Qeveria po i falimenton fermerët me politika antiprodhim

Nga Nikola KEDHI
Në Serbi një blegtor merr rreth 350 euro subvencion për lopë, plus mbështetje për çdo litër qumësht. Në Maqedoninë e Veriut merr rreth 250 euro për lopë, plus subvencion për qumështin.
Në Shqipëri? Vetëm 12 mijë lekë për lopë, ndërsa qeveria u hoqi fermerëve edhe skemën e naftës pa akcizë. Fermeri shqiptar përballet me subvencione shumë më të ulëta se rajoni, naftë e inpute të shtrenjta, mungesë ujitjeje, tokë të fragmentarizuar, konkurrencë të pabarabartë nga importet, mungesë incentivash për përpunim, dhe një shtet pa vizion që, në vend ta mbështesë, ia vështirëson çdo vit më shumë prodhimin.
Rezultati është i dukshëm: fermeri shqiptar prodhon më shtrenjtë, konkurron më pak, shet me vështirësi dhe ndaj çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz braktisin bujqësinë e blegtorinë. Bujqësia dhe blegtoria janë ne krizë dhe tkurrje të vazhdueshme prej vitit 2020.
Prandaj fermerët paralajmërojnë se në shtator do të rikthehen në protestë, këtë herë edhe me traktorë.
Një vend që nuk mbron prodhuesin e vet, bëhet gjithnjë e më i varur nga importet dhe gjithnjë e më i shtrenjtë për qytetarin.
Shqipërisë i duhet një model krejt tjetër: naftë pa akcizë për fermerin, subvencione konkurruese me rajonin, ujitje, ulje të kostove, barazim të TVSH, dhe mbështetje reale fiskale për prodhimin vendas, përpunimin, inovacionin.
Fermerët na kanë në krahë për kërkesat e tyre të drejta. Shqipëria prodhuese është në themel të vizionit tonë për shekullin shqiptar.
Fermeri shqiptar nuk kërkon as privilegj, as trajtim preferencial. Kërkon thjesht të ketë mundësi të punojë, të konkurrojë dhe të jetojë nga toka e tij.

About Redaksia

Check Also

Incidenti në Pustec/ Këlliçi: Injorimi i Himnit nuk është gafë, por dështim i diplomacisë!

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Pustec gjatë …