Është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare, Skënder Haluci, jurist, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe jetës publike shqiptare.
Sipas raportimeve në media, Haluci ndodhej në bjeshkët e Tropojës, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe disa minuta më pas është gjetur pa shenja jete.
Vdekja e papritur ka shkaktuar tronditje te familjarët dhe të afërmit. Rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjekoligjore dhe autoritetet përkatëse.
Skënder Haluci ka shërbyer si kryetar i Gjykatës së Vlorës gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, teksa ishte larguar nga vettingu.
Kush ishte Skënder Haluci
Haluci përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2008 ndoqi edhe studime pasuniversitare pranë këtij universiteti.
Karrierën në sistemin gjyqësor e nisi më 23 gusht 1996, si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në këtë detyrë shërbeu për rreth 15 vite, deri më 24 nëntor 2011, kur u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Pas eksperiencës si gjyqtar në Vlorë, Haluci mori edhe detyra drejtuese në këtë gjykatë. Më 28 tetor 2013 u komandua në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa më 17 tetor 2014 u emërua zyrtarisht kryetar i kësaj gjykate. Në këtë funksion qëndroi deri më 5 mars 2020.
Gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, veprimtaria profesionale e Halucit ishte vlerësuar pozitivisht.
Karriera e tij në gjyqësor u ndërpre në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vettingu. Më 5 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Pas këtij vendimi, Haluci u pezullua nga detyra, ndërsa çështja vijoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Më 27 tetor 2022, KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e Skënder Halucit nga detyra, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.
Pavarësisht përfundimit të karrierës së tij si gjyqtar, Skënder Haluci mbetet i lidhur me një periudhë të gjatë të sistemit gjyqësor shqiptar, ku për më shumë se 25 vite ushtroi funksione gjyqësore, përfshirë edhe drejtimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Gazeta RD