Bardhi: Harta territoriale nuk ndryshon nga “flamuri” i kryeministrit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për reformën e re administrativo-territoriale, duke e akuzuar se procesi i konsultimit publik është vetëm formal dhe se harta e re është vendosur paraprakisht.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se qeveria nuk po zhvillon një konsultim të vërtetë me qytetarët, por po simulon një proces për një vendim të marrë më parë.

Sipas tij, nëse konsultimi do të ishte real, Rama nuk do të ushtronte presion ndaj kryetarëve të bashkive dhe socialistëve që kanë dalë publikisht kundër projektit.

“Për flamingot socialistë të bashkive në protestë! Edi Rama nuk po zhvillon një konsultim për hartën administrativo-territoriale. Po zhvillon një konsultim formal për një vendim të paracaktuar, njësoj si tenderat e Belindës. Prandaj edhe tallet me ata që flasin. Sepse Edi Rama nuk ka ndërmend të dëgjojë askënd që mendon ndryshe prej tij dhe prek interesat e tij të ngushta. Nëse konsultimi do të ishte i sinqertë, kryeministri nuk do t’i kërcënonte kryetarët e bashkive dhe socialistët 24 karatësh që kundërshtojnë projektin e tij. Minimalisht, do t’i dëgjonte dhe do të reflektonte”, shkruan Bardhi.

Bardhi komentoi edhe reagimet e socialistëve që kanë kundërshtuar ndryshimet territoriale, duke theksuar se ata nuk po protestojnë për arsye historike apo simbolike, por sepse e konsiderojnë reformën si një cenim të përfaqësimit dhe të shërbimeve për qytetarët.

Sipas tij, kundërshtimet nuk lidhen me identitetin lokal, por me mënyrën se si reforma prek interesat e komuniteteve.

“Socialistët nuk i dogjën teserat e PS-së as për historinë, as për gojëdhënat, as sepse u dhimbsen 2 mijë dëshmorët që nga antikiteti, siç ironizon Edi Rama. Socialistët u bënë flamingo, sepse refuzojnë të bëhen sërish kavje për vendimet e çmendura të kryetarit dhe kryeministrit të tyre. Socialistët, demokratët dhe qytetarët pa parti nuk po kërkojnë privilegje. Ata po ngrenë shqetësime për një reformë që e largon vendimmarrjen prej tyre, dobëson përfaqësimin dhe rrezikon t’i lërë me më pak shërbime”, shprehet ai.

Në përfundim, Bardhi i bën thirrje kryeministrit që të mos fshihet pas votës së Kuvendit, por ta çojë reformën në referendum dhe t’ua lërë qytetarëve vendimin për hartën e re administrativo-territoriale.

About Redaksia

Check Also

Aktori i njohur: Nëse Edi Rama nuk del, duhet ta nxjerrim!

Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj mbajti një fjalim me tone të forta gjatë protestës së …