Nga Luçiano BOÇI
Vota e Këshillit Bashkiak të Dimalit kundër shkrirjes së bashkisë nuk është thjesht një qëndrim administrativ. Është një votë politike dhe qytetare kundër një harte që po tentohet të imponohet nga lart.
Ajo bëhet edhe më domethënëse për faktin se kundërshtimi nuk vjen vetëm nga opozita. Vjen nga vetë territori dhe nga një këshill bashkiak ku mazhoranca politike i përket Partisë Socialiste.
Pra, nuk kemi të bëjmë me atë që pushteti mund ta etiketojë lehtësisht si “zhurmë opozitare”. Kemi të bëjmë me përfaqësues vendorë që njohin komunitetin, territorin, ekonominë dhe nevojat konkrete të Dimalit dhe që refuzojnë ta pranojnë zhdukjen administrative të bashkisë së tyre.
Kjo votë rrëzon në thelb një nga alibitë kryesore të hartës së PS-së, pretendimin se reforma po ndërtohet duke dëgjuar komunitetet dhe duke iu përgjigjur interesave të tyre.
Sepse pyetja është shumë e thjeshtë.
Nëse komuniteti thotë JO, nëse Këshilli Bashkiak thotë JO dhe nëse edhe përfaqësuesit vendorë të vetë mazhorancës thonë JO, atëherë në emër të kujt po vizatohet kjo hartë?
Dimali ka identitetin e vet territorial, jetën e vet komunitare dhe një profil të qartë ekonomik, të lidhur veçanërisht me bujqësinë dhe zonën rurale. Ai ka arsye funksionale dhe përfaqësuese për të mbetur bashki më vete.
Por rëndësia e kësaj vote shkon përtej Dimalit.
Ajo është një paralajmërim për të gjithë Reformën Administrative-Territoriale.
Harta e Shqipërisë nuk mund të vizatohet në tavolina politike duke injoruar vullnetin e territoreve.
Një reformë që nis duke mos dëgjuar qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë nuk është reformë decentralizimi. Është centralizim i ri, i paketuar me emër të ri.
Këshilli Bashkiak i Dimalit nuk votoi vetëm për të mbrojtur një bashki. Votoi kundër një harte të gatshme. Votoi kundër logjikës që territoret trajtohen si numra. Votoi kundër idesë se Tirana mund të vendosë nga larg se cilat komunitete meritojnë të kenë zërin e tyre institucional dhe cilat duhet të zhduken me një vijë lapsi.
Dhe pikërisht këtu qëndron pesha politike e kësaj vote.
Kur një hartë e propozuar nga PS kundërshtohet edhe nga përfaqësuesit vendorë të vetë PS-së, atëherë problemi nuk mund të kërkohet më te opozita.
Problemi është vetë harta.

Gazeta RD