CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Shehu: Rama po denigron Gjirokastrën, Përmetin dhe Libohovën

Deputeti i PD, Tritan Shehu, ka reaguar ndaj projektit për reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë një “antireformë” që, sipas tij, cenon historinë, identitetin dhe vlerat e komuniteteve në jug të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Shehu akuzon kryeministrin Edi Rama se po synon të bashkojë në mënyrë arbitrare bashki me histori dhe tradita të veçanta, pa konsultim me qytetarët, duke argumentuar se një veprim i tillë do të zbehë identitetin dhe trashëgiminë e tyre.

Postimi 

Antireforma e Ramës denigron Gjirokastrën, Libohoven, Dropullin, Tepelenën, Memaliajn, Përmetin dhe Këlcyrën. Denigron vetë vlerat kombëtare.

Bashkimi arbitrar i komuniteteve me histori, identitet, tradita dhe kontribute të veçanta nuk është një veprim administrativ i zakonshëm. Nuk është një mbledhje aritmetike.

Përkundrazi, është një zbritje në aritmetikën njerëzore, sociale, kulturore dhe ekonomike.

Të bashkosh Libohovën me Gjirokastrën, Memaliajn me Tepelenën, Këlcyrën me Përmetin, pa pyetur qytetarët, do të thotë të diskriminosh secilin prej këtyre komuniteteve.

Secili prej tyre ka individualitetin e vet, historinë e vet, kontributet madhore dhe karakteristikat që pasurojnë mozaikun e kombit shqiptar. Këto dallime kulturore, gjuhësore, historike e zakonore janë pasuri kombëtare, të cilat çdo shtet normal i ruan, i promovon dhe i forcon.

Antireforma e Ramës synon t’i zhbëjë ato me një të rënë të lapsit.

Është një përpjekje që buron nga koncepti i uniformitetit, ku gjithçka duhet të shkrihet në një model të vetëm. Madje, edhe regjimi komunist, me gjithë centralizimin e tij, nuk tentoi të zhdukte identitetin historik të komuniteteve shqiptare; përkundrazi, në shumë raste i evidentoi ato.

Sot, nën filozofinë e “Shteti jam unë”, Edi Rama kërkon t’i fusë të gjithë në një “thes”, duke holluar e zbehur identitetin, historinë dhe vlerat e secilit komunitet, për të glorifikuar vetëm pushtetin dhe modelin e tij personal.

Por ai harron se Gjirokastra, Libohova, Dropulli, Tepelena, Memaliaj, Këlcyra dhe Përmeti nuk iu nënshtruan kurrë sulltanëve. Përkundrazi, ato qenë në vijën e parë të Rilindjes Kombëtare dhe të mbrojtjes së identitetit shqiptar.

Edhe sot, këto komunitete nuk do ta pranojnë një antireformë diskriminuese që cenon historinë, identitetin dhe dinjitetin e tyre.

Image

About Redaksia

Check Also

Hoti: Gjuhadolli nuk është pronë e Benet Becit, është trashëgimi e Shkodrës!

Nga Kliti HOTI Prej ditësh, shkodranët po përballen me dokumente që ngrenë shqetësime serioze mbi …