Bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të jenë të monitoruar në kohë reale për çdo detyrim ekzistues, por edhe çdo borxh që kanë marrë gjatë jetës së tyre.

Këto byro do të jenë biznese private në formën e shoqërive aksionere dhe do të kenë akses jo vetëm në të dhënat e kredive bankare, por edhe tek institucionet e pagesave, ato të mikrokredive, detyrimet tatimore, shoqëritë utilitare publike si ujësjellësi apo OSHEE.
Por përse do të përdoret ky informacion?
Byrotë e kreditit do ja u shesin këto të dhëna bankave apo institucioneve të tjera që japin kredi. Pra nëse një biznes apo një individ paraqiten në bankë dhe kërkojnë të marrin një kredi, atëherë banka menjëherë merr informacion për ekspozimin e tij, korrektësinë në pagesën e detyrimeve, por edhe sjelljen në të kaluarën.
“Byrotë e kreditit përpunojnë të dhënat e mbledhura dhe japin informacion në formën e raporteve kreditore. Raportet kreditore përmbajnë të gjithë informacionin e historikut kreditor, përveç nëse përdoruesi i të dhënave ose subjekti i të dhënave kërkon vetëm pjesë të caktuara të tij,” thuhet në projektligj.
Deri më tani burimi i vetëm i informacionit që bankat përdorin për ata të cilët kërkojnë kredi, është regjistri kombëtar i kredive që mbahet nga Banka e Shqipërisë. Por Byrotë e Kredive do të kenë një informacion shumë më të gjerë, duke përfshirë edhe detyrimet tatimore, ato ndaj institucioneve mikrofinanciare, pagesat e faturave të shërbimeve bazë etj./Kapitali.al
Gazeta RD