Besmir Lleshi: Zoti Berisha, euro dhe dollari janë në nivelet më të ulëta historike, rast unik në rajon. Në pesë muaj, plot 19 herë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar Tiranën për pastrimin e parave. DASH e ka evidentuar këtë fenomen në çdo raport, si dhe Bashkimi Europian është alarmuar. Por kryeministri Rama vijon t’i quajë broçkulla, ndërkohë që sa i përket nivelit të euros, ai dhe ministrat e tij thonë se janë remitancat. Po remitanca kanë edhe vendet e rajonit dhe në rajon nuk është ky fenomen. A jeni në kontakt me partnerët për këtë që po ndodh në raport me pastrimin e parave?
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Instalimi i narkoshtetit në Shqipëri përbën zhvillimin më dramatik dhe shkakun më themelor të rrokullisjes së këtij vendi në këtë shkallë. Përbën faktorin më bazë të dramës më të madhe demografike të kombit shqiptar që nga vitet 1300.
Një gjë u them shqiptarëve sot, se që në vitin e parë të ardhjes së Edi Ramës në pushtet, kam denoncuar me forcën më të madhe shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Evropës dhe instalimin e narkoshtetit.
Shndërrimi i Shqipërisë në eksportuesin kryesor të kanabisit në Evropë, dhe më pas, kartelet shqiptare të drogës, transportuesit më të mëdhenj të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, në bashkëpunim me Edi Ramën, bënë që miliarda, miliarda, miliarda euro, të hyjnë në Shqipëri me kontejnerë, me arka metalike, me autobusë, me mikrobusë, me vetura, në të gjitha mënyrat.
Vetëm 3 javë më parë unë kam denoncuar 3 kontejnerë që erdhën në Durrës, në portin Troplini, se tani porti i Durrësit duhet të quhet sot e tutje porti Troplini. Ata e administrojnë prej pesë vitesh dhe 1 kilogram drogë nuk kapet.
U hapën kontejnerët dhe u shkarkuan tonelata euro me vinça. U përballën për një moment polici dhe doganë, por pastaj u vendos paqja. Ato u zhdukën, i morën kartelet dhe i kthejnë në kulla. I kthejnë në kulla, por ndërkohë vrasin, shkatërrojnë eksportin shqiptar, sepse eksportuesit në Shqipëri, punëtorët e tyre i paguajnë me lekë. Të gjitha shërbimet i paguajnë me lekë, energjinë e paguajnë me lekë, ujin e paguajnë me lekë dhe çdo gjë tjetër. Mirëpo të ardhurat i marrin në euro. Dhe kjo bën që fitimi t’u zhduket atyre, për shkak të humbjes prej 30-32 përqind të forcës së euros.
Po kështu me remitancat. 100 euro sot janë 70. 100 euro të vitit 2013 sot janë 70 euro.
Po kështu turizmi. Rënie dramatike. Sepse me 100 euro tani ai duhet të paguajë 130 euro. Dhe çmimet. Pra, kjo është.
Unë të them një, ne ia kemi dalë. Me gjithë përpjekjet e mëdha dhe lobimin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës për ta fshehur këtë fenomen, rezoluta e fundit për Shqipërinë e Partive Popullore shpreh shqetësimin e thellë për narkoeurot.
Por unë, njerëzisht, do t’u ftoja shqiptarëve të ndjekin dosjen Aruba.
Aruba është dëshmia më flagrante e Shqipërisë narkoshtet. Dëshmia më flagrante e bashkëpunimit trafikantë, biznesmenë, qeveritarë.
Në Aruba, ku është bërë takimi i tri palëve, nuk kanë shkuar vetëm biznesmenë.
Kanë shkuar zyrtarët më të lartë të dërguar nga Edi Rama, ose vetë Edi Rama, këtë nuk mund ta them për vetë Edi Ramën, por për qeveritarët 100%.
Altin Troplini, që ka dosjen, u thotë shqiptarëve emrat e banditëve dhe të trafikantëve. U thotë dhe emrat e ndërtuesve. Por mban të fshehtë emrat e qeveritarëve të partisë vetëm e vetëm që të mund të mbulojë bashkëpunimin qeveritar me klanet e drogës në narkoshtetin e Shqipërisë.
Gazeta RD