Eda Grimçi: Para reformës territoriale të vitit 2013-2015, kishte 19.625 punonjës në 373 njësi vendore. Në vitin 2023, Ministria e Financave raporton rreth 37.000 punonjës në nivel vendor. Reforma territoriale e asaj kohe u justifikua pikërisht me rritjen e efiçencës dhe uljen e kostove administrative, duke kaluar nga 373 njësi në vetëm 61 bashki. Gjithçka ishte mashtrim me synimin e kontrollit dhe vjedhjes së votës. Sot kërkon të ulë akoma më shumë numrin e bashkive, por nuk flitet se çfarë do të ndodhë me njerëzit e punësuar në administratën vendore. Cili është opinioni juaj? A po i kërcënon Rama administratën në prag të zgjedhjeve vendore me qëllim kontrollin mbi votën e tyre me anë të kërcënimit për largime nga puna?
Sali Berisha: Së pari, me dyfishimin e numrit të punonjësve në qeverisjen vendore, Edi Rama dyfishoi numrin e patronazhistëve kundër qytetarëve dhe votës së lirë.
Dhe përveç kësaj, këta punonjës të dyfishuar janë parazitët më ekstremë pasi asnjë shërbim nuk i ofrojnë qytetarëve.
Eda, në marrëdhënien normale, të bazuar në parimin e decentralizimit dhe dekoncentrimit, të gjitha këto rroga do të ishin shërbime, mbështetje sociale, mbështetje për bujqësinë, ujësjellësa dhe kanalizime për komunitetet.
Me reformën e vitit 2014, dhe do të vlerësoja shumë cilindo që e dëgjon këtë bisedë, po të ketë fakte të më kundërshtojë… Koha e ndaloi për Shqipërinë rurale. Mirëpo ndalimi i kohës në Shqipërinë rurale do të thotë ndalimi i zhvillimit të Shqipërisë.
Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa Shqipëri rurale të zhvilluar, nuk ka. Një fshat mesjetar, le të jetë qyteti dhe Silicon Valley, nuk është i zhvilluar vendi, pa patur dhe fshatin të zhvilluar, sepse jetojnë njerëz, sepse ka shumëlloj kushtesh.
Çfarë bënë këta? Këta i hoqën njësitë, ata ishin të zgjedhur, çfarë do të thotë kjo? Ai i zgjedhuri kishte përgjegjësi ndaj atyre qytetarëve. Dhe ne që paguanim gjysmën e këtyre punonjësve, vendosëm një raport jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.
Raporti ishte ky: ju projektet, ne financimin! Përveç trefishimit të fondeve për bashkitë dhe komunat. Përsëri: ju projektet, ne financimin! Çdo bashki, çdo komunë, hartonte me dhjetëra, dhjetëra projekte, një pjesë i financonte me paratë e veta, të tjerat – qeveria – sepse shteti i kishte trefishuar.
Pra, paratë tona nuk shkonin për rroga, shkonin për qytetarët. Dhe e kam theksuar e theksoj, kam gjetur një herë, kam vizituar bashkinë, e Xhafzotaj, Agim Hoxha kishte asfaltuar me paratë e komunës dhe me subvencione nga shteti, me financimet e qeverisë, 49 kilometra rrugë.
Edi Rama, të cilit ja kisha trefishuar fondet, kishte asfaltuar në katër vite 12 kilometra rrugë në Tiranë. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe pa diskutim që këta i ka vektorë elektoralë, i ka terroristë elektoralë, dhe nuk ka asnjë synim tjetër përveç pushtetit.
Gazeta RD