Ylli ASLLANI
Në debatin për hartën e re administrativo-territoriale, sidomos për Tiranën, pyetja më normale, legjitime dhe kushtetuese do të duhej të ishte: Çfarë kryeqyteti dëshirojmë të ndërtojmë për vitet e ardhshme?
Kjo pyetje, fatkeqësisht, nuk është bërë.
Ndërkohë, debati për shkrirjen e 15 bashkive ka nxitur kundërshti dhe shqetësime në mbarë vendin. Por përtej këtij debati qëndron një problem më i madh: si duhet të qeveriset Shqipëria dhe, veçanërisht, kryeqyteti i saj?
Pas më shumë se një dekade nga Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, paradoksi shqiptar është i dukshëm: Shqipëria po zbrazet, ndërsa Tirana po përqendron gjithnjë e më shumë popullsi, ekonomi dhe mundësi.
Censi i vitit 2023 tregon se Tirana përfaqëson 31.6% të popullsisë së vendit, nga 26.8% në vitin 2011. Ky përqendrim ka sjellë presion të madh mbi transportin, infrastrukturën, shkollat, mbetjet, hapësirat publike dhe territorin.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:

A mund të qeveriset një qytet me mbi një milion banorë me një model administrativ tepër të centralizuar?
Tirana nuk është më thjesht një bashki. Ajo është kryeqyteti politik, ekonomik dhe administrativ i vendit dhe një metropol që shtrihet përtej kufijve të një njësie të vetme administrative.
Pikërisht për këtë arsye, Tirana ka nevojë për një kontratë të re territoriale dhe për një mënyrë të re qeverisjeje: të bashkojë fuqinë e metropolit me autonominë lokale, planifikimin strategjik me vendimmarrjen pranë qytetarit dhe zhvillimin e kryeqytetit me atë të territoreve përreth.
Oferta e re e PD-së: decentralizimi i Tiranës
Partia Demokratike propozon decentralizimin e Tiranës brenda një sistemi të integruar metropolitan.
Ky model mbështetet në katër elementë:
- Një metropol të integruar, ku Tirana mbetet kryeqytet dhe qendër e përbashkët strategjike;
- Bashkinë e Tiranës dhe pesë bashki të reja funksionale: Kashari, Petrela, Dajti, Ndroqi dhe Arbana;
- Njësi administrative të zgjedhura, me përfaqësim dhe përgjegjësi më pranë komuniteteve;
- Institucione të përbashkëta metropolitanë për funksionet që kërkojnë koordinim dhe ekonomi shkalle.
Pra, nuk propozohet ndarja e Tiranës në kuptimin e fragmentimit të saj. Përkundrazi, propozohet një Tiranë e integruar, por e decentralizuar.
Funksionet që kërkojnë një vizion të përbashkët duhet të mbeten metropolitanë: transporti, planifikimi strategjik, infrastruktura kryesore, zhvillimi ekonomik, mjedisi, emergjencat dhe projektet me ndikim ndërbashkiak.
Ndërsa funksionet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme duhet të vendosen sa më pranë qytetarit: mirëmbajtja lokale, hapësirat publike, shërbimet komunitare, investimet lokale, administrimi i territorit dhe përcaktimi i prioriteteve të komuniteteve.
Aty ku kërkohet integrim, Tirana duhet të jetë e unifikuar. Aty ku kërkohet afërsi me qytetarin, Tirana duhet të jetë e decentralizuar.
Ky është thelbi i modelit policentrik.
Nga zyrat administrative te demokracia e zgjedhur
Një nga problemet kryesore të modelit aktual nuk është mungesa e zyrave administrative. Problemi është mungesa e përfaqësuesve të zgjedhur të territorit dhe vendimmarrjes pranë qytetarit.
Para vitit 2014, territori i Tiranës përfshinte 22 njësi vendore, ndërsa sot administrimi realizohet përmes një strukture më të gjerë njësish administrative, por pa të njëjtin nivel të drejtpërdrejtë të vetëqeverisjes politike.
Prandaj propozimi për Kasharin, Dajtin, Petrelën, Ndroqin dhe Arbanën duhet parë jo si “ndarje e Tiranës”, por si rikthim i qeverisjes së zgjedhur pranë territoreve që sot administrohen nga një qendër e vetme.
Qytetarit nuk i thuhet: “Po të krijojmë një zyrë tjetër”.
I thuhet: “Po të japim mundësinë të zgjedhësh përfaqësuesit e territorit ku jeton.”
Kjo është arsyeja pse reforma nuk duhet të jetë vetëm territoriale. Ajo duhet të jetë edhe reformë e demokracisë lokale.
Njësitë administrative të zgjedhura duhet të kenë përfaqësues të zgjedhur, buxhet të deleguar, kompetenca të përcaktuara, të drejtë propozimi për investime dhe mekanizma të qartë konsultimi e llogaridhënieje.
Tirana policentrike
Rritja e Tiranës nuk mund të vazhdojë vetëm në formën e zgjerimit koncentrik rreth një qendre të vetme.
Kryeqyteti ka nevojë për disa qendra urbane, administrative dhe ekonomike, të lidhura me njëra-tjetrën dhe me metropolin.
Kashari, Dajti, Petrela, Ndroqi, Arbana dhe territore të tjera mund të zhvillojnë funksionet e tyre, duke ruajtur lidhjen ekonomike, infrastrukturore dhe funksionale me Tiranën.
Kjo nuk është një kthim nostalgjik te modeli i vitit 2013. Është një përpjekje për të ndërtuar një model të ri, të përshtatur me madhësinë, kompleksitetin dhe rolin metropolitan të Tiranës në vitin 2026.
Pra, oferta është e qartë:
Një metropol.
Disa bashki funksionale.
Njësi administrative të zgjedhura.
Një sistem i përbashkët metropolitan.
Vendimmarrje më pranë qytetarit.
Çfarë na mëson Europa?
Eksperienca europiane tregon se rritja e një kryeqyteti nuk kërkon domosdoshmërisht përqendrim më të madh të pushtetit.
Vjena funksionon me 23 distrikte me struktura të zgjedhura dhe përgjegjësi të decentralizuara. Berlini ka 12 distrikte me asamble të zgjedhura, ndërsa Londra kombinon drejtimin strategjik metropolitan me 32 lagjet e City of London, të cilat ushtrojnë funksione të rëndësishme lokale.
Modelet ndryshojnë dhe nuk mund të kopjohen mekanikisht. Por parimi është i njëjtë:
Një metropol mund të ketë një vizion të përbashkët pa pasur nevojë që çdo vendim të merret në një qendër të vetme.
Ky është mësimi që mund të përshtatet edhe për Tiranën: integrim i funksioneve metropolitanë dhe decentralizim i pushtetit e përgjegjësive që mund të ushtrohen më mirë pranë qytetarit.
Në fund të fundit, debati për Tiranën nuk duhet të jetë thjesht debat për kufijtë në hartë. Është debat për mënyrën se si do të qeveriset kryeqyteti dhe sa afër qytetarit do të jetë pushteti.
Tirana nuk duhet të ndahet për t’u dobësuar. Ajo duhet të decentralizohet për t’u bërë më e fortë.
Kjo është oferta e re e Partisë Demokratike: një Tiranë e integruar si metropol, por më demokratike, më policentrike dhe më pranë qytetarëve.
Gazeta RD