktoirt, ndjehet e mjerë dhe turpërohet edhe vetë rrena.
Gazeta RD