Rreth debatit për Vlorën!

Ylli ASLLANI
Para opinionit dhe këshilltarëve vlonjatë të bashkisë, në një mënyrë apo një tjetër kanë mbëritur dy projekte për hartën e Vlorës së ardhshme:
PS kërkon të shkrijë bashkinë e Selenicës, kurse modeli PD kerkon shtimin e bashkise Orikum, Amantia, Novosele si dhe qendrimin si bashki të Selenices.
Me sa duket këshilltarët do të pyeten per fatin e banorëve dhe territoreve të cilat nuk janë të përfaqësuara ne Keshill apo kanë aty një peshë të papërfillshme!
Ky në gjuhën e rëndomtë është një kurth procedurial për të arritur “Vlorën e Madhe” pa miratimin e bashkive, qyteteve dhe krahinave që do ta përbëjnë atë!
Pra duke patur numrat e këshilltarëve, PS kërkon një alibi e cila ti justifikojë në shkeljen e kushtetutës dhe të kartës evropiane të autonomisë vendore..!
Por këto dy dokumenta thelnësorë në një reformë territoriale janë saktësisht të qarta: nuk ka ndryshim kufijsh pa miratimin e banorëve të njësisë vendore!
Më tepër se argument kjo skemë e PS kërkon të përcajë opinionet pa marrë parasysh argumentat e palëve të interesuara! Ajo kërkon të joshi egon e ndonjë këshilltari për territore ekstra që si takojnë…
Ndaj këshilltarët të majtë e të djathtë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe mos bien pre e kësaj loje duke marrë vendime në kundërshtim me interesat e qytetarëve, qofshin të krahinave apo qyteteve që nuk janë të territorit të tyre.
Kalaja prej rëre e reformës Rama do të bjerë e gjitha njëherësh! Në këto momente mos lejoni që turpi i tij të justifikohet me ju!
Paradokset e zhvillimit të Vlorës:
Cfarë ka ndodhur një dekadë më parë?
Reforma e vitit 2014 e bashkoi një territor shumë heterogjen nën një administratë të vetme.
Sot Bashkia Vlorë përfshin:
• qytetin dhe zonën urbane;
• zonën turistike të jugut;
• zonat bujqësore të Myzeqesë së Vlorës;
• Novoselën dhe territorin verior;
• zonat e Lumit të Vlorës;
• zonat malore;
• Orikumin dhe territorin e tij strategjik.
Këto territore nuk kanë të njëjtin profil ekonomik, demografik, social apo territorial.
Prandaj, argumenti i PD-së për më shumë bashki nuk po paraqitet si “ndarje e Bashkisë Vlorë”, por si:
Krijimi i një sistemi policentrik të bashkive, ku Vlora mbetet qendra e madhe urbane dhe ekonomike, ndërsa territoret e tjera marrin qeverisje të drejtpërdrejtë dhe përgjegjësi për zhvillimin e tyre.
Si do ta formuloja si ekspert variantin për Vlorën?
Mendoj se mund të paraqitet shumë thjesht:
VLORA POLICENTRIKE
1. Bashkia Vlorë
Qendër urbane, portuale, ekonomike dhe turistike.
2. Bashkia Orikum
Qendër turistike dhe detare e jugut të gjirit të Vlorës.
3. Bashkia Novoselë
Qendër bujqësore dhe ekonomike e territorit verior të Vlorës.
4. Bashkia Amantia
Qendër rurale, historike, kulturore dhe turistike e Lumit të Vlorës.
5. Bashkia Selenicë
Bashki malore dhe post-industriale, me status të veçantë zhvillimi dhe objektiv kryesor rikonvertimin ekonomik dhe frenimin e shpopullimit.
Ky model krijon një strukturë policentrike të territorit të Vlorës, në vend të përqendrimit të gjithçkaje në një administratë të vetme.
Shkurtimisht- pesë argumentet që do të përdorja në tavolinën e diskutimit
Duke qenë se diskutimi do të jetë politik dhe publik, nuk do ta ngarkoja me shumë analizë dhe shifra. Do të përcillja thjesht këto 5 mesazhe:
1. Vlora si pol zhvillimi, nuk ka nevojë për një bashki më të madhe; ka nevojë për qeverisje më të mirë.
2. Një territor me ekonomi dhe identitet të ndryshëm duhet të ketë qeverisje të ndryshme.
3. Shërbimet periferike tregojnë se madhësia e bashkisë nuk ka garantuar barazi.
Në Vlorë hendeku i kanalizimeve qendër–periferi është rreth 40 pikë përqindjeje.
4. Selenica duhet të mbetet bashki pikërisht sepse po shpopullohet.
Të heqësh administrimin lokal nga një territor në krizë nuk është zgjidhje për shpopullimin.
5. Do të propozoja një Vlorë policentrike, jo një Vlorë të copëtuar.
Pra sikurse shihet nuk po kërkojmë të ndajmë Vlorën.
Po kërkojmë të ndajmë përgjegjësinë e qeverisjes.
Vlora duhet të jetë e fortë si qytet, por edhe Orikumi, Novosela, Amantia dhe Selenica duhet të kenë zërin, buxhetin dhe përgjegjësinë e tyre.
Një qytetar nuk duhet të jetë më larg shtetit të vet vetëm sepse jeton në periferi të një bashkie të madhe.

About Krye Redaktor

Check Also

Zhvatja e 9 mijë metrave tokë në Surrel nga Rama dhe vendimi i “Sokolëve të Partisë”

Adriana KALAJA Pa u harruar shija e keqe që la Kryetari i GJL Sokol Sadushi, …