Edi Rama, modeli se realiteti nuk mund të maskohet gjithmonë

Nga Ndriçim KULLA
Fenomeni politik i Edi Ramës përbën rastin më të veçantë të tranzicionit shqiptar. Jo sepse është kryeministri më jetëgjatë i pluralizmit, por sepse ka ndërtuar një model qeverisjeje ku pushteti nuk mbështetet mbi administrimin e shtetit, por mbi administrimin e perceptimit publik. Kjo është risia më e madhe shkatërrimtare. Ai e kuptoi herët se në epokën e televizionit, të rrjeteve sociale dhe të komunikimit të përhershëm, beteja nuk zhvillohet vetëm mbi realitetin, por kryesisht mbi mënyrën se si paraqitet realiteti. Kështu, qeverisja filloi të ngjante gjithnjë e më pak me administrimin e një Republike dhe gjithnjë e më shumë me drejtimin e një skene, ku çdo element, nga konferencat për shtyp te inaugurimet, nga ngjyrat e godinave publike te samitet ndërkombëtare, duhej të prodhonte një ndjesi suksesi, edhe kur përditshmëria e qytetarëve rrëfente një histori tjetër.

Pikërisht këtu ka filluar edhe drama e pushtetit të tij që e ka ngatërruar imazhin me realitetin. Për një kohë të gjatë ka kontrolluar gënjeshtrën që ke krijuar, duke krijuar përshtypjen se gjithçka ecën sipas planit, ka bindur një pjesë të opinionit se kritika është thjesht zhurmë dhe se kundërshtimi është nostalgji për të shkuarën. Por vjen një ditë kur realiteti nuk pranon më të maskohet. Ai ka hyrë në jetën e njerëzve përmes çmimeve, emigrimit, mungesës së mundësive, korrupsionit të perceptuar, mosbesimit ndaj institucioneve dhe ndjesisë se ligji nuk vepron njësoj për të gjithë. Dhe propaganda nuk po arrin më ta mbulojë jetën, sepse jeta ka një zakon të pandreqshëm: ajo e përgënjeshtron çdo ditë versionin zyrtar të saj.

Nëse do të kërkonim tiparin më karakteristik të këtij modeli qeverisjeje, ai nuk do të ishte as gjuha politike, as estetika, as aftësia komunikuese e kryeministrit. Tipari më i rëndësishëm është përqendrimi gradual i vendimmarrjes rreth figurës së një njeriu të vetëm. Institucionet vazhduan të ekzistojnë formalisht, por në perceptimin publik gjithnjë e më shumë u krijua bindja se pesha reale e vendimeve kalonte përmes vullnetit të kryeministrit. Ministrat ndryshonin, drejtuesit zëvendësoheshin, administrata riorganizohej, por figura që mbetej e pandryshueshme ishte ajo e njeriut që shfaqej si burimi kryesor i çdo vendimi të rëndësishëm. Kjo është pikërisht pika ku republika fillon po identifikohet me një individ dhe jo me institucionet e saj.

Historia politike na mëson se ky është momenti kur pushteti ka humbur aftësinë për të korrigjuar vetveten. Sepse institucionet nuk ekzistojnë vetëm për të zbatuar vendime; ato ekzistojnë për t’i kufizuar ato. Kur çdo kritikë interpretohet si armiqësi, kur çdo kundërshtim shihet si sabotim, kur çdo zë i pavarur etiketohet si pengesë për progresin, atëherë sistemi pushon së prodhuari vetëkorrigjim dhe fillon të prodhojë vetëm vetëkonfirmim. Pikërisht në këtë pikë nis ajo që filozofët e politikës e kanë quajtur verbëria e pushtetit: aftësia për të dëgjuar vetëm jehonën e zërit të vet.

Dhe ky është edhe paradoksi i madh i qeverisjes së Edi Ramës. Ai u paraqit si reformator, si njeriu që premtonte të thyente zakonet e vjetra të politikës shqiptare, të modernizonte administratën, të ndërtonte institucione më funksionale dhe ta afronte vendin me standardet evropiane. Në vitet e para, një pjesë e madhe e shoqërisë ishte e gatshme t’i jepte kohë dhe besim këtij projekti. Por me kalimin e viteve, ndërsa pushteti u bë gjithnjë e më i gjatë, nisi të krijohej një përshtypje tjetër: se reforma po zëvendësohej nga administrimi i imazhit të reformës, se modernizimi po identifikohej gjithnjë e më shumë me spektaklin e tij dhe se shteti po merrte tiparet e një sistemi ku besnikëria ndaj qendrës së pushtetit vlente më shumë sesa autonomia institucionale.

Në këtë mënyrë, Edi Rama u bë një personazh i pazakontë në historinë politike shqiptare. Ai nuk u përpoq të ndërtonte kultin klasik të udhëheqësit që kërkon bindje përmes frikës së hapur. Ai luftoi për diçka më të sofistikuar: ta bënte pushtetin estetikisht të pranueshëm, ta paraqiste autoritetin si modernitet, kontrollin si efikasitet dhe përqendrimin e vendimmarrjes si domosdoshmëri për zhvillimin. Pikërisht këtu qëndron edhe origjinaliteti i këtij modeli. Ai nuk i kërkoi qytetarit të adhuronte forcën; i kërkoi të admironte pamjen e saj. Por estetika nuk mund ta zëvendësojë pafundësisht përmbajtjen. Kur realiteti dhe imazhi ndahen përfundimisht nga njëri-tjetri, fillon procesi i pashmangshëm i çmitizimit. Dhe çdo pushtet, sado i gjatë apo i aftë në komunikim, përballet në fund me të njëjtën gjykatë: atë të fakteve, të kujtesës dhe të kohës.

Në Shqipërinë e sotme, kjo prirje është bërë objekt diskutimi të vazhdueshëm në jetën publike. Figura e kryeministrit ka dominuar komunikimin politik në një masë të pazakontë, duke e vendosur pothuajse çdo çështje të rëndësishme – nga projektet infrastrukturore te reformat, nga diplomacia te zhvillimi urban – në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me personalitetin e tij. Kjo ka krijuar një model ku suksesi identifikohet me një figurë, ndërsa dështimet shpesh shpjegohen si përgjegjësi e hallkave të tjera të administratës. Një sistem i tillë e ka shkatërruar fare logjikën e përgjegjësisë institucionale, sepse institucionet nuk shfaqen më si qendra autonome vendimmarrjeje, por si zgjatime të një vullneti politik të përqendruar në dhomën e komandave.

Në këtë periudhë ka qenë rëndësia e jashtëzakonshme që i është dhënë komunikimit publik. Pamja, simboli, gjuha vizuale dhe ritmi i paraqitjes së projekteve janë bërë pjesë e vetë mënyrës së qeverisjes. Kjo nuk është domosdoshmërisht e pazakontë në politikën bashkëkohore; shumë liderë e konsiderojnë komunikimin një instrument të rëndësishëm. Por ndryshimi krijohet kur komunikimi fillon të zërë vendin e llogaridhënies. Në atë pikë, qytetari sot nuk kërkon vetëm të shohë një projekt të prezantuar bukur; ai kërkon të dijë se çfarë rezultatesh ka prodhuar, sa ka kushtuar, çfarë ndikimi ka pasur dhe kush mban përgjegjësi nëse objektivat nuk arrihen.

Por llogaridhënia dhe transparenca nuk kanë dalë qoftë edhe në një rast të vetin nga labirinthet e tunelit të kësaj qeverisjeje.

Kjo është arsyeja pse drita ka mbetur gjithmonë sfida më e madhe e këtij pushteti. Drita nuk është thjesht publikimi i informacionit. Ajo është mundësia që informacioni të shqyrtohet, të krahasohet dhe të vihet në diskutim pa paragjykuar paraprakisht motivet e atyre që pyesin. Një qeverisje fiton besim jo sepse arrin të shmangë kritikat, por sepse tregon se është në gjendje t’u përgjigjet atyre me argumente, me transparencë dhe me institucione që funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Por historia nuk gjykon vetëm madhështinë e projekteve që nuk u diskutuan dhe nuk panë transparencë kurrë apo aftësinë për të dominuar hapësirën publike. Ajo pyet nëse institucionet dolën më të forta, nëse qytetarët fituan më shumë besim te shteti dhe nëse pushteti pranoi kufijtë që demokracia i vendos çdo shumice. Pikërisht në këto pyetje duket e coptuar fare propaganda e Edi Ramës nga trashëgimia e tij politike. Propaganda i përket së tashmes; trashëgimia do t’i përkasë kohës. Dhe koha është gjykatësi i vetëm që nuk mund të bindet nga spektakli.

About Redaksia

Check Also

Në vend të një urimi “mirëseardhje”…

Nga Adriana KALAJA Pasi lexova në faqen e Ambasadës së SHBA-ve, të akredituar në Shqipëri …